Zëdhënësi i Kremlinit: Putin nuk do të marrë pjesë në funeralin e Prigozhinit

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka plan të marrë pjesë në funeralin e shefit të grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, i cili u vra javën e kaluar nga rrëzimi i avionit të tij.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha reporterëve se “nuk është parashikuar prania e presidentit [Putin].“
Sipas tij, presidenca ruse nuk ka informacion mbi planet për funeralin dhe kjo mbetet zgjedhje e të afërmve të Prigozhinit.
Trupi i shefit të grupit “Wagner” u gjet bashkë me 9 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit më 23 gusht në rajonin Tver, në veri të Moskës.
Në avion po udhëtonin Prigozhini dhe dy drejtues të lartë të grupit, si edhe katër persona që raportohet se punonin si rojat personalë të shefit të “Wagner”.
“Ka qenë burrë me një fat të vështirë dhe ka bërë gabime të rënda në jetë,” deklaroi presidenti Putin për Prigozhinin, me të cilin qe njohur në fillim të viteve ’90.
Prigozhini tentoi dy muaj më parë të rebelohej kundër qeverisë ruse për shkak të situatës me ushtarët e tij në Ukrainë, por Kremlini mohoi që urdhri për rrëzimin e avionit të ishte dhënë nga president Putin në shenjë hakmarrjeje.
Mediet lokale raportuan të martën se njëri prej viktimave, kreu i grupit për anën logjistike, Valery Chekalov, do të prehej në varrezën Severnoje të Shën-Pjetërburgut. /Reuters
/rtsh.al/