E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeneli: Varreza greke? Të mos e paragjykojmë

Shqiptarët nuk duhet të kompleksohen dhe as ta paragjykojnë ndërtimin e një varreze greke. I kësaj ideje është ish-kryediplomati i Shqipërisë në Athinë, Bashkim Zeneli.

Pak vite pasi u lirua nga kjo detyrë, ai vazhdon të ndjekë me të njëjtën vëmendje zhvillimet politike dhe marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Në një rrëfim për "Shqip", diplomati i karrierës vlerëson se zgjidhja e cështjes së varrezës greke vetëm sa ndihmon në forcimin e klimës së miqësisë mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Zeneli hedh dritë mbi negociatat e qeverisë shqiptare me palën grekë, lidhur me këtë cështje. Teksa flet për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në shtetet fqinje, ambasadori konstaton se zgjidhja do të ishte hapja e shkollave private në gjuhën shqipe.

Përvoja e tij në shërbimin diplomatik i jep mundësinë të vërë në dukje faktin se sistemi konsullor ka shumë dobësi. Zeneli konstaton me keqardhje se punohet ende me ligje të vjetra dhe nuk ka nisma për t‘i ndryshuar. Punonjësit e shërbimit tonë në konsullata, argumenton ambasadori, shpeshherë nuk kanë as formimin elementar diplomatik, nuk njohin as Konventat e Vjenës.

Zeneli kërkon që ky shërbim të mos mbesë brenda katër mureve, por të dalë përtej tyre, duke mbrojtur shtetasit e vet. Ai godet pa dorashka të gjitha qeverisjet e deritanishme, për faktin se, sipas tij, kanë hartuar strategji për emigracionin të mbushura me demagogji.

Në këndvështrimin e ambasadorit, po spekulohet me cështjen e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve evropiane. Kërkesat për plotësimin e standardeve në këtë drejtim, insiston Zeneli, nuk duhen reduktuar thjesht në kartat e identitetit, regjistrin elektronik dhe pasaportat biometrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›