E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtohen nga puna, protestojnë 300 punëtorët e firmës së këpucëve

Autori i Lajmit: Red.
Pushohen nga puna rreth 300 punëtorë të ndërmarrjes së këpucëve “Green Shoes” në Shkodër. Në momentin që kanë marrë vesh lajmin e hidhur ata sapo kanë nisur një grevë dyorëshe para prefekturësnë Shkodër. Duke e konsideruar të padrejtë shkurtimin nga puna protestuesit kanë kërcënuar se nëse nuk do të rikthehen në punë ata do të përshkallëzojnë protestën deri në grevë urie. Nga ana e tyre punëdhënësit thonë se ndërprerja e marrëdhënieve të punës lidhet me aktivitetin aktual të ndërmarrjes. Pritet që me zgjerimin e aktivitetit të saj, ata do të rikthehen përsëri në punë. Punëtorët e kanë nisur protestën menjëherë sapo janë njohur me listën. Rreth 300 punëtorë e kanë nisur protestën para Prefekturës, ku qëndruan më shumë se dy orë. Sipas tyre, shkak për largimin nga puna është pikërisht greva që kanë bërë dyjavë më parë. Përveç garancisë për qëndrimin në punë, një ndër nga pikat e asaj greve ishte dhe përmirësimi i kushteve. “Ne bëmë grevë para 2 javësh për shkak të kushteve jo të mira në punë dhe vonesave në dhënien e rrogës. Nuk kaluan shumë kohë, dhe pikërisht ne që ishim në grevë, na u komunikua largimi nga puna”, tregojnë punonjësit. Të larguarit nga puna akuzuan drejtuesit e Konfederatës e Sindikatës së Pavarur, që sipas tyre nuk përkrahin punëtorët, por punëdhënësit. Ata i kanë kërkuar prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu të ndërhyjë në zgjidhjen e problemit. Nëse nuk do të gjendet zgjidhja, 300 punonjësit paralajmërojnë nisjen e grevës së urisë. Nga ana tjetër drejtuesit e ndërmarrjes “Green Shoes” e argumentojnë largimin nga puna të 300 punonjësve me problemet që po kalon ndërmarrja dhe se ndërprerja e marrëdhënieve është konform ligjeve e Kodit të Punës. Për ta, akuza se janë pushuar nga puna për shkak të grevës, nuk qëndron. “Largimi nga puna është bërë në varësi të procesit të punës që kryenin punonjësit, aftësisë dhe vjetërsisë në punë. Nëse rritet volumi i punës, ata mund të rikthehen sërish në punë”, shtojnë drejtuesit e ndërmarrjes. Protesta u zhvillua e qetë, ndërsa në fund të saj organizatorët pohuan se qëndrimi i mëtejshëm është në vartësi të zgjidhjes së kërkesave. “Green Shoes” u inaugurua 7 muaj më parë, me prezencë dhe të Kryeministrit Berisha. Largimi nga puna i rreth 300 punonjësve të kësaj ndërmarrje, e shton më tej papunësinë në Shkodër. Sipas statistikave zyrtare, në këtë qytet numri i të papunëve është 30 mijë.

Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›