Zeneli: Kthimi i kredive deri në dhjetor, falen 100% gjobat e interesat
Të gjithë debitorët që kanë detyrime të pashlyera ndaj Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), nëse do të nxitojnë të shlyejnë këtë borxh deri në fund të këtij viti, kanë mundësi të përfitojnë nga falja e 100% të gjobave, interesave dhe kamatëvonesave. Drejtori i ATK-së, Feti Zeneli, nuk nguron ta quajë “shans të artë” këtë periudhë për të gjithë debitorët që do të nxitojnë të derdhin detyrimet pranë ATK-së. Në një intervistë dhënë për “standard”, Zeneli tregon për nevojshmërinë që ka pasur ndryshimi i legjislacionit për të mundësuar sa më mirë kthimin e kredive të këqija.
Sipas tij, vendimi i fundit i qeverisë, me lehtësitë që krijon, nxit debitorët të shlyejnë detyrimet, pasi falen gjobat, kamatëvonesat dhe interesat. Sipas Zenelit, aktualisht kanë mbetur afro dy të tretat e debitorëve të transferuar që ndodhen në trajtim, detyrimi total i të cilëve shkon në më shumë se 230 milionë dollarë.
Agjencia juaj trajton huatë e transferuara nga ish-bankat shtetërore. Prej më se 11 vitesh, ATK ka punuar për t’i kthyer këto para në arkën e shtetit. Sa i nevojshëm ka qenë ndryshimi i legjislacionit që ATK të jetë sa më efikase?
-Për shumë kohë, qysh nga momenti i krijimit të saj në vitin '98, Agjencia e Trajtimit të Kredive ka operuar mbi bazën e një kuadri ligjor jo të plotë. Deri në fund të vitit '05, pra për gati 7 vjet rresht, aktet nënligjore (nëse mund të quhen të tillë) ku ATK-ja e bazonte veprimtarinë e saj për trajtimin e portofolit të huave të transferuara nga ish-bankat shtetërore të nivelit të dytë dhe INSIG sh.a., ishin disa udhëzime të miratuara me vendim të Këshillit Mbikëqyrës. Nga viti në vit u bënë përpjekje për të bërë ndryshimet e duhura nënligjore. Megjithatë, ndryshimet e duhura ligjore u arritën të realizoheshin pas daljes së ligjit nr. 9731, datë 10/05/2007, ndryshime të cilat përveç zgjerimit të objektit të veprimtarisë së ATK-së, e lënë të hapur mundësinë që këtij institucioni t'i transferohen me ligj të veçantë për trajtim edhe asetet e tjera, përveç kredive dhe aseteve të ish-bankave të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror apo portofolit të investimeve në banesa, të kryera nga INSIG sh.a. Dalja e VKM-së në zbatim të ligjit nr. 9731, datë 10/05/2007 regjistron datën 16/07/2008, ndërsa udhëzimi përkatës i ministrit të Financave u miratua në datën 06/10/2008. Ndërkohë këto akte nënligjore, të përgatitura në një moment jo fort të përshtatshëm drejtimi dhe organizimi të ATK-së, nuk arritën t'u japin zgjidhje tërësore dhe afatgjatë problemeve të krijuara kohë pas kohe në trajtimin e detyrimeve të mbetura debitore. Dhe ç'ishte më e keqja, këto akte nënligjore e shtrinin efektin e tyre deri në 30/04/2009; pra për një periudhë kohore jo më shumë se 6 muaj, ndërkohë që numri i debitorëve të mbetur në ATK kërkon vite të tëra pune dhe veprimtarie për t'u trajtuar.
Sa është numri i debitorëve aktualisht dhe sa prej këtyre debive konsiderohen të mbyllura nga ATK-ja?
Mjafton të kujtojmë se bëhet fjalë për më shumë se 13 mijë debitorë nga afro 19 mijë të tillë që janë transferuar qysh nga vitit ‘98 prej ish-bankave shtetërore të nivelit të dytë dhe INSIG sh.a. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, duke u nisur nga fakti që për 10-11 vjet janë mbyllur vetëm një e treta e numrit të përgjithshëm të debitorëve, atëherë duhen edhe afro 20 vjet të tjera kohë për ta përfunduar totalisht një mision të tillë. Por nëse marrin në konsideratë edhe fakte të tjera, që lidhen me shtimin objektiv të vështirësive në trajtimin e dosjeve të mbetura debitore, atëherë kjo periudhë kohore zgjatet edhe më shumë. Ndërkohë ligji e lë ta hapur mundësinë për të marrë e trajtuar detyrime të tjera debitore, përveç portofolit të kredive që është transferuar tashmë në ATK. Nga ana tjetër, kuadri nënligjor për të cilin po flasim ka pasur edhe mangësi të natyrës së mosreferimit të plotë ndaj kërkesave të ligjit nr. 9731, datë 10/05/2007, ku bie në sy "harresa" lidhur me të drejtën e agjencisë për shitjen e sendeve të kaluara në pronësi të saj pas ezaurimit përfundimtar të procedurave përmbarimore në ekzekutimin e detyrueshëm ligjor, sikundër përcaktohet në nenin 5, pika "c" e këtij ligji. Këto mangësi u bënë shkak që në maj të këtij viti të fillojë puna për hartimin e akteve të reja nënligjore, qoftë edhe për faktin se aktet e mëparshme e humbën fuqinë në 30/04/2009. Në punën për hartimin e VKM-së së re dhe udhëzimit përkatës të ministrit të Financave në zbatim të tij u mbajt parasysh, jo vetëm eliminimi i vakumit ligjor të krijuar, por edhe korrigjimi i mangësive të krijuara në aktet e mëparshme nënligjore, si shtimi i institucioneve bashkëpunuese dhe sanksionimi i të drejtës për shitjen me ankand të sendeve që kalojnë në pronësi të ATK-së.
Vendimi i fundit i qeverisë duket se krijon lehtësi për debitorët dhe nxit ata të shlyejnë detyrimet. Mendoni se ata janë stimuluar për të paguar debitë e tyre?
-VKM-ja që mban datën 11/06/2009, dhe udhëzimi nr. 35 i ministrit të Financave që mban datën 14/07/2009, do t'i shërbejnë ATK-së për një periudhë të gjatë kohe, për të bazuar dhe organizuar punën lidhur me trajtimin e portofolit të mbetur të kredidhënies së bankave të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror dhe INSIG sh.a. Si kriter bazë për hartimin e këtyre akteve nënligjore është mbajtur parasysh vendosja e kushteve stimuluese për debitorët që shlyejnë vullnetarisht dhe sa më shpejt detyrimin, duke i penalizuar gradualisht në vartësi të afatit kohor që zgjedhin për të likuiduar me këste. Natyrisht vendosja e penaliteteve të përshkallëzuara (përqindja e interesave që do të shlyhet mbi principalin e transferuar) ka si synim të vetëm stimulimin e debitorëve që paraqiten për të likuiduar sa më shpejt detyrimin, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë lehtësi në faljen e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave. Këto përshkallëzime në faljen e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave për periudhën që po flasim janë 90% për të gjitha kreditë me principal të transferuar deri në 3 milionë lekë apo pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar, edhe për kreditë e dhëna për mekanikë bujqësore, në fushën e prodhimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale etj., dhe 80% për të gjitha kreditë me principal të transferuar mbi 3 milionë lekë. Për vitin e ardhshëm ky përshkallëzim bie edhe dy herë të tjera deri sa fiksohet përfundimisht në shifrat respektive 60 dhe 65 për qind pas qershorit të vitit që vjen. Ndërkohë të gjithë debitorët, pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar, kanë një "shans të art" deri në fund të këtij viti për të përfituar faljen 100% të interesave, gjobave dhe kamatvonesave, me kusht që të shlyejnë menjëherë gjithë principalin e transferuar.
Sa është vlera totale e pakthyer nga debitorët, që ju po punoni për ta arkëtuar?
Aktualisht kanë mbetur afro dy të tretat e debitorëve të transferuar që ndodhen në trajtim, detyrimi total i të cilëve shkon në më shumë se 230 milionë dollarë. Kjo shumë parash është më e madhe se vlera e privatizimit të të gjithë ish-bankave shtetërore të nivelit të dytë, duke përfshirë dhe shitjen e aksioneve që shteti shqiptar kishte në ish-Bankën Italo-Shqiptare apo Arabo-Islamike. Natyrisht kjo shumë arkëtimesh nuk mund të pretendohet e gjitha, çfarëdo lloj organizimi dhe infrastrukture ligjore të krijohet, por gjithsesi, duke marrë në konsideratë edhe faljen e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave që parashikojnë aktet më të fundit nënligjore, asnjë llogari e bërë nuk duhet ta rrëzojë këtë pretendim nën shifrën e 120 milionë dollarëve. Pak a shumë në këtë masë është edhe shuma e principalit të transferuar që kanë gjithë debitorët e mbetur për t'u trajtuar në ATK nga ky moment e në vazhdim.
Cilat janë institucionet që ju mbështetin juve në realizmin e misionit tuaj, për të arkëtuar detyrimet që ju kanë debitorët?
Janë një sërë institucionesh që ne bashkëpunojmë për të realizuar misionin tonë, duke nisur nga zyrat e shërbimit përmbarimor, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe drejtorive rajonale të shërbimit të transportit rrugor, organet e pushtetit vendor, zyrat e gjendjes civile, ALUIZNI-i, bankat e nivelit të dytë, fondacionet kredidhënese dhe një sërë institucionesh të tjera të sistemit tatimor dhe doganor. Pra rrethi ligjor dhe institucional i shtrëngimit të debitorëve për të shlyer detyrimin e krijuar është ngushtuar së tepërmi.
Nëse do të bënit një klasifikim të debitorëve, sa për qind e tyre mendoni se s’kanë mundësi reale për të kthyer detyrimin që kanë?
-Siç dihet precipitati i kësaj pune janë debitorët më problematik, ku vetëm një pjesë fare e vogël e tyre nuk kanë mundësi reale për t'iu përgjigjur me financa apo kolaterale detyrimit të krijuar. Kjo kategori debitorësh, në rastin më të keq nuk mund ta kalojë shifrën e 10 përqindëshit në raport me totalin. Në këtë grup futen debitorët që kanë falimentuar, ata që janë me asistencë, që kanë vdekur apo janë rrënuar në forma të tjera. Kjo do të thotë që gati 90% e debitorëve të mbetur i kanë të gjitha mundësitë që t'i nënshtrohet shlyerjes së detyrimit. Por tek një pjesë e mirë e tyre nuk ekziston vullneti për t'ju përgjigjur me korrektësi shlyerjes së detyrimit të krijuar ndaj shtetit. Është e pajustifikueshme që biznesmenë të fuqishëm, individë të kamur e persona të punësuar në shtet t'i shmangen me lloj-lloj mënyrash likuidimit të detyrimit të krijuar në shtet si rezultat i mosgatishmërisë së treguar në kohë për arkëtimin e kredisë së marrë nga ish-bankat shtetërore të nivelit të dytë. Madje një pjesë e tyre kanë kryer edhe vepra penale për falsifikimin e dokumentacionit në marrjen e kredisë apo fshirjen e kolateralit të vendosur. Natyrisht veprime të tilla janë kryer në bashkëpunim edhe me individë të tjerë të pushtetshëm, por nuk janë trajtuar në kohë sipas ligjeve në fuqi, gjë të cilat përbëjnë një objektiv të rëndësishëm të punës drejtuese dhe organizuese në Agjencinë e Trajtimit të Kredive për këto momente. Kjo kategori debitorësh nuk po arrijnë të kuptojë faktin se shmangia apo falsifikimi i dokumentacionit për të mos shlyer kredinë e marrë e rëndon pozitën e tyre para ligjit duke e kaluar gjykimin nga fusha civile tek ajo penale. Drejtoria e Përgjithshme e ATK-së është vendosur që t'i shkojë deri në fund zbatimit të ligjit, madje më me këmbëngulje për ata debitorë, të cilët, megjithëse i kanë mundësitë, gjejnë e sajojnë lloj-lloj pretekstesh për t'ju shmangur një detyrimi të tillë. Ky moment kërkon që në të njëjtën gjatësi vale të veprojnë edhe institucionet e tjera të shtetit si gjykata, prokuroria, shërbimi përmbarimor dhe jo të bëhen strehë mbrojtëse e abuzantëve dhe mashtruesve të kësaj kategorie debitorësh. Mbase përsosja e këtij bashkëpunimi mund të kërkojë një rregullim ligjor të shpejt, duke e montuar këtë lloj shërbimi në strukturën organike të ATK-së, dhe për këtë s'ka pse hezitohet. Ndryshime mund të kërkohen edhe për evitimin e një problematike të krijuar në momentin e dhënies së kredisë apo trajtimin e saj në ATK gjatë viteve të para të krijimit të këtij institucioni, si rezultat i procedurave ligjore të parashkrimit apo kërkesave të sotme ligjore për regjistrimin e ri të pronës shtetërore. Megjithatë infrastruktura e deritanishme ligjore është e plotë dhe e përshtatshme për të punuar pa u penguar për më shumë se 5-6 vjet rresht. Kjo është një kohë më se mjaftueshme për të përgatitur ATK-në lidhur me sfidat e reja që atë e presin në fushën e konsolidimit të saj si një institucion i specializuar për mbledhjen e borxheve të këqija.