Zbutet akuza, lirohet Nikolin Jaka
• Nikolin Jaka, ish-zëvendësministri i Transporteve i burgosur, lë qelinë ditën që përfundoi hetimi ndaj tij.Fatos Mahmutaj Pasi e kishte rrëzuar disa herë radhazi kërkesën për lirim nga burgu, Gjykata e Tiranës ia pranoi mesditën e së shtunës. Në fakt, shkaku kryesor për lirimin e tij ishte Prokuroria e kryeqytetit, e cila në përfundim të hetimeve vendosi të zbuste akuzën në ngarkim të tij. Nga “korrupsion”, vepra penale për të cilën ai do të gjykohet nga togat e zeza, u zbut në “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Kjo situatë u shfrytëzua nga mbrojtja e Jakës, të cilët depozituan në gjykatë kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë. Kërkesa iu dorëzua gjyqtares që kishte vendosur masën e sigurisë për Jakën, e cila pasi u njoh me faktet e reja vendosi ta pranonte atë duke liruar ish-zëvendësministrin. Argumenti ishte se, vepra që ai akuzohet parashikon dënim gjer në dy vjet burg, ndërsa deri tani ai ka vuajtur 9 muaj. Pas kësaj u shoqërua sërish për në burg, ku pas kryerjes së veprimeve procedurale, pak orë më vonë la qelinë. Burgosja Nikolin Jaka u arrestua në bazë të një mase sigurie të vendosur në mungesë për të, në shtator të vitit të kaluar. Bashkë me të ranë nën pranga edhe tetë persona të tjerë: Ilirjan Berzani, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve; Bashkim Kamberi, shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve në Drejtorinë e Rrugëve; Alban Qafa, specialist në Sektorin Juridik të Prokurimeve në Drejtorinë e Rrugëve; Arjan Sheti, drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve; Xhevahir Muçogllava, drejtor i Drejtorisë së Programimit dhe Koordinimit, si dhe kryetar i komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Drejtorinë e Rrugëve dhe Enton Resuli, të cilët u akuzuan fillimisht për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”. Ndërkohë, Skënder Bokçiu, ortak i shoqërisë “Arifaj” dhe Isuf Ukperaj, ortak i shoqërisë “Vllazëria” u prangosën nën akuzën e “korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike”.Hetimi Mbledhja e provave në ngarkim të të akuzuarve zgjati plot gjashtë muaj që nga momenti i arrestimit të tyre. Njësia Task-Forcë Antikorrupsion e Prokurorisë së kryeqytetit përfundoi hetimet për abuzime me tenderët e rrugëve. Tashmë nën akuzë veç Jakës kanë mbetur: Ilirian Berzani, i akuzuar për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “korrupsion”; Bashkim Kamberi i akuzuar për “shpërdorim detyre”; Xhevahir Muçogllava i akuzuar për “shkelje të barazisë në tenderë, në bashkëpunim”; Arjan Sheti i akuzuar për “shkelje të barazisë në tenderë, në bashkëpunim” e “korrupsion aktiv”; Skënder Bokçiu e Isuf Ukperaj, të akuzuar për “korrupsion aktiv”. Ndërsa për Alban Qafën dhe Enton Resulin është pushuar akuza pasi Prokuroria nuk ka arritur të siguronte asnjë provë në ngarkim të tyre. 470 mijeeuro ishte shuma, që sipas Prokurorisë të akuzuarit e operacionit “Duart e Pastra” do të përfitonin nga tenderi 4.7 milionë euro i rrugës Has-Qafë Prushi.7 milioneeuro pretendon organi i akuzës i kryeqytetit se kushtonte tenderi i supervizionit të autostradës Durrës–Kukës, nga e cilado të përfitonin të akuzuarit. Dosja në gjykatë, pritet seanca e parëTIRANE – Shorti elektronik në Gjykatën e Tiranës ka përcaktuar gjyqtarin Martin Deda për të shqyrtuar dosjen penale, në ngarkim të shtatë të pandehurve të akuzuar për abuzime me tenderin e rrugës Has–Qafë Prush. Hetimi penal me numër 2818 u dorëzua në gjykatë paraditen e së hënës ndërsa të pandehurit në të janë: Nikolin Jaka, ish-zëvendësministër i Transporteve, Ilirian Berzani, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, tre zyrtarë të tjerë të këtij institucioni dhe dy biznesmenë, pronarë firmash ndërtimi. Hetimet e Njësisë Task-Forcë të filluara në muajin gusht 2007, kanë zbuluar pazare mes zyrtarëve dhe firmave të ndërtimit për tenderët e rrugës Has-Qafë Prushi, me vlerë 4.7 milionë euro dhe supervizionin e rrugës Durrës-Kukës, me vlerë 7 milionë euro. Zyrtarët u arrestuan në shtator të vitit 2007, në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Duar të Pastra”. Tashmë pritet që pasi të studiojë dosjen gjyqtari i çështjes të caktojë një datë për zhvillimin e seancës së parë të kësaj çështjeje. f.m.