E Diel, 1 Nëntor 2026

Smajli: Vllaznia mundet të marrë pikë me Skënderbeun

Nga GJERGJ KOLA

Mbrojtësi lezhjan thotë se shkodranët mjaftojnë të luajnë si në dy ndeshjet e fundit dhe madje mund ti marrim edhe tri pikë ekipit kampion

Vllaznia duhet të tentojë tani ti marrë pikë çdo skuadre. Kështu mendon njëri nga lojtarët titullarë dhe më të rëndësishëm të saj, pikërisht Dritan Smajli. Ai është i mendimit se skuadra nuk ka rënë aq poshtë sa mund ta mendojë opinioni, madje ka diçka për të thënë edhe në lidhje me ndeshjen e kaluar ndaj Kamzës, teksa shprehet:

Të paktën nga sa shkruhej në media apo flitej në opinionin sportive, kjo ndeshje konsiderohej si shumë delikate, thuhej që Vllaznia do ta kishte shumë të vështirë e shumë gjëra të ngjashme me to. Me gjithë respektin që kam për këtë njerëz që kanë menduar kështu, unë nuk mendoj se Vllaznia ka rënë kaq poshtë sa për të diskutuar fitoren edhe në Shkodër me Kamzën.

Vërtet Kamza mund të kishte pretendimet e saj për pikë, por ne nuk mund të gabonim. Kjo u pa në lojë teksa e kemi dominuar gjatë gjithë kohës atë dhe fitorja ndoshta mund të ishte edhe më e thellë. Unë shoh që skuadra është në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe kjo na jep shpresë për të ardhmen, – ka thënë Smajli në prononcimin e tij. Lojtari, që nuk dihet se ku luan, në mesfushë apo mbrojtje, po tregon një formë jashtëzakonisht të mirë sportive.

Ai në fitoren e fundit, ishte protagonist në rastin e marrjes së 11-metërshit pas pengimit në zonë nga Ardit Beqiri. Ky moment është prekur jo pak nga drejtuesit e Kamzës, që e cilësuan vendimin e gjyqtarit Jemini të padrejtë, megjithatë Smajli mendon ndryshe, kur thotë: Ndoshta nuk e ka parë vetëm ndonjëri nga drejtuesit e Kamzës se nuk ishte 11-metërsh se gjithë të tjerët e panë.

Unë isha një hap para Beqirit dhe ai më ndërhyri në mënyrë të parregullt. Edhe vetë Arditi (Beqiri) e pranoi se ishte penallti. Po ashtu, dua të them se vetëm unë nuk di të simuloj në zonë dhe, nëse u rrëzova, kjo ndodhi pas ndërhyrjes së lojtarit të Kamzës në mënyrë të parregullt. Nuk besoj se është mirë të flitet kështu për të zhvleftësuar ndoshta disi fitoren tonë, por ajo ishte e pastër.

Kontributi i secilit Duke folur tashmë në rolin e një lideri të vërtetë te kjo skuadër, Smajli ka dashur të thotë dy fjalë edhe për sulmuesin Jablan, që më në fund doli te goli. Ai e vlerëson jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për lojën në tërësi. E prisnim që Jablan të shënonte dhe të na ndihmonte.

Nuk është shumë e rëndësishmë nëse u zhbllokua në këtë ndeshje, por e rëndësishme është që tani të luajë më i qetë dhe të na ndihmojë ashtu si duhet, sepse duke dhënë secili kontributin e vet, edhe skuadra mund të arrijë rezultatet e duhura. Por përveç golit, Jablan ka qenë protagonist në të gjithë golat e shënuar.

Dha asistin e golit të dytë, atë të penalltisë që solli golin e tretë, por edhe të katërtin që u shënua nga Gjini. Kemi nevojë për gjëra të tilla, ashtu siç është duke na ndihmuar shumë edhe Hajdari, që po gëzon një formë shumë të mirë, – shprehet numri 2 i kuqebluve. Megjithatë, ndeshja me Kamzën tashmë është arkivuar dhe përpara janë dy sfida shumë të rëndësishme, ato me Skënderbeun për kupë dhe Teutën për kampionat.

Smajli mendon se Vllaznia fillimisht duhet ti karikojë të gjitha bateritë për ndeshjen e sotme me korçarët dhe, sipas tij, mundësitë për të marrë pikë, ekzistojnë në këtë ndeshje. Skënderbeu vërtet është skuadra kampione dhe pretendente edhe sivjet, por të mos harrojmë se para dy javësh që luajtëm në Shkodër, e kemi dominuar gjatë gjithë kohës ndeshjen. Pikërisht ne jemi sërish edhe në ndeshjen e sotme dhe do kërkojmë patjetër së paku një barazim, që do na ndihmonte në ecurinë tonë për kupë, – ka thënë në fund Dritan Smajli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›