Zëvëndëkryeministrja dhe Ministrja e Shtetit për Integrimin, znj. Ermelinda Meksi ka zhvilluar një takim me koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Kosovën, z. Besim Beqja. Z. Beqja e
Zëvëndëkryeministrja dhe Ministrja e Shtetit për Integrimin, znj. Ermelinda Meksi ka zhvilluar një takim me koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Kosovën, z. Besim Beqja.
Z. Beqja e ka përgëzuar znj. Meksi për detyrën e re duke shprehur besimin e rritjes së mbështetjes së saj për procesin e përfshirjes së Kosovës në të gjitha nismat rajonale dhe integrimin evropian.
Bashkëbiseduesit kanë rënë dakort për thellimin e bashkëpunimit dhe asistencës në fushën e formimit të kapaciteteve drejtuese dhe administrative në fushën e integrimit.
Nga ana e saj, zëvëndëskryeministrja Meksi ka shprehur angazhim total për intensifikimin e bashkëpunimit me strukturat kosovare të integrimit. "Megjithëse Shqipëria ka një eksperiencë të re në proceset e integrimit, ne do të shkëmbejmë me ju eskperiencat më të mira",-është shprehur znj. Meksi.
"Ne duhet të përfitojmë sa më shumë nga eksperienca e punës së qeverisë shqiptare në hapat e marrë drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Kjo eksperiencë do na ndihmojë për realizimin e hapjes edhe në Prishtinë të një Zyre Integrimi, që do të afronte më shumë Kosovën me procesin e integrimit"-është shprehur në takim z. Beqja.
Në kuadrin e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Kosovën i ka kërkuar zëvëndëkryeministres Meksi ndihmën dhe angazhimin e autoriteteve shqiptare për konkretizimin e projektit për ndërtimin e linjës energjitike Fierzë-Prizren prej 400 KË.
Znj. Meksi është shprehur që të dy palët duhet të shfrytëzojnë strukturat dhe projektet e Paktit të Stabilitetit për të qënë pjesë aktive e procesit të integrimit ekonomik ku tashmë Kosova është në konsideratën e strukturave të Bashkimit Evropian.
Bashkëbiseduesit kanë përshëndetur procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë i cili duhet të ndiqet nga iniciativa të tjera bashkëpunimi në kuadër të Paktit të Stabilitetit.