E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri Haxhinasto, priti në një takim Giorgio Maria Castriota Scanderbeg

08-06-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti dje, në takim pasardhësin e Skënderbeut, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg dhe bashkëshorten e tij Stefania Monachello, të cilët ishin ftuar nga Instituti Kombëtar i Diasporës.
Zyra e shtypit e MPJ-së, bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg shprehu përshtypjet mbresëlënëse nga vizita e tij në trojet e vendlindjes së Kastriotëve, në Dibër të Madhe dhe në Peshkopi, si edhe i dorëzoi një dosje me dokumentet zyrtare të qeverisë italiane, ku dëshmohet prejardhja e tij prej heroit tonë kombëtar.
Ndërsa zëvendëskryeministri Haxhinasto, vuri në dukje se heroi ynë kombëtar është një vlerë dhe simbol i përbashkët për gjithë shqiptarët. “Promovimi i Skënderbeut është njëkohësisht promovim i vlerave tona kombëtare. Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë një kalorës i kristianizmit por dhe i vlerave evropiane”, theksoi kryediplomati shqiptar.
Bashkëbiseduesit theksuan domosdoshmërinë që së bashku të bëjnë edhe më shumë përpjekje për rikthimin sa më të plotë në kujtesën e popullit mik italian, të figurës së heroit kombëtar shqiptar dhe njëkohësisht heroit evropian, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›