Rritet fluksi i emigranteve qe kthehen per festa
Fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe për festat e fundvitit ka arritur kulmin e vet dje. Policia e Shtetit njoftoi se vetëm nga Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës në Qarkun e Gjirokastrës kanë hyrë dje në Shqipëri 7500 emigrantë. Policia tha se në dispozicion të emigrantëve janë vënë 16 sportele, 9 në hyrje dhe 7 në dalje të territorit shqiptar, të cilët funksionojnë përgjatë 24 orëve pa probleme. Gjatë tri ditëve të fundit nuk është shënuar asnjë incident dhe procedurat e kalimit të qytetarëve kanë qenë brenda standardeve. Dje, në vend kanë hyrë nga kjo pikë kalimi kufitar 7500 persona dhe 2500 automjete, ndërsa në dalje 2100 persona, 480 prej të cilëve me pasaportë biometrike. Bëhet e ditur se 15 nga këta të fundit janë kthyer për shkak të mungesës së siguracionit të jetës. Fluksi i emigrantëve që kthehen për festa pranë familjeve ndihet edhe në Sarandë, ku funksionojnë dy pika të vogla kufitare: në Qafëbotë dhe portin detar të qytetit. Veç emigrantëve që kanë familjet në Sarandë, Delvinë, e rrethina, edhe dhjetëra të tjerë që punojnë e banojnë në qytete të Veriut të Greqisë kanë marrë tragetin e linjës Korfuz-Sarandë, për të mbërritur në qytete të tjera shqiptare, kryesisht të Jugut si në Berat, Vlorë, Përmet etj. Në 15 ditët e fundit, nga dy pikat e kalimit kufitar kanë hyrë rreth 3500 veta, ndërsa po kaq është numri i atyre që kanë dalë nga territori shqiptar.