QSUT, 60 për qind e buxhetit vetëm për ilaçet
Spitali më i madh në vend ai “Nënë Tereza” në kryeqytet do të vërë në përdorim të blerjes së medikamenteve për pacientët e shtruar në të rreth 60 për qind të të gjithë buxhetit që ka për këtë vit. Një gjë e tillë sipas drejtuesve të këtij spitali universitar do të mbyllë shqetësimet e hasura më parë lidhur me plotësimin e nevojave të të sëmurëve me medikamente. Madje ata shprehen se ky vendim i vjen përballë tendencës për korrupsion me medikamentet mes bluzave të bardhave dhe farmacive rreth e rrotull spitalit.
Drejtori Ilir Dashi siguron zgjidhjen e këtij problemi të kahershëm, duke premtuar se çdo shërbim do të ketë paketën e barnave kryesore. Aktualisht, çdo spital është në fazën e përzgjedhjes se medikamenteve bazë, sipas shërbimeve specifike. Lista e barnave do t’i shkojë drejtorisë së QSUT-së për të miratuar paketën përfundimtare të barnave. Drejtori Ilir Dashi ka garantuar se ajo do të afishohet në hyrjen e çdo spitali, në mënyrë që pacientët të dinë se cilat barna u sigurohen nga QSUT.
Kjo qendër spitalore e nivelit terciar tashmë ka hyrë në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor dhe po merret edhe me llogaritjen e kostove të pacientëve dhe shërbimeve që ata marrin. Në përputhje me këto ndryshime të realizuara së fundmi, drejtoria spitalore ka nxjerrë edhe një paketë vendimesh për mënyrën se si duhet të funksionojnë spitalet që janë pjesë e qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Kështu janë llogaritur dhe përcaktuar numri i konsultave. Ndërkohë që për pacientët që do të vijnë nga rrethet për t’u trajtuar te “Nënë Tereza”, shtrimi nuk do të jetë më i thjeshtë si më parë. Kjo pas urdhrit të nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sipas të cilit pacientët në rrethe përpara se të drejtohen për në Tiranë duhet të kalojnë në konsulta mjekësore, të përbëra nga grupe mjekësh. Nëse këta të fundit do t’i konsiderojnë këta pacientë si raste të vështira për t’u trajtuar në spitalet e rretheve, atëherë ata do të dërgohen për kurim të mëtejshëm në Tiranë.
#