E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëdhënësja e PD: Investimet e qeverisë në Vlorë, 600 milionë euro, 6 herë më shumë se qeveritë socialiste

28-04-2013 / Gazeta 55

PD: Nastradini në krye të Partisë Socialiste u tall me Vlorën dhe vlonjatët

Partia Demokratike hodhi poshtë dje akuzat e kreut të PS, Edi Rama se kryeministri Berisha dhe mazhoranca kanë lënë pasdore dhe kanë izoluar Vlorën. Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi tha se Edi Rama, në rolin e Nastradinit, zhvilloi estradën e radhës në Vlorë, duke promovuar platformën e Shqipërisë së gënjeshtërt dhe Vlorës së gënjeshtërt. “Sot, Nastradini në krye të Partisë Socialiste u tall me Vlorën dhe vlonjatët kur lëshoi broçkullën e radhës se, Vlora dhe e gjithë Labëria qenkan izoluar nga Berisha dhe se ai do t’i çlirojë ata nga izolimi. Rama ka të drejtë, sepse ai nuk e njeh dhe nuk e pranon Vlorën reale, por vetëm Vlorën e gënjeshtërt. Ai udhëtoi sot nga Tirana në Vlorë në autostrada me 4 korsi, përveç një segmenti të shkurtër prej 10 kilometrash dhe mbërriti atje në 1 orë e 40 minuta. Por për të, kjo është Shqipëria dhe Vlora e gënjeshtërt. Sepse sipas tij, Shqipëria e vërtetë dhe Vlora e vërtetë lidheshin me një rrugë plot xhunga e gropa, ku të dilte shpirti dhe të duheshin së paku 4 orë e gjysmë për ta përshkuar.
Rama sot bëri rolin e Nastradinit kur u tha vlonjatëve se Berisha i ka injoruar tërësisht, paçka se kur u nis për të drekuar tek dajo Kolekët arriti tek pronat e tyre përmes një rruge të standardeve europiane, që dajot e tij nuk e ndërtuan kurrë për 50 vjet. Vlora e sotme e Edi Ramës është Vlora e gënjeshtërt, sepse ajo ka një port dy herë më të madh se në kohën kur qeverisnin socialistët. Madje, vetëm pak kilometra nga Vlora e izoluar është dhe një port jahtesh ku janë parkuar edhe jahtet e disa deputetëve të tij”- u shpreh zëdhënësja e PD. Propagandën e Ramës dje në Vlorë e bënte akoma edhe më komike, fakti që, në krah të tij rreshtohej Shpëtim Gjika, ndërsa kreu i PS fliste për bllokimin e të gjitha ndërtimeve pa leje. “Rama gajasi vlonjatët kur u zotua se do të bllokonte të gjitha ndërtimet pa leje në Vlorë, duke pasur në krah Shpëtim Gjikën, autorin e vetëm të betonizimit të bregdetit të Vlorës, me firmën e të cilit janë ndërtuar pallatet dhe vilat e deputetëve socialistë”. Investimet e Partisë Demokratike në Vlorë janë mbi 600 milionë euro, 6 herë më shumë se qeveritë socialiste. “Çdo vlonjat e di që investimet e Partisë Demokratike në Vlorë, në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës e kanalizime, në rrjetin energjetik dhe energji, në fermat dhe fermerët, në shkolla, spitale dhe qendra shëndetësore, janë mbi 600 milionë euro, që do të thotë 6 herë më shumë se qeveritë socialiste dhe se në mandatin e ri, Vlora do të shndërrohet në perlën e perlave turistike të Mesdheut”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›