E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati Dhëmblan, aty ku nisën tragjeditë ka ende frikë

• Banorët e fshatit Dhëmblan në komunën e Lopësit në Tepelenë ndihen të kërcënuar nga rreziku i shpërthimit të municioneve, të cilat gjenden në depot pranë zonës së banuar.Tepelene/ PIRO NASE Alarmi është dhënë pak ditë, pas ndodhjes së tragjedisë së Gërdecit. Shpërthimi i depove të municioneve në Dhëmblan, dy vite më parë, shkaktoi 2 viktima dhe disa të plagosur, si dhe krijoi një eksod të banorëve nëpër fshatrat pranë. Sipas kryetarit të komunës së Lopësit, Vait Sinaj, afro 17 mijë tonë municione, pjesa dërrmuese predha të kalibrit të rëndë gjenden ende në këtë zonë, duke e bërë atë mjaft të rrezikshme. Sipas Sinajt, Dhëmblani është fshati më i militarizuar në Shqipëri. Ai bën thirrje që kjo çështje të shihet me përparësi nga ana e qeverisë. Ushtarakët e repartit të xhenios ndërmorën një fushatë pastrimi në të gjithë zonën e fshatit Dhëmblan, arenë e shpërthimit gjigant më 7 maj të 2006-ës, duke u larguar nga ky territor në fund të vitit të kaluar. Para se të largoheshin, ata dhanë garanci të plotë të krehjes në pjesët më të larta. Gjatë muajve të kaluar, komuna në bashkëpunim me mësuesit e zonës ndërmorën një fushatë sensibilizuese te fëmijët që shëtisin bagëtitë në pjesët e pashkelura, duke bërë kujdes që të mos prekin asnjë send dyshues metalik të gjendur përtokë. Sinaj thotë se, kjo fushatë do të rifillojë sërish pasi rreziku nga incidentet e padëshiruara ekziston. “Për fat, dëme në njerëz nuk ka pasur, pasi këta të fundit janë treguar mjaft të kujdesshëm”, pohon kryetari i komunës. Tunelet me municion luftarak ndodhen rreth 300 metra larg zonës së banuar, por megjithëse janë të nëndheshme ato përbëjnë rrezik për banorët. Frika bëhet edhe më e ethshme për komunitetin e Dhëmblanit, po të merret në konsideratë sasia prej 15 mijë tonësh municion. Sipas banorëve të fshatit, të gjashtë tunelet me municione ruhen nga nënoficerë të xhenios, por sipas tyre, e keqja është se gjatë viteve të fundit, ato nuk janë mirëmbajtur. Kryetari i komunës së Lopësit ka dhënë alarmin për shkaktimin e një tragjedie në përmasa më katastrofale se ajo e Gërdecit, pasi përveç keqmirëmbajtjes së depove ekzistuese, në zonën kur u shkatërruan depot 2 vjet më parë, gjenden sot e kësaj dite dy mijë tonë të grumbulluara, të cilat nuk janë evakuuar nga Ministria e Mbrojtjes për mungesë së poligoneve të shpërthimit. “Ndonëse dikasterit ushtarak i është ofruar një territor brenda komunës së Lopësit, me një largësi mbi 15 km nga zonat e banuara për të bërë të mundur çmontimin e predhave, deri më sot nuk është kthyer ndonjë përgjigje konkrete”, shpjegon për gazetën “Panorama” Sinaj. Fshati, ende pa kompensimFshati Dhëmblan ndodhet në pjesën ekstreme veriperëndimore të rrethit të Tepelenës, në kufi me rrethin e Vlorës. Dhëmblani, me 300 banorë, në maj të vitit 2006 u shndërrua në një zonë të pabanueshme si rrjedhojë e shpërthimeve të depove të municionit. Si pasojë e këtij shpërthimi u dëmtuan dhjetëra shtëpi por deri më sot, kompensimi i fshatarëve nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga kjo ngjarje, ka munguar.  Predhat e luftës në ujërat e JonitVLORE – Prefekti i Vlorës ka inspektuar dje zonën e Pashalimanit, duke deklaruar se as aty e as në repartet ushtarake në tokë nuk ka asnjë rrezik nga municionet, pasi ato janë shkatërruar. Por, një tjetër alarm vjen nga deti, ku qindra predha janë ngulur në ujërat e Jonit, shumë pranë bregdetit, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në vitin 1997. Sipas burimeve të besueshme dhe vetë dëshmitarëve, pohohet se paralelisht me bregun e Vlorës, në distancë jo shumë të largët, ka një sasi të konsiderueshme predhash të sasive dhe madhësive të ndryshme. Të tilla ka në zonën e Triportit, zonës së Kalasë, pranë uzinës së Pashalimanit, në Karaburun, Porto-Palermo si dhe në zonën e Dhërmiut, të cilat frekuentohen nga pushues. Specialistët pohojnë se një pjesë e konsiderueshme e municioneve janë të montuara me pjesën ndezëse apo dizgore, të cilët dhe pse kanë shumë vite në det janë në gjendje të mirë dhe mund të shpërthejnë nëse do të ngacmohen apo përplasen me mjete të forta. Por, ky fakt është mohuar nga prefekti i Vlorës, Xhevahir Rexhepi, sipas të cilit zyrtarisht është deklaruar se ato janë pa djegore. Gjithsesi ai deklaroi se një inspektim tjetër do të kryhet për të vendosur saktësisht mbi rrezikshmërinë e tyre.          q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›