Arti dhe arkitektura pasqyrë e kulturës
I kemi parë arkeologët, historianët si e ndërtojnë, në mënyrë eksplicite antropologjinë e epokave të zhvillimit njerëzor, duke u bazuar në mbetjet arkeologjike, në rrënojat e qyteteve, arkitekturën e tyre, monumentet, materialin që është përdorur në to, granit, mermer, bronc, mozaik, gjerësinë e mureve, lartësinë, dekoracionet, shkrimet, enët e kuzhinës dhe më kryesoren planimetrinë, arkitekturën e qyteteve të vjetra, shëtitoret, monumentet dhe objektet publike. Kush nuk ka ngelur pa mbajtur frymën nga fuqia e paparë emocionale e veprës monumentale “Fitorja e Samothrake”-s?! Kush nuk është përcjellë e nuk është bërë memec për momentin, i shtangur dhe i mrekulluar nga magjia rrezatuese e fitores së Samothrake-s, kësaj prerjeje të artë monumentale dy metra e dyzet për nga lartësia, e hirshmërisë, e sensualitetit e njëkohësisht e fuqisë dhe vitalitetit që të jep fitorja, e përjetësuar në një femër me flatra engjëllore. Aty janë piramidat monumentale, aty është Sfinki me hundë të sakatuar, aty janë heliogrifet që tregojnë për qytetërimin egjiptian. Aty janë faraonët. Kapërcejmë epoka për të ardhur te rilindja e gjenive Leonardo e Michelangelo, Botticelli e Raffaeli. Aty janë nudot femërore e mashkullore, të përjetësuara në art e plot magji. Aty janë afresket qiellore të mbushur plot mesazhe filozofike. Aty janë në zemrën e pulsin e Vatikanit. Aty është Davidi, simboli dhe fuqia e një djali qytetar plot qetësi, fuqi, me një trup atletik, plot trimëri, i lirë dhe plot sovranitet edhe pse është nudo. Simboli i artit dhe magjisë artistike të gjeniut Michelangelo. Dhe njerëzit i mrekullon plastika, magjia e formave monumentale, afro katër metra e gjysmë kompozimi, mermeri i bardhë, gjetja artistike, ekspresiviteti komunikues, stili dhe përmasat e një prerjeje të artë, a thua gjeniu ka pasur plastelinë dhe jo mermer. Aty është Mona Liza ëndërr me mistere magjike. Aty është Mathauzeni me historinë e tij. Aty është Auschwitz-i me kapanonët e vdekjes. Kudo është guernika e Picasso-s dhe surrealizmi i Dalisë. Kudo është Giacometti me origjinalitetin e tij. Kudo është në Europë dhe në botë anglezi Henry Moore, simboli i një plastike magjike, i gjetjeve origjinale kockëmadhe, plot magji, erotizëm, dhimbje, shurdhëri me forma këndore sa të trasha aq dhe elegante. Të gjithë i kemi parë e shijuar nga lartësitë e fluturimeve nga dritaret e avionit, qytetet europiane dhe arkitekturën e tyre të ruajtur. Tjegullat e kuqe që mbulojnë ndërtesat, traditën dhe modernen që shkrihen bashkë. Kemi parë arkitekturën e kompozuar të hapësirave të blerta plot pyje, livadhe, fusha të shëndetshme si kopshtet e parajsës. Jemi ulur në aeroportet e Europës dhe kudo kemi parë planimetri, arkitekturë, skulpturë, ndërtesa dhe qytete mijëravjeçare të projektuara plot magji, me kishat e stilit gotik e barok, me sheshet e monumentet, harqet e Triumfit apo portalet e qyteteve, harmoninë unikale të shkrirë me ndërtesat moderne. Edhe pse Lufta e Dytë Botërore i shkatërroi shumë qytete të Gjermanisë, gjermanët i ndërtuan plot besnikëri nga e para që nga objektet e kultit dhe të gjithë planimetrinë e qyteteve, plot frymëmarrje, gjelbërim dhe art. I ndërtuan se i gjithë qyteti ishte i projektuar nga njerëz profesionistë, nga arkitektë të zotë e të talentuar dhe që ishte provuar që projektet e tyre funksiononin në çdo kohë dhe ishin në funksionalitet, ishin histori, traditë, ashtu si e gjithë infrastruktura e autostradave e projektuar dhe e ndërtuar që në kohën e diktatorit Hitler që, edhe sot e kësaj dite, është në shfrytëzim dhe do të jetë dhe pesëqind vjet të tjera, se i kanë bërë gjërat tamam. Arkitektura, piktura, skulptura pra arti është histori. Ajo ka mesazhet dhe treguesit e vet, aty më shumë se kurrë flitet për cilësinë e servilizmin e një shoqërie, flitet për fuqinë e shtetit, për ideologjinë për ndikimet e saj. Një nga detyrat më elementare të politikave të arkitekturës është: qëllimi jo vetëm të mbrojë kundër fatkeqësive të natyrës, por të sigurojë për njerëzit, që institucionet dhe banesat, të kenë luksin e normalitetin e jetës brenda dhe jashtë ndërtesës, kjo është e një rëndësie sa profesionale e politike. Kthehemi me dhimbje dhe neveri, për të analizuar artin dhe arkitekturën në Shqipëri. Marrëdhëniet e shoqërisë, që janë pasqyruar nëpërmjet monumenteve dhe artit, i cili është krijuar nga marrëdhëniet e vetë artit në vetvete, shtetit, politikës, shoqërisë dhe artit. Të vonuar, mbas pesëqind vjetësh robëri, ku bota provonte shijen e të gjithë izmave të rrymave artistike, ku shëtiste me transoqeanik dhe Parisi ndërtonte kullën “Eifel”, ku Budapesti kishte metronë e parë në Europë dhe bënte projekte me ulërimë për kohën në ishim akoma te qerpici dhe me një infrastrukturë feudale. Ishim me infrastrukturë feudale, ashtu siç është e vërteta, shtëpitë qytetare që ishin plot art e ornamentalizëm të ndërtuara plot estetikë, po ishin model i një kohe të perënduar. Trashëguam qytete dhe objekte kulti me karakteristika të veçanta, e trashëgojmë një kulturë e cila pasqyrohet në zbulimet arkeologjike, si dhe në mbetjet fizike të monumenteve, në amfiteatër, kështjella e të tjera e të tjera. Për sa i përket trashëgimisë duhet vënë dorë në restaurimin e tyre, sa më shpejt, se janë me të vërtetë vlera dhe trashëgimi kombëtare. Qëllimi i shkrimit tim është arti dhe arkitektura, si pjesë e jetës sonë, si tregues i qytetërimit, i shkallës së civilizimit dhe i politikave të shtetit të shekullit të kaluar dhe në shekullin tonë. Tirana, kryeqyteti ynë: Kartëvizita e arkitekturës së kryeqytetit tonë është ansambli arkitektonik i ministrive në sheshin “Skënderbej”, pra bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri te Korpusi i Universitetit. Kjo ka ekzistuar deri në ditët tona dhe ky është sot antikuari dhe relikja më me vlerë i kryeqytetit tonë. Në të gjithë Shqipërinë nuk gjen më gjurmë nga e kaluara, nga arkitektura qytetare, jo vetëm nga funksionaliteti, po kemi edhe një degradim dhe radhim të objekteve muzeale të vlerave kombëtare. E pamë Europën nga lartësia, e pamë nga aeroporti, e pamë nga formacionet e zhvillimit të artit e arkitekturës në qytete e me dhimbje dhe një realitet therës të themi të vërtetën për veten.
Vazhdojmë rrugëtimin e arkitekturës dhe artit në Shqipëri. Arkitektura ka pasur si funksion një normë mbizotëruese që: “Forma ndjek funksionin”. Mjafton të shohim ndërtimet e kullave të Malësisë së Veriut të bunkerizuara me frëngji dhe të varfra në ornamentalizëm dhe e kuptojmë se çfarë jete sociale është jetuar në to si brenda dhe jashtë kullës. Mjafton të shohim shtëpinë qytetare shkodrane, tiranase, elbasanase e të qyteteve të Shqipërisë së Mesme, shtëpinë me çardakë, hajat, kopshte e oborre të mbyllur apo kompleksin unikal të ndërtimit të qyteteve të Jugut si Berati, Gjirokastra e të tjerë të mbushur plot me ornamente arkitektonike, që ka të bëjë dhe këtu me traditën dhe marrëdhëniet sociale të shoqërisë. Pra arti dhe arkitektura si një libër i hapur për të përcjellë informacione social-politike të shoqërisë. Marrim shembullin në diktaturë: Uniformiteti pa shpirt i parafabrikateve, pallate të ndërtuar nga të burgosur dhe qindra mijëra bunkerë që nga rëra, ku lag dallga e detit e deri në majë të malit, sheshe të stërmëdhaja e jofunksionale të qendrave të qyteteve, fabrika e kombinate të ndërtuara në zemrën e qyteteve! Monumentet e klonuara të diktatorëve të diktaturës, infrastrukturë mizerabël etj. Forma ndjek funksionin! Po cila formë dhe cili funksion? Anarshi, kaos, katrahurë arkitektonike. Anarshi si vetë jeta jonë, si vetë marrëdhëniet tona sociale. Infrastrukturë me funksionin më vdekjeprurës i superstradave dhe i gjithë arkitekturës së ferrit në Shqipëri. Fakt janë statistikat e vdekjeve. Arkitektura quhet procesi dhe produkti i planifikimit, projektimit dhe ndërtimit që pasqyron hapësirë funksionale, sociale dhe konsideratat estetike. Në definicion më të gjerë arkitektura mund të përfshijë të gjithë aktivitetin e projektimit nga dizenjimi urban, pamje, të dhënat e nivelit të ndërtimit dhe mobilimit. Në fakt, arkitektura e sotme mund të referohet në aktivitetin e hartimit të çdo lloj sistemi dhe vepra arkitektonike perceptohen shpesh si simbole kulturore dhe politike dhe si veprat e artit. Qytetërimet historike janë identifikuar shpesh me arritjet e tyre arkitektonike. Në fund të shekullit 20, një koncept i ri i arkitekturës është qëndrueshmëria, dobishmëria, funksionaliteti dhe bukuria, forma, estetika. Me arkitekturën moderne, dimensioni estetik shkon përtej aspekteve funksionale dhe ka të përbashkët zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe është një tregues i veçantë për të shprehur vlerat e shoqërisë. Identifikimi i shoqërisë shqiptare në arkitekturën që kemi “projektuar” dhe ekzekutuar. Njëzet vjet demokraci, njëzet vjet lëvizje të pakontrolluara demografike, ku shteti dështoi në bërjen e projekteve bashkëkohore dhe qytetërimi ynë ka lënë gjurmë në arkitekturën tonë: zona informale si Bathorja dhe periferitë urbane në të gjitha qytetet e Shqipërisë, e gjithë vija bregdetare etj. Dyzet kilometra vijë bregdetare që nga Durrësi deri në Spille. Dyzet kilometra horror betoni ku mbajmë përgjegjësi të gjithë, po sidomos shteti, politika dhe arkitektet, zyrat e projektimit. Rrugëton nga Rinasi në drejtim të Kavajës dhe do të shikosh peizazhe të përfunduara monstër, natyra të shkatërruara e të shqyera frikshëm, nga ndërtime të shëmtuara jofunksionale. Njëzet metra larg detit, detin nuk e shikon nga betonimet e pallateve deri në njëzet kate të ngritura në plazh në buzë të detit! Kush i ka miratuar! Kush i ka projektuar! Ku janë funksionaliteti, forma, estetika? Ku do të shkojnë mbetjet organike, ku do të shkojnë mbetjet fizike, ku janë sheshet e parkimit dhe ku janë sheshet e pushimit e sheshet e dëfrimit?! Nuk është nevoja të bëj koment për këtë temë, se jetojmë në një skenografi urbane katostrofale, kaotike e plot ulërima e të padurueshme, shtoi këtu dhe veprat e “artit” që lënë shumë për dëshiruar për nga realizimi artistik, po dhe nga vendosja, pozicione të pagjetura. Arkitektura nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon vetëm si objekt i pastër shfrytëzimi, për qëllimin që është ndërtuar në vetvete, po është projektuar edhe si plastike për nga forma, po edhe nga hapësira në të cilën arkitektët gjithmonë e kanë projektuar objektin me vepra arti: pikturë, skulpturë, relieve e mozaikë. Mjafton të përmendim: tempujt grekë, romakë, egjiptianë, varret, stadiumet, ndërtesat, shëtitoret e sheshet dhe kjo në të gjitha kohët, në kishat gotike, baroke, në xhamitë, në ndërtesat qeveritare, apo laike të kohëve moderne. Mjafton të përmendim basorelievet e medaljonet, dekoracionet ornamentale që zbukurojnë ministritë, distancat, hapësirën, frymëmarrjen, këndvështrimin tredimensional të objektit. Ndriçimi, ngjyra, materia gur, mermer, xham, hekur, bakër, dru apo plastikë. Lulishte, vend çlodhjeje, argëtimi e lojërash për të rritur e fëmijë, lartësitë e madhësitë e objekteve, pemët, lulet dhe skulpturat që vendosen në to. Kjo është vula dhe identiteti i ynë, i qytetërimit social–politik i pasqyruar në art e arkitekturë, këto janë gjurmët e dëshmisë së civilizimit tonë! Kjo është kultura jonë! Arkitektura mund të stimulojë dhe në ndikimin e jetës sociale dhe mund të promovojë zhvillimin shoqëror, prandaj mos harroni kurrë o “topografë bunkerësh dhe ju o arkitektë të papërgjegjshëm e mediokër peshën e përgjegjësisë para shoqërisë dhe historisë”.
Fatmir Musaj Piktor
#