E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zef Gjeta, karakteri i dyzuar i humnorit shkodran

Autori i Lajmit: Red.
Nuk mund të ketë asnjë shkodran që të mos jetë i lidhur me humorin, ketë zhanër sa të vështir aq edhe fisnik. Të rritesh mes të qeshurës dhe dashurisë për të bukurën patjetër që do trashëgosh diçka. Kështu ka ndodhur edhe me personazhin tonë Zef Gjetën, i cili të gjithë dashurinë për humrin e ka shkruar në librat e tij. Ka botuar shumë vëllime me barcaleta dhe vazhdon edne të punojë për të sjellë sa më shumë gjëra të bukura nga humori shkodran

Në fillim të intervistës, a mund të na thoni dy fjalë për veten?
Është kënaqësi kur media të jep mundësinë, të krijon hapësirën për të komunikuar me të tjerët dhe kjo sa në mënyrë individuale aq edhe masive. Pyetja juaj është logjike dhe relativisht e thjeshtë për ju, por mua ma komplikon disi mendimin. Kjo sepse të flasësh për vete nuk është e lehtë për ne shqiptarët: kur na jepet rasti ta bëjmë këtë ose e nënvleftësojmë ose e mbivlerësojmë veten. Në këtë kuptim, unë do të përpiqem që të them shkurtimisht: Jam diplomuar për agronomi në vitin 1990, kam punuar për disa vjet si kërkues shkencor pranë Institutit të Misrit dhe të Orizit në Shkodër, më pas kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve të ndryshme në vendin tonë, ku jam përpjekur të jap kontributin tim modest në zhvillimin rural të vendit. Në të njëjtën kohë nuk i jam ndarë për asnjë çast humorit, jam përpjekur që të kem marrëdhënie sa më të mira me këtë gjini mjaft të njohur dhe të dashur për njerëzit.
Ju jeni nga qyteti i Shkodrës, si ndjeheni në Tiranë?
Është e vërtetë, unë kam lindur e jam rritur në Shkodër, por prej më shumë se dhjetë vjetësh banoj në Tiranë. Me Tiranën jam i lidhur prej kohësh, jo vetëm pse këtu kam përfunduar shkollën e lartë, por sepse kryeqyteti është një ëndërr për çdokënd që nuk jeton aty. Unë mund ta konsideroj veten si të ingranuar mjaftueshmërisht mirë me jetën në Tiranë, por megjithatë ka mjaft gjëra që njeriu dëshiron dhe lufton për t’i arritur. Unë kam një shtëpi timen, ku jetoj me familjen dhe një rreth miqësor që më jep kënaqësi, “komoditet” dhe ndjesinë e familjaritetit. Megjithatë, sa herë që kur jam në Shkodër e dikush më pyet se ku punoj, u përgjigjem: “Jam emigrant ekonomik në Tiranë”. Dhe kjo është jo për statusin që kam, por për faktin se jeta në Tiranë është bërë shumë aktive, nga çdo njeri kërkohet të punojë më shumë, të vrapojë më shumë. Kam edhe një disavantazh tjetër: një miku im i mirë më thotë: “Unë kam arsye pse nuk vij në Tiranë. Jetoj në Shkodër, por së paku një herë në muaj kam mundësi të vizitoj një kryeqytet europian”. Më thotë kështu sepse ai edhe pse në moshë mbi 70-vjeçare, vjen së paku një herë në muaj në Tiranë, kurse unë mund të shkoj një ose dy herë në vit në një kryeqytet europian.
Ju jeni i martuar dhe keni fëmijë?
Po, që në fëmijërinë e hershme kisha dëgjuar: “Kush ngrihet shpejt dhe kush martohet shpejt nuk del i humbur”. Jam martuar me Mimozën, me të cilën kemi qenë bashkëstudentë dhe kemi dy fëmijë Donaldin dhe Klaudian. Nuk e di pse po më kujtohet një anekdotë që thotë pak a shumë: “Ngrihet një kryefamiljar herët dhe duke ecur në rrugë gjen një portofol plot me para. Kthehet në shtëpi dhe me të bërtitura e ngre të birin nga gjumi. – A e shikon ç’a gjeta, vetëm pse jam ngritur herët, kurse ti gjumash vazhdon të flesh. – Mos u ngut kaq shumë, baba, - ia ktheu i biri, - është ngritur më herët ai të cilit i ka humbur portofoli”. Në këtë kuptim mendoj se martesa është e mirë në çdo kohë, me kusht që ajo të vijë natyrshëm. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm për të cilët në librin “Formuesi” u kam bërë këtë dedikim: “Për fëmijët e mi, Donaldi dhe Klaudia që kujdesin prindëror e shpërblejnë me rezultate të shkëlqyera në mësime”, të cilin mendoj se e meritojnë plotësisht
Në përgjigjet tuaja duket sensi i humorit...
Është një “huq” i hershëm, i cili vjen nga origjina e familjes, e qytetit dhe ambjentit ku jam rritur, si dhe nga kultivimi i kësaj gjinie. Për mua kanë qenë të gjithë këta faktorë në favor, pasi në familjen tonë gjithmonë ka patur ambient gazmor, njerëzit bënin shaka si me njëri-tjetrin ashtu edhe me mysafirët që në vogëlinë time ishin thuajse të përnatshëm në shtëpinë tonë. Por edhe ambjenti ku jam rritur, Shkodra është një vend shumë bujar, që u jep bijve të vet gjithshka nga vetja, që u jep atyre shumë sens të humorit. Më kujtohet një ngjarje e ndodhur aty nga viti 1998, kur në Shkodër erdhi një grup ekspertësh të Shoqatës Botërore të Konsumatorit. Njëri prej tyre ishte nga Liverpuli, dhe pasi vizitoi disa vende të përzgjedhura të qytetit dhe psikologjisi njerëzit më tha: “Shkodra më duket plotësisht si Liverpuli: bie shumë shi, ka shumë biçikleta, njerëzit kanë humor, janë të çiltër dhe meraklinj!”
Si lindi tek ju dëshira për t’u marrë me humorin e shkruar?
Krejt natyrshëm: duke parë të shfaqet liria e shtypit, njerëzit filluan të botojnë “gjithshka”. Por, në këtë mori, më dukej se mungonte humori shkodran, i çiltër, shpërthyes dhe karakteristik. Për këtë arsye, fillova të konsolidoj mendimin për të mbledhur, shkruar dhe për t’ia dhënë publikut si humorin e viteve të shkuara, ashtu edhe atë bashkëkohor. Kështu, duke mbledhur rreth vetes dhe bashkëpunuar me krijuesit më në zë të qytetit të Shkodrës filloi botimi i gazetës. Që në numrin e parë u prit shumë mirë dhe miqtë e mi botues, ishin të surprizuar që thuajse ishte shitur i gjithë tirazhi. Gradualisht filluan të shtohen edhe bashkëpunotëroët dhe krijues të ndryshëm, shqiptarë që nga Australia e Amerika e largët, por edhe nga Europa e vendet përreth, e nga të gjithë krahinat e vendit, filluan të dërgojnë krijimet e tyre, të cilat zunë vend në faqet e kësaj gazete. Kjo tregonte se njerëzit kishin gjetur atë që u mungonte, humorin e vërtetë.
Dhe tek “Humor Shkodran” keni botuar gjithë humorin e kaluar (të trashëguar) dhe atë bashkëkohor?
Do të ishte e pamundur! Arsyeja e parë dhe shumë domethënëse është se në Shkodër jo çdo ditë, por në çdo moment lind apo “shpërthen” një qelizë humoristike, një ndodhi e cila mund të kalojë gojë më gojë e të bëhet popullore. Por, në ndryshim nga humori komercial dhe pa shumë vlera, barcaleta shkodrane ka fabul brenda vetes, ka një kuptim pas së qeshurës, është domethënëse. Gjëja më e keqe në këtë botë është të qeshurit sa për të qeshur, qeshja apo buzëqeshja vetëm sa për sy e faqe, sepse qeshin edhe të tjerët apo sepse kështu duan të tjerët. Në të kundërt, humori shkodran është me mendim, edhe ata që nuk bëjnë shumë përpjekje për ti fiksuar barcaletat, ato mund tu kujtohen për shkak të mendimit që bartin. Dhë në plotësim të përgjigjes për pyetjen tuaj, mund të them me bindje të plotë që humori në Shkodër është i natyrshëm, lind si nga profesionistët ashtu edhe spontanisht, nga njerëzit e thjeshtë. Asnjëri nuk habitet, kur në një tavolinë të një kafeje, ku ndodhet qoftë edhe një shkodran, të pranishmit të shpërthejnë në të qeshura me zë të lartë. Kjo vjen jo aq për shkak se është treguar një anekdotë apo barcaletë e njohur, por kryesisht sepse aty ka dalë spontanisht një përgjigje, është krijuar një atmosferë gazmore, ka dalë një shpehje që i ka bërë të pranishmit të shpërthejnë në të qeshura.
Ju si botues, si i keni patur marrëdhëniet me bashkëpunëtorët e gazetës?
Mund të them se marrëdhëniet me krijuesit e mrekullueshëm të humorit i kam patur dhe i kam shumë të mira. Me shumë prej tyre vazhdoj të mbaj lidhje miqësore, i thërras dhe më thërrasin në promovimet e librave apo në festa të tjera që kanë lidhje me krijimtarinë. Madje, mund të them se gazeta shërbeu si stimul për mjaft nga krijuesit, të cilët dellin krijues të tyre e përdorën fillimisht për materiale për gazetën, por gradualisht i mblodhën ato dhe kanë tashmë librat e tyre të botuar. Për shkak të vështirësive që paraqet fusha e botimit, ata i botuan në tirazhe relativisht të vogla, por fakti është se këta libra nuk i gjen dot në librari, sepse janë tërhequr nga lexuesit.
Por edhe ju keni botuar tashmë disa libra në fushën e humorit?
Është e vërtetë, botimin e librave në fushën e humorit e kam filluar që kur dilte gazeta, sepse mendoj se libri ka një dimension tjetër, është më jetëgjatë dhe më i përdorshëm se sa gazeta. Kështu, ndryshe nga gazeta, kur lexuesit i pëlqen diçka e shkruar në formën e librit, ai ka mundësi ta rilexojë, pasuron bibliotekën personale dhe mund ta këmbejë apo ofrojë për ta lexuar edhe te miqtë e tij. Kështu që fillova me një libërth të quajtur “Barcaleta xhepi”, në të cilin ishin përmbledhur disa nga barcaletat më pikante të kohës. Më pas kam vazhduar me dy libra të tjerë, krijime, njëri me tregime dhe skica humoristike, kurse tek tjetri kam përmbledhur një sërë fabulash dhe poezish humoristike të cilat janë pritur mjaft mirë.
A mund të më thuash ndonjë prej tyre?
Natyrisht, unë i mbaj mend të gjitha ato, por njëra prej tyre thotë: “Të moçmit tanë të zgjuar/ një fjalë na kanë mësuar:/ në të thënë e në të bërë/ shkon në mes një lum’ i tërë./ Kohët kanë ndryshuar/ dhe shprehja është adoptuar/ kësaj pune iu gjet dermani/në vend të lumit është oqeani!”. Kjo është vetëm njëra, por aty janë përmbledhur krijime të kësaj natyre: koncize, me rimë, që merren me një çështje të caktuar dhe që japin një mendim.
Po për botimet e tjera ç’mund të më thoni?
Pas këtyre, kam botuar “Barcaleta pa fund”vëllimin e parë, në të cilin janë përmbledhur 1200 barcaleta, të përzgjedhura dhe të ndara në rubrika. Këto janë barcaleta të treguara në mënyrën time, por libri është i lexueshëm nga të gjitha moshat dhe në ndryshim nga të tjerët e kësaj fushe, paraqet dy karakteristika: nuk është politik dhe nuk është banal. Unë mendoj se banaliteti dhe vulgariteti nuk kanë asgjë të përbashkët me humorin. Përkundrazi, sa herë dikush që bën humor bie në vulgaritet, apo në banalitet, ia ul vlerat në mënyrë të konsiderueshme. Nga ana tjetër, megjithëse humori është një gjini shumë e dashur për publikun, ky i fundit ka dëshirë ta dëgjojë, ta shikojë të interpretuar, dhe është pak larg atij të shkruar. Kur shkruhet humori, kërkon pasion, mjeshtëri dhe stil, përndryshe ka mundësi që ta bësh lexuesin e librit tënd një “armik”, i cili të zhgënjehet nga ajo pritshmëri e madhe që ai kishte. Për këtë arsye, i kam kushtuar shumë rëndësi përzgjedhjes së barcaletave, mënyrës së të shkruarit, dhe përgjithësisht jam treguar “i matur” në zgjedhjen e kategorive të personazheve të barcaletave. Ndaj, mendoj se barcaletat e përmbledhura në botimet e mia janë të këndshme, të pranueshme dhe për të cilat publiku e ka thënë fjalën e vet tashmë. Por kam botuar edhe një vëllim me tregime dhe ese të titulluar “Nga goja tek veshi” dhe librin “Formuesi” ku janë përmbledhur lojëra zbavitëse, pyetje logjike dhe elementë të tjerë, të cilët lexuesi mund t’i përdorë si mjet për të kaluar sa më këndshëm kohën e tij të lirë.
Ky titulli “Barcaleta pa fund” më duket intrigues, a ka ndonjë arsye pse e ke përdorur këtë?
Natyrisht që ka. Siç mund ta mendoni, barcaleta është pjesë e jetës sonë të përditshme, kur njerëz që kanë apo jo talent në këtë fushë, përpiqen të tregojnë në mënyrën e tyre me qëllim që t’i japin ambientit një atmosferë sa më të këndshme. Vetë njerëzit krijojnë situatë të këndshme pafundësisht, kopjojnë apo imitojnë, ritregojnë apo adaptojnë situata humoristike pafundësisht. Mendoj se nuk është e lehtë që këto të grumbullohen, përpunohen e botohen. Për këtë arsye, sado që të botoj mendoj se kjo do të jetë një punë e “pa fund”. Tashmë kanë dalë dy vëllime të “Barcaleta pa fund” dhe një i titulluara “Gicilime fëminore”, ku janë sistemuar barcaleta për moshën fëminore dhe adoleshentët.
Mund të konsideroheni si i dyzuar: specialist i bujqësisë dhe në qarqe akademike, por njëkohësisht mjaft i njohur në fushën e humorit, si e spjegoni këtë? Çfarë lidhjesh ekszistojnë tek ju?
Kjo lidhja sa e çuditshme është edhe krejt normale. Unë jam diplomuar për agronomi, por edhe e dua profesionin tim. Nga ana tjetër siç spjegova edhe më lart kam qenë e jam shumë i lidhur me humorin. Për pasojë, kjo lidhje është natyrale dhe mund të them se kanë ndihmuar njëra-tjetrën. Kjo sepse vetë kategoria e njerëzve që punojnë në bujqësi (sidomos specialistët) kanë një botë të madhe, vetë fusha e bujqësisë të krijon një hapësirë shumë tërheqëse dhe të “përfshin” në vete duke të krijuar një gjendje shpirtërore të mirë. Nga na atjetër, humori vetiu të bën më aktiv, më të pranueshëm dhe më efektiv në punë. Kështu që, këto dy fusha më kanë bërë “nder”, duke u ndërthurur në mënyrë organike dhe të çuditshme.
Cila është shprehja juaj e preferuar?
Kam mjaft, por ndoshta po them nja dy. E para: “Humori është gjëja më serioze që mund të bëjë njeriu në jetë!”, ndërsa e dyta të cilën e kam dëgjuar nga i madhi D. Agolli: “Burra të lodhur si shtretër lumejsh, gra të keqtrajtuara si anekdota!”. Që të dyja kanë kuptim të thellë dhe pëlqejnë aq shumë sa i përsëris në ambjente të ndryshme, dhe njerëzit e mij të afërt që i kanë dëgjuar shpesh, i dinë ato po aq mirë sa unë.
Cili nga librat tuaj vlerësoni më shumë?
Për çdokënd që shkruan, nuk është e lehtë të bëjë difernecime për botimet e tij, por unë mund të them se më shumë vlerësime kam marrë për vëllimin e parë “Barcaleta pa fund” dhe për “Menaxhimi i Ciklit të Projekteve”. Megjithatë, e theksoj se ky është vlerësim relativ duke u bazuar kryesisht në vlerësimet direkte që më kanë dhënë miqtë e afërt dhe lexuesit e thjeshtë që kam takuar. Një vlerësim më real e bën vetë lexuesi, i cili është i shumtë në numër dhe unë e kam të pamundur që ti kontaktoj të gjithë.
Gjithë kjo krijimtari, a është vlerësuar me ndonjë çmim?
Ah, është një pyetje shumë “rrënqethëse” për mua. Nuk kam marrë asnjë çmim fletë nderi apo lavdërimi (sa për shaka). Mendoj se vlerësuesit e krijimtarisë në Shqipëri kanë qënë shumë të zënë në zyrat e tyre dhe nuk kanë patur mundësinë të lexojnë dhe të vlerësojnë krijimet e vërteta. Fatkeqësisht nuk ka shumë ngjarje apo “sebepe”, ku të bëhen vlerësime të krijimtarisë, por edhe kur këto bëhen, janë ndërtuar mbi baza të njohjes së ngushtë personale dhe në përgjithësi kanë “politikën” e tyre në vlerësime. Por, unë ndjehem shumë i vlerësuar nga lexuesi. Thuajse nuk ka ditë që të mos marr urime në rrugë apo në kafene, në zyra apo edhe nëpërmjet telefonit nga njerëz që i kanë lexuar librat e mij. Kam qënë i ftuar në biseda të ndryshme, si në shkollat ku mësojnë fëmijët e mij, ashtu edhe në auditore të tjera, të cilat më kanë dhënë mundësinë të ndaj mendimet me shumë pjesëmarrës, por edhe të marr prej tyre opinione dhe vlerësime të cilat më kanë shërbyer si motivim për të ecur akoma më përpara.
Si është bashkëpunimi juaj me mediat?
Ka patur ulje-ngritjet e veta, pasi në përgjithësi media është e prirur pas lajmit, pas asaj që është konsum i shpejtë, tipi “fast-food”. Për këtë arsye, mendoj se intervistat në gazeta, shkrimet e ndryshme që janë botuar për aktivitetin tim, si dhe ftesat në studiot e radiove dhe televizorëve më kanë dhënë mundësinë që të jem afër me mediat. Nga ana tjetër unë e shikoj median në mënyrë realiste: nuk i përkas asaj kategorie që kërkon që çdo cep i gazetës të jetë konceptuar sipas shijes së lexuesit. Kjo do të ishte e pamundur pasi media, krahas misionit të përçimit të lajmit, të problematikës, të mesazhit dhe të opinioneve, ka për detyrë që të gjejë edhe format për mbijetesën e vet. Për këtë arsye, në një gazetë lexuesi mund ta blejë dhe aty të kërkojë vetëm një artikull. Nëse një lexues i zakonshëm i shtypit gjen aty më shumë se një artikull interesant, atëherë mendoj se kjo gazetë ia ka arritur qëllimit.
Pra, ju mendoni se media është në rrugë të drejtë?
Në jëtë gjërat nuk janë të prera me thikë, dhe mendimet nuk mund të jenë relative. Për mendimin tim, është mirë që kemi një numër të konsiderueshëm titujsh të periodikëve, por për fatin e keq, ato dalin me një tirazh relativisht të ulët, por në mjaft raste niveli i tyre nuk është ai që do të dëshiroja. Natyrisht që ky duhet marrë vetëm si vlerësim individual, pasi çdonjëri ka vlerësimin e vet për këtë çështje.
Lidhja juaj me politikën?
Unë, ashtu si shumica e shqiptarëve mund të konsiderohem si njeri apolitik, por edhe si njeri politik në të njëjtën kohë. Kur them se konsiderohem apolitik, dua të tregoj se unë nuk jam pjesë aktive e politikës në vend. Por kur them se jam politik, dua të them se çdokush në Shqipëri është nga pak politik. Kjo sepse duke qënë një vend i vogël, çdo vendim, iniciativë apo proces i ndërmarrë ka ndikim direkt në jetën e popullatës. Megjithatë, unë mendoj se akoma nuk është konsoliduar “lobi” i reagimit qytetar, dhe në mjaft raste jemi aq indifferent sa habitemi edhe vetë. Gjatë një mandate qeverisje në vendin tonë, ndodhin aq shumë skandale dhe probleme artificiale të keq qeverisjes, sa vetëm për një të dhjetën e tyre, në një vend perëndimor, qeveria do të binte nga reaksioni qytetar. Kurse këtu, për fatin e keq, akoma jemi mjaft larg në këtë drejtim.
Po tani me se po merreni?
Me punë! Fitoj bukën e përditëshme për vete dhe për familjen time. Por krahas kësaj, nuk i ndahem krijimtarisë, nuk mund të rri pa shkruar. Kam në dorë vëllimin e tretë të “Barcaleta pa fund”, dhe një draft të një libri të fushës së bujqësisë. Por, dua të tregoj se jam në përfundim të një libri për zonën e Dukagjinit – zemrën e Alpeve Shqiptare. Ka qënë ëndrra ime e kahershme që të bëja diçka për këtë zonë dhe mendoj se ky libër do të jetë një kontribut. Në të janë përmbledhur historia, tokëformimi, peisazhi, popullësia, kultura, doket, zakonet, mitet dhe legjendat, ekonomia, disa nga figurat e zonës, si dhe do të ketë një pjesë ku shpalosen disa ide apo prioritete mbi bazën e të cilave mund të zhvillohet zona në të ardhmen.
Pra, do të jetë një libër voluminoz!
Ky është viti i katërt, që unë po punoj për këtë libër. Më kanë ndihmuar edhe mjaft miq dhe të afërt dhe tashmë jam në përfundim. Duke përmbledhur gjithë fushat që përmenda si dhe tabela me të dhëna, grafikë dhe shumë fotografi, mendoj se do të jetë vërtetë një libër voluminoz, por që kjo zonë e meriton të ketë një libër të tillë.
A mendoni se ia keni arritur qëllimit me botimet tuaja?
E vërteta është se para disa vjetësh, do të mendoja se numri i botimeve të deritanishme do të ishin mjaft për gjithë jetën e një njeriu. Por kjo punë nuk ka receta: duke punuar dhe duke mos u lodhur nga ajo që bën, përkundrazi duke gjetur kënaqësi, nuk ka pse njeriu të vërë vetes qëllime të pakta apo të vogla. Në këtë rast, njeriu mund të aspirojë për gjera gjithnjë e më të mëdha, për krijime gjithnjë e më të arrira.
Pra, ne duhet të presim botime të tjera së shpejti?
Siç e thashë, nuk është se unë kam një limit të vendosur nga dikush për kohën apo fushën e botimit. E rëndësishme është që unë do të përpiqem të vazhdoj me të njëjtin ritëm duke sjellë tek lexuesi gjera të këndëshme, të pranueshme dhe të pëlqyeshme prej tyre.
Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›