Kundërshtuan policët, pranga dy të rinjve
TIRANE - Kundërshtuan policët, përfundojnë në qeli me katër akuza dy të rinj. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit pohojnë se dy ditë më parë shërbimet e Komisariatit numër katër, realizuan kapjen dhe më pas ndalimin e dy shtetasve, të dyshuar për konsumim të veprave penale: "shkatërrim prone", "kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik", "goditje për shkak të detyrës" dhe "fyerje për shkak të detyrës". Sipas policisë emrat e të ndaluarve janë Erald Koçuku, 25 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për "vjedhje", "kundërshtim të punonjësit të policisë", "shkatërrim prone "dhe "kanosje" dhe Florindo Satka, 21 vjeç. Ndalimi i tyre është bërë pasi gjatë shoqërimit për në komisariat kanë kundërshtuar, goditur dhe fyer dy punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës. Po ashtu, i ndaluari Koçuku, ka thyer xhamin e automjetit të policisë gjatë kohës që dy efektivët ishin përpjekur ta futnin brenda makinës. Policia pohon se pas kryerjes së veprimet procedurale, materialet në ngarkim të dy të ndaluarve do t'i kalojnë prokurorisë së kryeqytetit për veprat për të cilat akuzohen, ndërsa gjatë paradites së sotme pritet që ata të dërgohen në gjykatë.