Zemra e tij nuk rreh më
Kur doli nga salla e operacionit, Marina kaloi në të njëjtin korridor ku dëgjoheshin të qarat e foshnjave që sapo kishin ardhur në jetë. Për fat të keq, i kishte ndodhur diçka e tmerrshme. ëndrra për të përqafuar foshnjën e saj kishte marrë fund shpejt, pikërisht në javën e dhjetë të shtatzënisë, për shkak të një aborti spontan. Që kur mbeti shtatzënë kishte pasur probleme: ndonjëherë rrjedhje gjaku, disa kohë qëndroi në regjim shtrati, pastaj sërish rrjedhje gjaku, dhembje të forta e të tjera shqetësime. Në këto kushte, gjinekologut të saj nuk i mbetej gjë tjetër veçse t’i jepte lajmin e hidhur pacientes: zemra e bebit nuk rrihte më. Ajo e kishte humbur foshnjën, që shkenca e quan embrion ose fetus, kjo nuk ka shumë rëndësi. Për të mbetej i vogli i saj, ai që do ta ushqente, përkëdhelte, do ta rriste me shumë dashuri, deri sa të bëhej i/e madh/e.
Gjithçka kishte ndodhur papritur, pa një arsye të veçantë, në mënyrë spontane. Sigurisht që ndodh, madje rastet janë të shumta. Tashmë për doktorët ky është një fenomen i zakonshëm, që prek gratë në muajt e parë të shtatzënisë dhe rreziku rritet me moshën e femrave. Në pjesën më të madhe të rasteve (80 për qind) ndodh gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë, pra para se fetusi të hyjë në muajin e tretë.
Marina nuk ishte vetëm, përkundrazi. Por në atë repart, ku e vendosën të pushonte pranë një nëne që po ushqente me gji për herë të parë foshnjën e saj, në një dhomë ku gratë bënin projekte dhe përqafonin bashkë me burrat bebet e tyre, ndihej më e vetmuar se kurrë, edhe pse i shoqi i shtrëngonte duart dhe i premtonte që do ta provonin shumë shpejt sërish.
Të trajtohesh dhe të kurohesh në maternitet nuk është vetëm një torturë që sjell me vete aborti. Vetë fenomeni ndikon negativisht si në gjendjen fizike ashtu edhe në atë psikologjike. Kësaj i shtohet edhe ndjeshmëria e pakët e personelit mjekësor, që shpeshherë e trajton rastin (atyre që u ndodh u lëviz toka nën këmbë) si një incident të vogël, nga i cili mund të shërohesh shpejt dhe ta harrosh.
“Shkoni bëni disa ditë pushime”, ishte komenti i një infermiereje, që iu drejtua Lizës, një grua 32 vjeçe, e cila kishte kryer abortin e pestë. “Një doktor anglez, tregon Sara, 39 vjeçe, tri aborte para se të sillte në jetë vajzën e saj, ndërsa isha në sallën e operacionit, pa kartelën time klinike dhe tha: ‘Foshnja juaj është ende gjallë? Në fakt ishte deri para një jave’”. Një pandjeshmëri pa kufi, por për fat të keq jo e rrallë për femrat, të cilat kanë jetuar drama të tilla. E njëjtë me atë të gjinekologut që i tha Elisabetës të mos provonte më, pasi kishte kryer shumë aborte dhe nuk do të arrinte të mbetej shtatzënë. Nuk ndryshon nga rastet e lartpërmendura, por ekstrem është edhe ai i Angie Baker, 33 vjeçe nga Britania, e cila kishte 13 vjet që përpiqej të çonte deri në fund një shtatzëni, por kish bërë 18 aborte spontane, ndërkohë që në tentativën e 19 lindi vogëlushja Raja.
Të hedhësh pas krahëve një abort, ose shumë aborte, nuk është aspak e thjeshtë, madje shpeshherë rrezikohet stabiliteti i marrëdhënies së çiftit. Në fakt nuk janë të rralla rastet e meshkujve, që pasi e kanë parë nga afër vuajtjen e bashkëshortes dhe kanë përjetuar tmerr bashkë me të, nuk arrijnë të mendojnë që të jetojnë sërish të njëjtin ankth dhe si pasojë nuk dëshirojnë të provojnë më. Të paktën jo menjëherë, duan pak kohë që të marrin veten. Gjinekologët thonë se nga pikëpamja mjekësore, kur femrës i rikthehet cikli menstrual, rreth 30-50 ditë pas abortit, mund të provojnë sërish që partnerja të mbetet shtatzënë, por fillimisht duke bërë një vizitë gjinekologjike. Megjithatë vështirësitë që duhen kaluar nuk janë vetëm të karakterit mjekësor. Ato lidhen kryesisht me gjendjen psikike dhe emocionale, sidomos të femrës dhe më rrallë të çiftit.
Lidhur me faktin në fjalë, ja si shprehet një gjinekologe: “Ju doni të dini se cilat janë ndjenjat e një gruaje pasi ka kryer një abort? Fillimisht ndihet e frustruar, e bllokuar, pa jetë. Pastaj ndjen pafuqi, nostalgjinë e përvojës së munguar, presion, zhgënjim, melankoli”.
Kush vuan më shumë gjatë një aborti, femra apo mashkulli?
Natyrisht që dhimbjen më të madhe e ka femra, si nga ana fizike ashtu edhe ajo psikologjike. Jo se meshkujt janë të pandjeshëm kundrejt këtij fenomeni, por natyra nuk ua ka falur privilegjin të mbajnë në trupin e tyre një foshnjë dhe sado të mërziten për një abort, nuk arrijnë ta ndjejnë peshën e rëndë se çdo të thotë të humbasësh një shpresë. Kjo është arsyeja që zakonisht femrat e vuajnë më shumë këtë dramë. Kjo gjë e detyron të izolohet, të mbyllet në vetvete. Ndërsa mashkulli është i prirë ta mohojë problemin, e përjeton ndryshe dhe kjo gjë e bën që të largohet nga partnerja.
ç’duhet bërë për ta kaluar fatkeqësinë? Sa zgjat kjo periudhë?
Vlen të theksohet fakti se janë të pakta femrat që kërkojnë ndihmë për ta kapërcyer këtë gjendje, që i drejtohen një profesionisti për një ndihmë psikologjike. Pjesa më e madhe zgjedhin t’u hapen njerëzve të dashur, gjithmonë nëse vendosin ta bëjnë këtë gjë. Ndërkohë që vetëm një përqindje e vogël është e gatshme të bashkëpunojë me një psikolog për të hedhur pas krahëve atë përvojë të keqe dhe për t’iu rikthyer jetës normale.
Sipas jush kur duhet të provojë sërish një femër, e kemi fjalën nga ana psikologjike. Pra kur ndihet gati një femër?
Nuk më takon mua ta jap këtë lloj këshille. është gruaja, që pas bashkëpunimit me një specialist, është më e vetëdijshme dhe kështu mund të vendosë nëse ndihet apo jo gati për të provuar sërish. Ka shumë që fillojnë menjëherë pasi dalin nga spitali dhe të tjera që kanë nevojë të presin edhe ca.
#