Zelensky kërkesë NATO-s: Kemi nevojë për sinjale të qarta për anëtarësimin e Ukrainës

Ukraina po kërkon një tregues të qartë nga NATO në samitin e javës së ardhshme në Vilnius se mund t’i bashkohet aleancës ushtarake kur të përfundojë lufta.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar ndërmarrjen e hapave konkretë për anëtarësimin në NATO në samitin e javës së ardhshme.
Zelensky tha se Ukrainës i duhej shumë më tepër sesa deklarata e përgjithshme se dera e NATO-s ishte “e hapur”.
“Po flasim për një sinjal të qartë, disa gjëra konkrete në drejtim të një ftese. Ne kemi nevojë për këtë motivim. Ne kemi nevojë për ndershmëri në marrëdhëniet tona”, tha Zelensky gjatë një vizite në Pragë ku mori mbështetje nga presidenti çek për ofertën e Kievit për t’u bashkuar me aleancën.
Ukraina dëshiron të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por anëtarët e NATO-s janë të ndarë në lidhje me atë se sa shpejt duhet ndërmarrë ai hap. Disa vende anëtare janë të kujdesshme ndaj lëvizjeve për të cilat kanë frikë se mund ta çojnë aleancën më pranë një lufte aktive me Rusinë.
/rtsh.al/