E Diel, 1 Nëntor 2026

Racizmi që nga zezakët te Holokausti, deri në ditët e sotme

21 Marsi konsiderohet si Dita Ndërkombëtare Kundër Racizmit. Sociologia: “Racizmi gjithmonë u ka shërbyer interesave politikë”
Dita Ndërkombëtare Kundër Racizmit, 21 Marsi, synon zbutjen e këtij fenomeni në të gjitha kulturat dhe kontinentet. Krahas diskriminimit për shkak të ngjyrës, vihet re edhe diskriminimi i të huajve dhe migrantëve. Por çfarë është racizmi në thelb dhe pse është kaq i rezistueshëm? Monika Hoegen bisedoi me studiuesen gjermane, Christiane Morgenstern, që është e specializuar në aspektet shoqërore dhe politike të racizmit. Është një ironi e hidhur: Racizmi, i cili në thelb synon përjashtimin e tjetrit dhe të huajit vetë, është një fenomen që nuk njeh kufi. Si në kohën e kolonializmit europian e të tregtisë me skllevërve, ku zezakët tregtoheshin si njerëz të klasës së fundit, ashtu edhe në epokën e Rajhut të Tretë me Holokaustin, apo në gjenocidin në Ruandë - racizmi ka ekzistuar dhe ekziston në të gjitha epokat, kulturat dhe kontinentet. Por cilat tipare janë karakteristike për të, pavarësisht profileve të ndryshme të tij në botë? Politologia dhe sociologia gjermane, Christiane Morgenstern, ka për të një përkufizim: "Janë katër elementë, do të thosha unë. Njëri është se racizmi kryesisht kërkon t'i ndajë njerëzit në kategori, që do të thotë ndarje e shoqërisë në grupime të caktuara. Element tjetër është përkatësia e njeriut në këto grupime që në lindje. Elementi i tretë është që secilës nga këto kategori shoqërore i vishen cilësi të caktuara. Kjo lidhet me cilësi në sferën e mendimit, kulturës, shoqërisë apo karakterit, deri te temperamenti. Një lloj përcaktimi i tillë bën njëkohësisht vlerësimin e kategorive në një formë të caktuar". Sipas studiueses çdo njeri, po ta pyesësh, të përmend menjëherë tri ose katër të ashtuquajtura raca, por në realitet ato nuk ekzistojnë: "Që dikush ka ngjyrë tjetër kjo përcaktohet lehtë, po kufiri i kalimit nga një ngjyrë te tjetra nuk mund të përcaktohet dot. Kjo është biologjike, e nga pikëpamja shkencore e pamundur. Për këtë arsye thjesht ndarja në kategori të caktuara race është e gabuar". Morgenstern madje është e mendimit se pavarësisht se ku jetojnë, apo le të themi çfarë "raceje i përkasin", gati të gjithë njerëzit kanë të njëjtat kategori në kokë, të ndara në rangje, pavarësisht se sa të gabuara janë. "Megjithatë kjo ideologji raciste, siç e përcaktoj unë, është përhapur në mbarë botën, të çon te konkluzioni se ajo është eksport europian". Që një përhapje e tillë ka ndodhur, e verifikon thjesht në faktin që kudo në botë, kategoria e njerëzve të bardhë zë vendin më të lartë në ndarjen e rangjeve. Shembuj për këtë ka plot. Për shembull, ende është mjaft e përhapur një lloj ndjenje superioriteti e të bardhëve kundrejt afrikanëve. Si në të shkuarën edhe sot racizmi gjithmonë u ka shërbyer interesave politikë: "Për këtë arsye do të ngrija tezën dhe do ta mbroja në çdo kohë se racizmi gjithmonë u vlen atyre të cilët duan të tërheqin vëmendjen nga privilegjet e interesat e veta. Pra, si rregull, me ndonjë përjashtim, më së shumti ai u vlen atyre që kanë një interes të caktuar dhe që duan ta ruajnë atë, sepse ata përfitojnë". Me instrumentin e racizmit ia dilet mbanë që të ndahen individët me probleme sociale të shumicës nga minoritetet e një shoqërie. Fajtor për gjendjen e vështirë sociale, papunësinë, korrupsionin, trazirat etj., janë sipas vendit dhe epokës, kinezët, zezakët, turqit, hebrenjtë. Pra gjithmonë të tjerët dhe jo ata që kanë pushtetin në dorë, privilegjet e të cilëve mbesin të paprekura. Sipas studiueses Morgenstern, krahas racizmit të drejtpërdrejtë, ka edhe forma të ndryshme emocionale të racizmit, që merren që nga fëmijëria e reflektohen në forma të ndryshme. Këto mund të luftohen vetëm duke u vetëdijësuar.
(D. W.)

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›