E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Janë viroza të stinës

Gripi “Nuk përbëjnë rrezik për popullsinë. Nuk ka vend për panik”

Instituti i Shëndetit Publik që monitoron situatën e gripit në vendin tonë konfirmon se nuk ka vend për panik, pasi rastet e shtuara të kësaj periudhe në urgjenca kanë të bëjnë më së shumti me viroza të stinës që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për popullatën. “Në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë viroza të tjera me rrezikshmëri të ulët. Ne regjistrojmë çdo javë në vendin tonë rreth 14 mijë apo 14 mijë e 500 raste me viroza, kryesisht te fëmijët. Shtrimet kanë rënë. Pra ka shumë më pak raste të rrezikshme”, u shpreh, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.

Ndërkohë që urgjencat e spitaleve, por edhe në poliklinika numri i pacientëve që drejtohen për ndihmë është i lartë. Por edhe pse rastet e pacientëve që paraqiten pranë qendrave shëndetësore me simptoma të gripit të zakonshëm shkojnë çdo javë në mbi 14 mijë raste, specialistët e Shëndetit Publik thonë se në vend nuk qarkullon grip i zakonshëm, por thjesht viroza të stinës. Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, shprehet se këto viruse nuk sjellin rrezik të madh te popullata. Po kështu, ai ka konfirmuar se për këtë fluks të madh analizash ISHP i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme, por krahas kësaj ai shprehet se jo të gjitha mostrat analizohen.

“Aktualisht ne jemi duke rishikuar strategjitë tona. Nuk e kemi hequr vigjilencën nga problemet serioze si ato të lidhura me gripin për të parë edhe ndonjë virus tjetër qarkullues. Nga këndvështrimi i Shëndetit Publik rrezikshmëria ka rënë dhe për këtë arsye ne i përdorim me shumë kujdes burimet tona” tha Ylli.

Këtë vit, risia e vaksinës kundër gripit të zakonshëm është se në përbërje të shtameve të saj ka dhe shtame ndaj virusit A/H1N1.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›