Zeqo: Tifozë, Skënderbeu nuk mund të dalë kampion pa ju!
Bosi i korçarëve ndihet shumë i kënaqur me paraqitjen e deritanishme të ekipit dhe thotë se është në pritje të gabimeve të dy kryesuesve
Grupi B
Skënderbeu Vllaznia
Sot ora 14:00, në Laç
Skënderbeu: Shehi, Bicaj, Allmuça, Arapi, Vrapi, Biskup, Orelesi, Shkëmbi, Muzaka, Plaku, Xhafaj. Trajner: S. Levi.
Vllaznia: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Vuk, Belisha, Smajli, Moreno, Brnoviç, Popoviç, Hajdari, Jablan. Trajner: R. Vata.
Deri tani çdo gjë ka shkuar sipas parashikimeve të Skënderbeut, ekipit që në fillim të këtij viti e pa veten me një distancë prej 9 pikësh larg Teutës dhe që në fakt dukej distancë vërtet e madhe. Por kampionët janë mësuar me të tilla distance, teksa këtë shembull e kanë dhënë edhe një vit më parë, teksa ndodheshin -7 pikë larg Flamurtarit, por jo vetëm që e barazuan, por u shpallën kampionë me një diferencë të madhe ndaj vlonjatëve.
E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit, por tashmë edhe momenti që kampionët ta shikojnë veten vetëm një pikë larg dy ekipeve Tiranës dhe Teutës, dy skuadra që në këtë fazë të dytë, juglindorët do ti presin në shtëpinë e tyre. Me gjithë këto suksese, edhe presidenca korçare ndihet më e qetë.
Veçanërisht presidenti Agim Zeqo, është njeriu që ka marrë frymë lirisht edhe pas asaj fitoreje të fundit ndaj Dinamos, ndërkohë që në lidhje me gjithë këto rezultate pozitive që kanë arritur të tijtë në këtë vit, bosi i juglindorëve, në një prononcim të djeshëm për Sportin shqiptar, ka deklaruar: Në fakt, të gjithë janë çuditur me këto rezultte që ka arritur skuadra në këtë vit, por unë do të theksoja se futbollistët nuk kanë bërë asgjë më shumë se sa detyrën që u takon.
Ne akoma nuk kemi rikuperuar gabimet e fillimit të kampionatit, ku të gjithë e mbajmë mend që u renditëm edhe në vendin e dhjetë, por sot e shohim veten në vendin e 3-të dhe vetëm një pikë larg kreut. Jemi në pritje të gabimeve që do të bëjnë dy kryesuesit, Tirana dhe Teuta, pasi ne nuk na lejohen më gabimet që bëmë në fillimin e sezonit.
Nuk mund ta fsheh, pasi jam shumë i kënaqur me performancën e skuadrës, po të kemi parasysh edhe faktin që po luajmë gjatë gjithë kohës jashtë fushës sonë dhe kjo sigurisht që nuk është një gjë e vogël. Skënderbeu, të gjithë e mbani mend që në sezonin e kaluar vuante shumë sa herë luante në transfertë, ndërkohë që ne i kemi kaluar tashmë këto probleme.
E çfarë mund të them më shumë se ajo, që të gjithë lojtarët meritojnë fjalët më të mira dhe objektivi ynë për fitimin e dy trofeve është më pranë se kurrë. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe unë jam i bindur që skuadra nuk ka për tu ndalur.
Thirrje tifozëve Skënderbeu, siç dihet, në këtë vit të gjitha ndeshjet i ka luajtur jashtë fushës së vet, ndërkohë që pak sportdashës e kanë ndjekur ekipin e tyre të zemrës në këto transferta, teksa kujtojmë që kur ekipi ka luajtur në shtëpi, stadiumi Skënderbeu ka thyer të gjitha rekordet me tifozërinë më te madhe në superligën shqiptare.
Një gjë e tillë nuk po ndodh kur ekipi luan jashtë fushës së vet dhe Zeqo dje ka gjetur rastin, që nëpërmjet gazetës, tu bëjë edhe një thirrje të gjithë tifozëve korçarë: Përfitoj nga rasti tu bëj një thirrje të gjithë tifozëve të Skënderbeut. Skuadra duhet mbështetur kudo që luan dhe jo vetëm në shtëpi. Unë e di që kemi tifozërinë më të mrekullueshme dhe pa ta ne nuk mund të dalim kampionë dhe jam i bindur që ata do ta mbështetin ekipin në vazhdim, kudo që të luajë.
Të gjithë e dinë që tifozëria korçare është kampione dhe një skuadër po kaq kampione si Skënderbeu jam i bindur që do të jenë një dyshe që do ta kenë zili të gjitha ekipet e tjera të superligës, – mbyll prononcimin e tij të djeshëm presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, që së bashku me një pjesë të donatorëve të tjerë të ekipit nuk do të mungojnë sot në ndeshjen e Kupës ndaj Vllaznisë, në Laç.
