Zëri juaj, jehonë e fuqishme për ta çuar vendin drejt horizonteve të reja
Kryeministri Berisha me 240 mijë fansa në Facebook – përshëndet ndjekësit
“...Një falënderim i veçantë për të rejat dhe të rinjtë, energjia dhe forca e të cilëve mbetet një burim i përhershëm frymëzimi për mua. Zëri juaj jehon fuqishëm te unë dhe së bashku do ta çojmë vendin përpara, drejt horizonteve të reja që na presin...”
Faqja e kryeministrit Sali Berisha në rrjetin social Facebook, vazhdon të mbetet në rangun e profileve më të klikuar. Dy javë pasi lançoi adresën e tij, numri i ndjekësve dhe bashkëbiseduesve vazhdon të njohë ritme të admirueshme, dhe me këtë trend mund të thuhet se mund të jetë i paparashikueshëm numri i anëtarëve të ardhshëm.
Dje para mesnate numri i ndjekësve të kryeministrit Berisha në Facebook arriti 240 mijë. Me këtë rast kryeministri falënderoi të gjithë “miqtë” e tij në rrjetin social, duke i falënderuar, për komentet, idetë dhe shqetësimet që ndajnë me të.
“Të dashur miq, çdo ditë që kalon shoh se jemi gjithnjë e më të shumtë. Sot kemi kaluar 240 mijë në Facebook. Kam kënaqësi të veçantë tek shoh se jemi bashkë nga të gjitha trevat shqiptare, diaspora, por dhe mijëra e mijëra miq të huaj nga mbarë bota, që më jepni mbështetjen dhe ndani me mua mendimet, idetë, shqetësimet, dëshirat dhe vizionin tuaj për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Ju falënderoj thellësisht nga zemra për mbështetjen tuaj”, shkruan kryeministri Berisha në Facebook.
Një falënderim i veçantë i kreut të qeverisë, është për rinjtë dhe të rejat, që siç tha kryeministri, për të janë burim i përhershëm frymëzimi dhe jehonë e fuqishme, për të çuar Shqipërinë drejt horizonteve të reja.
“Një falënderim i veçantë për të rejat dhe të rinjtë, energjia dhe forca e të cilëve mbetet një burim i përhershëm frymëzimi për mua. Zëri juaj jehon fuqishëm te unë dhe së bashku do ta çojmë vendin përpara, drejt horizonteve të reja që na presin”, shkruan ndër të tjera, kreu i qeverisë Berisha.
Një javë më parë, numri i fansave të kryeministrit kaloi atë të kryetarit të opozitës, i cili ndodhet në rrjetin social prej katër vitesh. Edi Rama vazhdon të ketë 170 mijë fansa, kundrejt 240 mijë të Sali Berishës, në vetëm dy javë pas çeljes së adresës prej tij.
Lançimi prej vetë kryeministrit Berisha të adresës së tij, në rrjetin social më popullor në botë, interesi i përdoruesve të Facebook, për tu bërë “miq” (përmes opsionit “like”) me kryeministrin, ishte jashtëzakonisht i lartë.
Këtë e ndikoi edhe më shumë fakti se kreu i qeverisë zgjodhi modelin e komunikimit përmes Facebook, për të bashkëbiseduar me të rinjtë, duke ndarë me ta komente, probleme dhe shqetësime të ndryshme. Dhe gjatë këtyre dy javëve, Berisha ka qenë tepër aktiv në faqen e tij, duke bërë postime të ndryshme si nga aktivitetet e përditshme politike, ashtu edhe momente të ngrohta familjare. Kjo padyshim që ka zgjuar kureshtjen e përdoruesve të Facebook, të cilët s’kanë ngurruar të bëjnë qindra “like” (pëlqime) dhe mijëra komente shoqëruese.