E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo: S’kam lidhje me arsenikun

Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo e ka cilësuar institucionin që ai drejton jopërgjegjës për çështjen e arsenikut. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Në një konferencë për shtyp, Zeqo saktësoi se bashkia nuk ka asnjë mbështetje për firma konkrete në tendera, pavarësisht krahut politik që mbajnë.
Përballë akuzave për përkrahje të tenderëve të dhëna nga bashkia apo dhe mbi temën e groposjes së arsenikut, një plagë e pashërueshme e fierakëve, Zeqo u shpreh se “nuk jam aspak i prekur për personin tim, por më rëndon mbi shpatulla përgjegjësia për atë se si po prezantohet Fieri në shtypin e shkruar, duke e trajtuar si një qytet, ku ligji është në duar të gangsterëve që paskan kapur bashkinë”. Kryebashkiaku i Fierit pohoi se “Partia e LSI-së ka dashur ta nisë fushatën me arsenikun, duke bërë të dhembshurin për qytetarët e Fierit, por duke mos dhënë asnjë alternativë më të mirë, se ajo që ofrojnë sot dhjetëra specialistë evropianë dhe shqiptarë”. Duke vazhduar në këtë temë, Zeqo u shpreh se çështja e groposjes së arsenikut nuk ka qenë fare kompetencë e bashkisë dhe se drejtuesit e saj janë njohur vetëm nga disa takime të zhvilluara në institucion. Kjo, pasi zona e Azotikut i përket Komunës Qendër. “Projekti për arsenikun është jashtë çdo destinacioni ligjor. Bashkia e Fierit nuk mund të përfshihet në një lëvizje çoroditëse ndaj njerëzve që arseniku ose pjesa e neutralizuar e arsenikut të varroset në një vend tjetër. Ne kemi marrë informacion pas tre takimeve, që janë zhvilluar në prefekturë dhe në bashki për arsenikun. Nuk kemi asnjë informacion zyrtar, pra asgjë nuk na është kërkuar as për projektin as për groposjen”. Kryebashkiaku Zeqo deklaroi se akuzave publike ai i përgjigjet me faktin se nuk është në moralin e tij të merret me rekrutime anëtarësh të forcave të ndryshme politike, por në kryerjen e detyrës për të cilën është zgjedhur nga qytetarët e tij. Në lidhje me tenderët e zhvilluara në bashki ai ka shtuar se gjithkush mund të konkurrojë dhe ndihet i barabartë, pavarësisht bindjeve politike. Sipas tij, në të gjitha proceset e tenderimeve ka pasur dhe kontrolle nga KLSH, të cilat nuk kanë nxjerrë asnjë vërejtje. Për Zeqon, shkrimet e botuara në adresë të Bashkisë Fier janë trillime, për hir të xhelozive apo fakteve për sukses dhe arritje në fusha të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›