E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, pronarët e rinj do ndajnë dy paga shpërblim

 

Me rastin e festave të fundvitit, konsorciumi "ANIKA ENTERPRISES, RAFINERY OF TEXAS & MERCURIA ENERGY GROUP", fituesja e tenderit të ARMO-s, ka vendosur që të japë dy paga shpërblim për punonjësit e kësaj kompanie. Ndërkohë që nga data 1 dhjetor e këtij viti punonjësit do të kenë 30 për qind rritje rroge. Ka qenë ky një nga premtimet që Drejtori i Përgjithshëm i konsorciumit, Rezart Taçi, ka artikuluar në fillimet e procesit të privatizimit dhe në përmbushje të tij tashmë realizohet kjo rritje menjëherë me marrjen nga ana e tij të kësaj detyre. Realizimi i këtij detyrimi nga ana e konsorciumit vjen si rezultat i një filozofie të re që do të karakterizojë administrimin e kësaj kompanie, ku në themel të saj do të jetë rritja e mirëqenies si dhe kujdesi i kompanisë ndaj të gjithë punonjësve, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dhe do të vazhdojnë të japin në rritjen e vazhdueshme të saj. Ndërkohë konsorciumi duke njohur kontributin e punonjësve të saj gjatë këtij viti, pavarësisht kohës në të cilën u përmbyll ky proces, me rastin e festave të fundvitit u shpërndau të gjithë punonjësve të kompanisë ARMO nga dy rroga shpërblim. Me gjithë vështirësitë që karakterizon ky proces, ky ka qenë një nga privatizimet më të mëdha të aseteve shtetërore të kryera në vite, konsorciumi në vitin në vijim do të ndërhyjë fuqimisht jo vetëm në investimet për përmirësimin e proceseve teknologjike në nivele bashkëkohore, por dhe në infrastrukturën e zonës, e cila do të ndihet drejtpërdrejtë dhe në cilësinë e jetës së komunitetit të saj. Privatizimi i "Armo"-s brenda këtij viti ishte edhe një ndër premtimet e qeverisë demokrate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›