E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vdekja e presidentit të Top-it, Dritan Hoxhës

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zbardhet e gjithë skema e aksidentit tragjik në të cilin humbi jetën presidenti i “Top Medias”, Dritan Hoxha si dhe Entela Hysko. Policia e kryeqyteti dje ka bërë të ditur se, grupi i hetimor ka zbardhur dhe plotësuar të gjithë skemën, që i mori jetën 40-vjeçarit Hoxha dhe 27-vjeçares Hysko.
Burimet zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se, “nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje të rëndë aksidentale, pasi kanë përpiluar me detaje të gjithat vendimet dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë zbardhur të plotë mekanizmin e ngjarjes”. Aksidenti tragjik ndodhi pak ditë më parë, në orën 01:50 minuta në Bulevardin “Bajram Curri”, përballë studiove të kompanisë mediatike që drejtonte i ndjeri Hoxha.
Mekanizmi i aksidentit
Policia e Tiranës duke shpjeguar mekanizmin dhe rrjedhën e ngjarjeve tha se, “automjeti tip “Ferrari”, i drejtuar nga Hoxha, duke qarkulluar në segmentin rrugor në drejtimin ura “Vasil Shanto”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në rrugën e “Bajram Curri”, ka dalë nga rruga duke hipur në trotuarin e krahut të majtë të kësaj rruge dhe ka vazhduar lëvizjen duke goditur dy shtylla ndriçimi në trotuar si dhe tre pemë të reja dekorative. Më pas ka vazhduar lëvizjen, në gjendje të pa kontrolluar 56.8 metra me një gomë në lulishten anësore të rrugës dhe goma tjetër, ajo e krahut të djathtë të mjetit në trotuar. Automjeti ka vazhduar lëvizjen dhe në ato momente nga drejtuesi i mjetit, janë ngritur frenat e dorës, sepse shfaqen qartë gjurmët e frenimit të gomave të prapme të mjetit, duke bërë një rrotullim të lehtë të mjetit, nga lindja drejt veriut”. Ndërkohë, sipas policisë, “goma e prapme e krahut të djathtë është takuar me bazamentin mbajtës të shtyllës së dytë të goditur, dhe më pas është vazhduar lëvizja përreth 18.5 metra, duke u përplasur me pemën dekorative me perimetrin e saj 3.1 metra në lulishte, e cila ishte e zhvendosur nga buza e trotuarit përreth 1.2 metra. Gjatë momentit të goditjes së makinës tip “Ferrari” me pemën, nga forca e madhe e automjetit është ndarë në dy pjesë, ku pjesa e prapme e mjetit ka qëndruar në afërsi të pemës, ndërsa pjesa e përparme ka vazhduar përreth 21.8 metra, duke qëndruar në anësoren e lulishtes. Si pasojë e kësaj goditje të rëndë, kanë gjendur vdekjen e menjëhershme të dy personat që ndodheshin në këtë mjet.
Shpejtësia
Makina “Ferrari”, është një mjet i shpejtësisë së lartë dhe elektronik, kjo tregon se të gjithë treguesit e kroskotit në momentin e goditjes qëndrojnë të pandryshuar, ku shpejtësia e goditjes me pemën ka mbetur 170 km në orë”. Policia ka theksuar se, fillimi i aksidentit ishte përreth 76.1 metra më përpara, mendojmë se shpejtësia ka qenë akoma më e madhe, sepse ka vepruar gjatë kësaj hapësire edhe sistemi i frenimit dhe freni motor. Në këtë kuadër, nga ekspertët dhe grupi hetimor i formuar i ngritur, për këtë qëllim është dalë në përfundimin se, shkaku i ndodhjes së këtij aksidenti është humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit, si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara nga ana e drejtuesit të mjetit.

Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›