E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohen vaksinat e gripit të derrit

Afati i tyre skadon në nëntor. Efekti financiar arrin në 225 mijë euro.

Nga 25 mijë doza të vaksinës kundër gripit të derrit vetëm 10 për qind e tyre është arritur të përdoret nga autoritetet shëndetësore në vend. Ndërkohë që pjesa tjetër mund të shkatërrohet, për shkak se koha e tyre e përdorimit skadon në muajin nëntor.

Përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se i takon komitetit të pandemisë të vendosë se çfarë do të bëjë me këtë kontingjent vaksinash të mbetura për të luftuar kundër virusit vdekjeprurës AH1N1. E bashkë me asgjësimin e këtyre vaksinave i takon që të groposen edhe paratë e shpenzuara për blerjen e tyre.

Këto vaksina u blenë me mjaft vështirësi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pas presioneve të shumta të opinionit pas panikut të përhapur lidhur me rrezikshmërinë e pandemisë së shkaktuar nga gripi i derrit. çmimi i negociuar me vështirësi i blerjes së një vaksine ishte rreth 10 euro nga 30 euro. Për rrjedhim, kostoja totale e tyre arriti në 250 mijë euro. Ndërkohë që pas shkatërrimit të këtyre vaksinave efekti financiar i humbjeve që do të llogarisë Ministria jonë e Shëndetësisë është plot 225 mijë euro. Kjo shumë konsiderohet modeste në raport me atë të vendeve të tjera, të cilat shpenzuan miliona euro për blerjen e këtyre vaksinave për efekt të imunizimit të popullsisë së tyre.

Megjithatë, drejtuesit e Shëndetit Publik theksojnë se një tjetër mundësi mbetet përdorimi i këtyre vaksinave gjatë muajit tetor. Kjo është një periudhë kur gripi riaktivizohet. Ndërsa nuk dihet nëse bota do të kërcënohet sërish nga ndonjë valë e re e gripit të derrit.

Vendi ynë, tashmë është futur në listën e shteteve që do të kenë një efekt financiar, pavarësisht se ai është më i vogël.

“Një strategji mund të jetë asgjësimi i tyre. është plotësisht e mundur që të asgjësohen mjetet mbrojtëse, të cilat përdoren në shtetin publik për arsye emergjence apo për të pritur një situatë të pazakonshme. Një pjesë e madhe e sasisë skadon në nëntor të këtij viti. Ekziston një potencial për përdorimin e saj në tetor, për shembull”, është shprehur Alban Ylli, drejtor i ISHP-së.

Kreu i Shëndetit Publik ka vijuar më tej duke thënë se aktualisht në vendin tonë nuk ka fushatë për vaksinimin e popullatës ndaj A/H1N1, pasi nuk janë konstatuar më raste me virusin pandemik. “Sapo ka dalë edhe kombinimi i ri i vaksinës së gripit sezonal për 2010-2011. Pra, nuk ka një fushatë vaksinimi në Shqipëri. Ajo ka marrë fund me dhjetor-janarin”, u shpreh Ylli.

Shqipëria mendohet se ka lënë pas përfundimisht valën pandemike të gripit të derrit, e cila duket se është shuar edhe në nivel global. Që prej më shumë se katër javësh, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, konfirmojnë se nuk u ka rezultuar asnjë pacient i cili të jetë prekur nga virusi pandemik A/H1N1. Një gjë e tillë edhe sipas deklaratave të Ministrisë së Shëndetësisë, tregon që Shqipëria ka dalë nga vala e pandemisë.

Kërkesa për këto vaksina në vendin tonë ka qenë mjaft e ulët dhe ato u përdorën kryesisht në spitale për të prekurit nga virusi AH1N1. Mbi 200 persona u prekën në vendin tonë nga virusi AH1N1. Por nuk munguan as viktimat e tij, që kryesisht vuanin edhe nga sëmundje të tjera kronike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›