Beqja: “Në arkën e shtetit mungojnë 12.4 miliardë lekë”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, ka shprehur shqetësimin se po rritet deficiti i arkës së shtetit. Beqja deklaroi se mungojnë 12,4 miliardë lekë në arkën e shtetit.
Sipas tij, deficiti buxhetor në 5 muaj është 11,6 miliardë lekë dhe është tejkaluar me 55% nga programi i vetë qeverisë, ku është rritur me 6.3 miliardë lekë vetëm në muajin maj.
Deputeti socialist deklaroi se inflacioni në pesë muajt e fundit është rritur me 3.8%. “Në një kohë kur qeveria mburret se të ardhurat tatimore në total janë rritur me 3.5% krahasuar me një vit më parë, nuk mund të lihet pas dore fakti se inflacioni 5-mujor është 3.8%, pra sërish kemi të bëjmë jo me rritje, por me rënie të ekonomisë. Të ardhurat e TVSH-së nga mallrat e shërbimet brenda vendit është 10% më pak se një vit më parë. Kjo është dëshmia më kokëfortë se vendi është në krizë”, - tha Beqja. Sipas tij, tatimi i korporatave është pakësuar me rreth –9%, që do të thotë se korporatat po fitojnë më pak. Gjithashtu, sipas tij, të ardhurat e biznesit të vogël janë në rënie. “Jo vetëm korporatat e mëdha, por edhe bizneset e vogla, edhe të gjithë individët e punësuar në shtet apo te privati përjetojnë sot një situatë ekonomike të rrënuar”, - tha Beqja. Përsa u përket shpenzimeve për investime publike, deputeti socialist tha se ato janë 30% më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit 2009.
Dade: “Opozita e bashkuar do të vazhdojë betejën për transparencën e zgjedhjeve”
Deputetja: “Transparenca, për ta nxjerrë vendin nga procesi i manipulimit të zgjedhjeve”
PS: Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të arritur kompromisin për transparencën
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste ka rikonfirmuar kërkesën e saj për transparencën e zgjedhjeve të kaluara përballë qëndresës mosbindëse të maxhorancës. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, theksoi se mbi zgjedhjet e kaluara duhet të bëhet transparencë që të mos përsëritet krimi elektoral në zgjedhjet e ardhshme. Dy krerët e grupeve europarlamentare, Martin Shults dhe Zhozef Doul, ditë më parë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, i njoftuan dy forcat politike shqiptare se afati për zgjidhjen e krizës përfundoi. Ata shprehën shqetësimin që nuk mundën të ndihmonin në gjetjen e një kompromisi mes palëve.
Deklarata
“Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar do të vazhdojnë betejën për kauzën e transparencës. Rikonfirmojmë bindjen tonë se hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve janë jo vetëm kërkesa legjitime të bazuara në Kushtetutë dhe frymën europiane, por janë e vetmja mënyrë për ta nxjerrë Shqipërinë nga spiralja e zgjedhjeve që nuk plotësojnë standardet dhe për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë konform këtyre standardeve, ndërkombëtarisht të pranuara”, - u shpreh Dade.
Kompromisi
Deputetja Dade theksoi se me gjithë këmbënguljen e ndërkombëtarëve, kompromisi për të gjetur një zgjidhje për transparencën duhej të arrihej, por mungon vullneti i maxhorancës. “Shprehim keqardhjen që përpjekjet e ndërkombëtarëve për të kontribuar në zgjidhjen e krizës u përballën me kokëfortësinë e maxhorancës qeverisëse. Të gjitha pasojat negative që kjo krizë po u sjell proceseve integruese të Shqipërisë dhe shqiptarëve kanë vetëm një përgjegjës: Sali Berishën. Kanë ekzistuar të gjitha mundësitë që kriza të zgjidhej, dhe këto mundësi janë ende, duke respektuar Kushtetutën dhe transparencën, por pengesa e vetme është Sali Berisha. Tashmë të gjithë shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar e kanë plotësisht të qartë se Sali Berisha ka frikë nga transparenca. Frika nga e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit e bën atë të mos stepet edhe duke sakrifikuar integrimin europian të shqiptarëve dhe Shqipërisë, e të zvarrisë ashtu si deri më sot edhe vetë procesin e liberalizimit të vizave”.
19 Qershor 2010