E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërimi i Feithit

Luftimi dhe mposhtja e korrupsionit nuk ka alternativë, përndryshe Kosova kurrë nuk do të arrijë sukses drejt Bashkimit Europian, ka deklaruar Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peiter Feith, të martën, gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan të Kosovës në Prishtinë.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të luajnë rolin kryesor në luftimin e korrupsionit, ndërkaq gjykatësit dhe prokurorët e EULEX’it do të ndihmojnë dhe monitorojnë kolegët e tyre kosovarë.

“Mendoj se Kryeministri, gjatë dialogut tim të vazhdueshëm me të, më ka siguruar se çështja e krimit të organizuar dhe korrupsionit do të trajtohet me sukses. Në realitet, një numër i veprimeve tashmë janë ndërmarrë, por kjo nuk është diçka që do të përmirësohet brenda natës”, ka thënë Feith.

Megjithëkëtë, Shefi i ICO’së, ka theksuar se hapa të tjerë janë të domosdoshëm në këtë drejtim.

“Në fakt, nuk ka alternativë për hapat e tjerë që duhet ndërmarrë, përndryshe Kosova kurrë nuk do të përparojë drejt Bashkimit Europian. Për këto gjëra duhet kohë, por unë jam i bindur se ne do t’ia dalim që Kosova të lirohet nga korrupsioni”, ka thënë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.

Ndërkaq, i pyetur nëse ka kërkuar nga Kryeministri Hashim Thaçi të shkarkojë një Ministër të Qeverisë, Feith nuk ka pohuar as mohuar këtë.
“Ju lutem, bëhuni të durueshëm dhe do të shihni zhvillime të tjera”, ka thënë Feith.

Ndërkaq, duke iu referuar rastit të Albin Kurtit dhe tentimeve të pasuksesshme të Policisë së Kosovës, që pas një ceremonie mortore ta arrestojnë atë, Feith tha se drejtësia është në kërkim të Kurtit dhe se ai nuk mund të fshihet nga drejtësia.

“Një sistem i pavarur i drejtësisë përbën njërin prej komponentëve kryesorë të një shteti”, nënvizoi Feith.

Në vazhdim, ai u ndal edhe në perspektivën europiane të rajonit. Përmirësimin e raporteve Kosovë - Serbi, Feith tha se e sheh si të domosdoshëm dhe kriter që këto dy shtete të mund t’i realizojnë synimet për integrimet evropiane.

“Është me rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të fillojnë bashkëpunimin për zgjidhjen e çështjeve të hapura, që kanë implikime afatgjate për të dyja palët”, tha zyrtari i lartë europian.

“Regjistrimi i popullatës, i caktuar për majin e vitit 2011, është një çështje që do të kërkojë bashkëpunim me Beogradin”, tha ai.

Gjatë kësaj ligjërate, Feith u shpreh i rezervuar në lidhje me përparimet ekonomike. Ndërkaq, në vazhdimësi adresoi mesazhe optimiste për përparimet e bëra në përgjithësi, këto vitet e fundit.

Feith tha se mandati i Shefit të ICO’së, pavarësisht se do të jetë ai apo dikush tjetër në krye, pritet të zgjasë edhe për më shumë se një vjet, përderisa ai i Përfaqësuesit Special të BE’së mund të jetë më afatgjatë.

Deri më tani, ai tha se nuk ka dashur në asnjë rast t’i përdorë autorizimet e tij që ia mundëson Pakoja e Ahtisaarit dhe t’i shkarkojë përfaqësuesit e zgjedhur kosovarë, kur ata bëjnë shkelje të caktuara, ngase këtë përgjegjësi ua kishte lënë në autorizim udhëheqësve të institucioneve të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›