OKB: Trafik armësh mbi Libinë. Qeveria: Furnizuam rrebelët, jo Gadafin
Tiranë- Dyshimet dhe akuzat se Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve kanë marrë përmasa të tjera.
Top Channel publikon një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili provon se në vitin 2011 autoritetet shqiptare kanë shitur armë në Libi, duke thyer embargon që OKB kishte vendosur ndaj këtij vendi, i cili në atë kohë ishte i përfshirë nga konflikti i armatosur. Raporti zbulon se trafiku është kryer vetëm një muaj para vrasjes së ish diktatorit Muamar Gaddafi.
Grupi hetimor i OKB, i cili ka zhvilluar disa vizita faktmbledhëse në Tiranë, ka dokumentuar se në datat 10,11 dhe 12 shtator të vitit 2011, nga aeroporti i Rinasit janë nisur tre avionë me armatime shqiptare, të cilat sipas dokumentacionit duhet të mbërrinin në Emiratet e Bashkuara Arabe, por në fakt kanë përfunduar në qytetin libian të Bengazit.
Skema e trafikut, që përfshin disa kompani nis me MEICO, kompaninë publike të Shqipërisë për eksport-importin e armëve. Në korrik të vitit 2011 MEICO është kontaktuar nga një kompani armene me emrin D.G Arms Coorporation, që kërkonte të blinte armatim për llogari të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Por MEICO preferoi që shitjen ta kryente te një kompani shtetërore, cka bëri që në skemë të përfshihej edhe Ukrinmash, një kompani e zotëruar nga qeveria ukrainase. Sipas investigimit të OKB, MEICO i ka shitur gjatë kësaj kohe kompanisë ukrainase 800 mijë fishekë të kalibrit 12.7,108 milimeter.
Hetuesit e OKB kanë zbuluar se fishekët shqiptarë, ishte pjesë e një sasie me të madhe prej 2 milionë copësh që Ukrinmash duhej ti shiste Emirateve të Bashkuara Arabe së bashku me 1 mijë armë automatike kallashnikov. Për 1.2 milionë fishekët e tjerë nuk ka informacion se ku kanë përfunduar dhe hetuesit e OKB thonë se janë duke vazhduar hetimet.
Përtej kësaj skeme që në letra dukej si tregti ligjore armësh, në të vërtetë është zhvilluar një trafik i jashtëligjshëm në aksin Tiranë-Bengazi. Ekspertët e OKB kanë faktuar se në datat 10, 11 dhe 12 shtator të vitit 2011, MEICO ka siguruar lejet e fluturimit për të eksportuar 800 mijë copë fishekë nga Rinasi drejt aeroporit ndërkombëtar të Abu Dabit.
Por rruga e fluturimit është devijuar dhe tre ngarkesat e nisura për në Abu Dabi kanë përfunduar të treja në qytetin libian të Bengazit. Kompania ajrore që ka bërë transportimin e armëve është armenia AYK AVIA, një kompani e vendosur më parë në listën e zezë të OKB për thyerje embargosh të armëve, posacërisht në Somali.
Autoritetet shqiptare i kanë deklaruar ekspertëve të OKB-se se ata nuk ishin në dijeni të devijimit të fluturimeve, gjë e cila ka ndodhur jashtë hapsirës ajrore shqiptare. Por hetuesit e OKB thonë se kanë siguruar prova se disa prej autoriteteve shqiptare kishin informacion të bollshëm për këtë devijim, por nuk morën asnjë masë. Sipas tyre, kjo faktohet nga kërkesa për ulje që avioni që ka transportuar armët ka bërë pranë autoriteteve shqiptare.
Ndonëse destinacioni i armëve kishte Emiratet e Bashkuara Arabe, në kërkesën zyrtare të avionit transportues që u është dorëzuar autoriteteve aeroportuale shqiptare ka qënë i përcaktuar që më parë itinerari Tiranë-Zarzis-Bengazi. Në kërksën për ulje saktësohet se materiali që po transportohet cilësohet si i rrezikshëm, cka provon se bëhej fjalë për armatime.
Po kështu, thotë raporti, planet e fluturimit ishin bërë të ditura për autoritetet aeroportuale të Shqipërisë përpara fluturimit të parë dhe tregonin se destinacioni ishte Bengazi. Në total janë bërë tre të tillë, që kanë ndjekur të njëtin itinerar mes Tiranës dhe Bengazit pa u pyetur nga autoritetet shqiptare.
Raporti zbulon se Shqipëria i ka dërguar një letër panelit investigativ të OKB ku sqaron se devijimi i njëanshëm i rrugës së tre avionëve që transportonin armë, nuk ka mundur të vihet re dhe ndalohet nga autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, duke e justifikuar me një gabim njerëzor dhe mungesë vëmendjeje nga agjentët e trafikut.
Marrë nga Top Channel
Armë në Libi, qeveria: Nuk furnizuam ushtrinë e Gadafit, por rrebelët
Por pavarësisht se në media u publikua disa ditë më parë se OKB-ja kiahte nxjerrënjë raport ku thuhej se Shqipëria theu embargon me Libinë në 2011-ën, Ministra e Mbrojtjes në një deklaratë për mediat i është përgjigjur akuzave të Partisë Socialiste, sipas të cilës Shqipëria ka shkelur embargon e armëve të OKB-së dhe ka dërguar municione në Libi gjatë luftës në 2011-ën për rrëzimin e Gadafit.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Edvin Kulluri i ka cilësuar shpifje deklaratat e opozitës dhe ka theksuar se Shqipëria nuk e ka thyer embargon e armëve të OKB-së.
“Kontrata për eksportin e municioneve në fjalë është bërë me një vend mik. Ministria e Mbrojtjes disponon të gjithë informacionin ligjor përkatës që ia ka vënë në dispozicion OKB, për Shqipërinë nuk ka thyerje embargoje për sasinë e fyshekëve të eksportuar, tha Kulluri.
Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj Ilir Gjoni akuzoi dje MM-në se gjatë konfliktit civil dhe revoltës kundër regjimit të Muamar Gadafit ka dërguar armë dhe municione.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar të mërkurën një raport mbi 90 faqesh, në të cilin thuhet se Shqipëria ka thyer embargon e armëve ndaj Libisë gjatë konfliktit të vitit 2011.