“Modeli ekonomik i Shqipërisë ia doli t’i bëjë ballë recesionit global”

Kryeministri Sali Berisha angazhohet personalisht në një aksion për nxitjen e investimeve në sektorë strategjikë
Kryeministri Berisha deklaroi në konferencën vjetore të përbashkët për bankat e rajonit, se qeveria është përpjekur të krijojë një klimë të favorshme për bankat, duke theksuar se shumica e bankave në Shqipëri janë të huaja. Ai theksoi se në kuadër të krizës financiare është shumë e rëndësishme dhënia e kredive dhe financimi nga bankat i projekteve për shndërrimin e Shqipërisë si një vend të zhvilluar.
Kreu i qeverisë Sali Berisha duke folur në takimin ekonomik të EFSE-së, Fondit Evropian për Evropën Juglindore, vlerësoi modelin ekonomik të Shqipërisë si plotësisht të suksesshëm dhe dinamik. Një model me qeveri të “vogël”, si dhe implementimi i reformave në sektorin fiskal e kthen ekonominë e Shqipërisë në shembull suksesi në vendet e Evropës Juglindore dhe më gjerë. “Shqipëria ka një ekonomi të vogël, por dinamike me një model funksionues, që ia doli të përballojë me sukses pasojat e rënda të krizës financiare botërore. Modeli ekonomik i vendit tim bazohet kryesisht në një qeveri të vogël dhe fakti që në momentin e krizës u gjend me një sektor publik më të kufizuar se vendet fqinje, përbën një fakt të rëndësishëm për sektorin privat”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ky institucion, ia doli që në një kohë të shkurtër, të fitojë një emër dhe një prestigj jo vetëm në Ballkan, por në Evropë dhe botë. Shqipëria ka përfituar deri tani mbi 8.300 kredi nga ky fond, gjë që përbën një ndihmë të madhe dhe me vlerë për zhvillimin e saj ekonomik. “Historia e Fondit të Europës Juglindore në të cilën qeveria shqiptare u bë ndër aksionerët e parë rajonal, është një histori e vërtetë suksesi. Nga ky fond në Shqipëri janë dhënë mbi 8300 kredi. Po të kemi parasysh kohën kur këto kredi janë dhënë dhe përfituar, vlera e tyre është shumë e madhe, sepse në një periudhë të vështirë për ekonominë europiane dhe shqiptare rajonale ekonominë botëror, e këto kredi dhanë një ndihmesë të madhe, mbrojtën dhe mundësuan mijëra e mijëra vende punësimi. Nxitën prodhimin, u shndërruan këto po të përdorim gjuhën e Skënderbegut, në një faktor të rëndësishëm rezistence ndaj cunamit ekonomik dhe financiare Europian dhe botëror dhe unë ju falënderoj për fjalët inspiruese që gjetët për Skënderbegun”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri bëri thirrje për rritjen e investimeve në zonat malore duke premtuar se qeveria do të nxjerrë shumë shpejt një ligj, që do përjashtojë për 8 vjet nga taksat ata që investojnë për turizmin malor. “U përpoqëm të vendosim një kuadër ligjor sa më të përshtatshëm për bankat. Bankat në Shqipëri janë të gjitha të huaja, pasi kanë gjetur një klimë të favorshme. Ëndrra e çdo shqiptari është ‘Shqipëria vend zhvilluar’. Ajo ka të gjithë potencialet për ta arritur këtë objektiv dhe këtë mund ta bëjë falë investimeve në mbarë vendin. Koncepti i qeverisë shqiptare është që Evropën ta ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë”, theksoi kryeministri Berisha.
“Qeveria do të nxjerrë një ligj që parashikon 8 vite pa asnjë taksë për ata që investojnë në zonat turistike malore të vendi. Kulmi i krizës ka kaluar, por sërish borxhet janë bërë si fantazma financiare dhe kjo detyron dhe imponon një qëndrim të ri. Ky qëndrim i ri kërkon që qeveritë të bëjnë çdo gjë për t’i ulur ato duke zvogëluar në mënyrë të pamohueshme, portofolin investues të qeverive. Në këtë pikë roli i bankave dhe kredive bëhet më i rëndësishëm”, vijoi më tej kryeministri.
Më tej, Berisha përmendi edhe modelin fiskal që aplikon aktualisht vendi ynë, duke e cilësuar atë të suksesshëm. Sipas tij, u aplikua ulja e taksave, si atë të të ardhurave personale dhe atë të fitimit, në sigurimet shoqërore, e të gjitha këto u kthyen në një nxitje për biznesin shqiptar, duke krijuar një klimë dhe terren shumë të mirë për investimet e biznesit. “Ne ndërmorëm ulje të mëdha taksash, ulje të cilat në taksën e fitimit shkuan rreth 150 për qind, në taksen e të ardhurave personale rreth 130 për qind. Nga sigurimet shoqërore rreth 100 për qind, po kështu me dhjetëra tarifa u zhduken ose u shndërruan në 1 euro. Të gjitha këto u bënë një nxitje për biznesin shqiptarë. Të gjitha këto krijuan një mjedis shumë më të mirë për investimet dhe biznesin. E vërteta është se këto kanë qene vitet në të cilat biznesi i vogël, është mbi dyfishuar dhe ajo që është specifike në këtë mbi dyfishim është se kjo ka ndodhur edhe në zonat e largëta të vendit, ky dyfishim nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë apo në Durrës, jo. Ka ndodhur edhe në Pukë, në Kukës, ka ndodhur edhe në zona të tjera të largëta të Shqipërisë”, u shpreh kryeministri. “Në vitet e qeverisjes sime, fitimet e biznesit janë dyfishuar”, shtroi ai.
Duke mos lënë pa përmendur edhe faktin se u vendos një kuadër ligjor dhe bashkëpunim me bankat, sa më i favorshëm për bizneset në vend. “Sistemi bankar përjetoi kohë të vështira gjithashtu nga efektet e krizës financiare. Por kjo qe një stuhi afatshkurtër, dhe bankat e vendit u sollën me seriozitet”, tha kryeministri. Ndërkaq, kryeministri përmendi si një ndër faktorët e rritjes ekonomike në vend dhe modelit funksionues të saj, edhe investimet. “Shqipëria 20 vite më parë renditej në 3-4 vendet më të varfra të botës, sot renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Por Shqipëria ka një ëndërr, çdo shqiptarë ka një ëndërr dhe ëndrra e çdo shqiptari është ‘Shqipëria vend i zhvilluar’. ‘Shqipëria vend i zhvilluar’, ka të gjitha potencialet ka të gjitha mundësitë për tu bërë një vend i tillë, por natyrisht Shqipëria vend i zhvilluar do të behët nëpërmjet reformave universale të gjithanshme dhe investimeve në mijëra e mijëra projekte në të katër anët e këtij vendi. Koncepti i qeverisë shqiptare është ky, Europën duhet ta ndërtojmë në çdo qoshe të Shqipërisë. Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që mund të bëhet 100 për qind prodhuese e energjisë dhe eksportuese e saj. 2/3-at e rajoneve në Shqipëri, në përgjithësi kanë mundësi të mëdha për investime”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.
Duke vlerësuar modelin ekonomik të Shqipërisë, si të suksesshëm, model i cili arriti ti bëjë ballë recesionit global, kryeministri Berisha, vuri në dukje dhe vlerësoi sit ë rëndësishme, uljen e borxheve, rolin e bankave, si dhe fuqizimin e sektorit privat.
“Kulmi i krizës ka kaluar por sërish zonja dhe zotërinj, siç e shihni borxhet janë bërë si fantazma financiare dhe kjo natyrisht detyron dhe imponon një qëndrim të ri. Ky qëndrim i ri kërkon që qeveritë të bëjnë çdo gjë për t’i ulur ato duke zvogëluar në mënyrë të pamohueshme, portofolin investues të qeverive. Në këtë pikë roli i bankave dhe kredive bëhet më i rëndësishëm. Për vendin ka vetëm një rrugëdalje, fuqizimi i sektorit privat, financimi i tij, kreditimi i tij më i madh dhe në këtë aspekt roli i fondit Europian mbetet dhe bëhet edhe më jetik, roli i institucioneve financiare private bëhet edhe më i rëndësishëm”, përfundoi Berisha.