Hetimi i materialeve zgjedhore, dokumentet që ndodhen brenda kutive
Kutitë e materialeve zgjedhore duket se do të jenë stacioni i transparencës së 28 qershorit 2009. Pas gati një vit ballafaqimi politik që provokoi një grevë urie dhe një takim të imponuar nga ndërkombëtarët në Strasburg, opozita socialiste ka lënë të kuptohet se kompromisi mund të kufizohet te dokumentacioni elektoral. “Mekanizmi i Ruzhdies është lehtësisht i nxjerrshëm në dritë, pa fletët e votimit”, do të shprehej dy ditë më parë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke lënë të kuptohet se kutitë e fletëve të votimit po skualifikohen si lëndë e parë për marrëveshje. Besimi i shprehur prej tij për potencialin hetimor që disponojnë kutitë e materialeve, adreson interesin e përgjithshëm rreth përmbajtjes së tyre konkrete, e cila do të “dekonspironte” skemën manipuluese të përdorur më 28 qershor. Duke iu referuar nenit 99 të Kodit Zgjedhor, që parashikon procedurën e dërgimit të materialeve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve drejt Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) mund të shihet se dokumentacioni që do të filtrohet në hetimin e mundshëm parlamentar do të jetë; procesverbalet e qendrës së votimit (procesverbali i hapjes dhe i mbylljes së votimit u bashkohen kutive të fletëve të votimit), libri i protokollit të mbledhjeve të KQV-së (Komisioni i Qendrës së Votimit), zarfet ku administrohen fletët e votimit të papërdorura apo të dëmtuara dhe procesverbali i vulosjes. I gjithë ky dokumentacion që shoqërohet edhe me vulat përkatëse, i vihet në dispozicion KQV-ve prej KZAZ-vë së bashku me listat e zgjedhësve respektive. Ndërkohë kutitë e materialeve plotësohen në përmbajtjen e tyre edhe me librin e protokollit të mbledhjeve të KZAZ-së, tabelat për rezultatet e QV-ve nga grupet e numërimit, tabelat për rezultatet e zgjedhjeve të ZAZ. Pra, shqyrtimi i të gjithë këtij dokumentacioni është në kuptim të debatit politik, shpresa e opozitës për zbardhjen e pretendimeve të saj për manipulim. Nëse nisemi nga deklaratat e drejtuesve socialistë për zbardhjen e skemave të deformimit referuar rastit të Ruzhdies, atëherë është me vend të mendohet se kryesisht transparenca do të kërkohet në ballafaqimin e listave të zgjedhësve me faktin real të votimit. Kjo, pasi pamundësia për të parë fletët e votimit, pra për të lexuar edhe njëherë vullnetin e zgjedhësit, e bën thuajse të pavlefshëm në pikëpamje hetimore, verifikimin e tabelave të rezultateve, procesverbaleve të mbledhjeve, apo edhe librit të protokollit. Në rastet kur parregullsitë do të ishin procedurale, ato së paku do të ishin pasqyruar në dokumentet e KZAZ-ve apo KQV-ve, duke sjellë në finale një numër proporcional ankimesh nga ana e subjektit zgjedhor të interesuar. Firma e komisionerëve, e paballafaquar me fletën e votimit, e bën kështu pjesën dërrmuese të dokumentacionit që ndodhet në kutitë e materialeve, legjitim dhe të vetmin zë të së vërtetës elektorale. Gabimi me listat e zgjedhësve është një shpresë që konfirmohet në të vërtetë jo vetëm nga praktika e Ruzhdies, ku u votua pa praninë e komisionerëve socialistë, por nga praktika e zgjedhjeve shqiptare në përgjithësi. Pa mohuar faktin se sikurse në Ruzhdie, në Qendrat e Votimit (QV) janë hedhur fletë votimi për zgjedhës që në atë moment fizikisht nuk kanë qenë në Shqipëri, ekziston edhe një përvojë, sipas së cilës procesi elektoral zhvillohet pa marrë nënshkrimet e zgjedhësit në listën përkatëse dhe pa regjistruar numrin e dokumentit të identifikimit të tij. Kjo praktikë gjen shprehje në zona rurale, ku njerëzit për shkak të njohjes reciproke, neglizhojnë rrugën e parashikuar, duke konsumuar shkelje procedurale, që gjithsesi nuk vënë në diskutim faktin elektoral. Megjithatë, një listë zgjedhësish e pasigluar nga votuesi dhe pa numër identifikimi, e ballafaquar me numrin e fletëve që zyrtarisht janë përdorur, krijon në pikëpamje juridike një fakt që denoncon parregullsitë e procesit, por jo domosdoshmërish manipulimin e tij.
#