A mund të zhbëhet dëmi që iu bë Kosovës në shtatë ditët e fundit
Nuk ka pasur javë më të rëndë për Kosovën dhe qytetarin e saj të ndershëm sesa java që shkoi. Nuk ka pasur tituj më të dëmshëm për Kosovën në mediat perëndimore sesa javën që shkoi, që nga koha e ngjarjeve të marsit të vitit 2004, e madje as atëherë. Ishin dy gjëra që e sollën Kosovën në kryetitujt e gazetave dhe në lajmet kryesore të mediave perëndimore. Nisi gjithçka me zgjedhje, të cilat mediat i paralajmëruan si historike, pasi që ishin të parat në Kosovën e pavarur. Gjithçka shkonte në rregull deri në mbrëmjen e së dielës. Mediat perëndimore njoftonin për testin e madh të pjekurisë demokratike, që Kosova duhet ta kalojë këtë të diel. Por gjithçka shkoi mbrapshtë nga mbrëmja e asaj dite. Të nisur nga motoja e mësuar mirë nga vëllezërit në Shqipëri „çfarë më duhen mua zgjedhje fer dhe të lira, nëse unë nuk dal fitues“ në Kosovë, para syve të vëzhguesve vendës dhe atyre pak miqve ndërkombëtarë aktivistët partiakë, dyshimi me të drejtë bie më së shumti te PDK-ja, që bëri mashtrime në zgjedhje. Nuk janë të rastësishme dhe nuk janë gabime. Janë thjesht manipulime të qëllimta sepse fletëvotimet nuk kanë hyrë rastësisht nëpër kuti, por dikush i ka futur aty.
Kosova ra në provimin e parë. U bë, pos Shqipërisë, i vetmi vend jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, me zgjedhje jo të rregullta. Do të kalojnë vite dhe hija e këtij fakti do ta ndjekë Kosovën, siç po e ndjek Shqipërinë në 20 vjetët e fundit. Askund tjetër në Evropë, pos në Shqipëri dhe Kosovë, ndoshta edhe në Bjellorusinë e Lukashenkos, nuk flitet fare për zgjedhje të rregullta, sepse një gjë e tillë është e vetëkuptueshme. Por jo edhe në këto vende. Tash do të dëgjojmë me vite për „përparime“, siç dëgjojmë në rastin e Shqipërisë. Nuk duhet të mashtrohen kosovarët me deklaratat e BE-së se zgjedhjet ishin „kryesisht të qeta“, sepse kënaqësia e BE-së është me faktin se nuk ka pasur gjakderdhje. Aq e nënçmon BE-ja Kosovën, saqë nga ajo as që pret zgjedhje të rregullta, por kënaqet nëse ato kalojnë pa gjakderdhje. Përsëritja e votimeve në disa vende të Kosovës nuk do të shlyejë tërë këtë mëkat të strukturave të shtetit të ri të Kosovës. As tentimet e PDK-së për t’u marrë vesh me dy parti tjera (AKR-në dhe AAK-në) dhe me pakicat para rivotimeve të 9 janarit, në mënyrë që ato zgjedhje të konsiderohen atëherë të parëndësishme, nuk do t’i ndihmojnë Kosovës që ta kalojë riprovimin pas rënies në provim më datën 12 dhjetor.
Me zgjedhjet e 12 dhjetorit kosovarët ( jo populli, sepse ai ishte i vetmi që e dha provimin, por autoritetet) tradhtuan edhe miqtë e tyre ndërkombëtarë, ata që në Kosovë kanë vënë në test edhe kredibilitetin e tyre. Tash as atyre nuk do t’u jetë e lehtë të angazhohen për Kosovën. Për shembull, që tash në Bruksel dëgjohet se kosovarët për disa vite duhet të harrojnë liberalizimin e vizave, sepse aty ku falsifikohen nënshkrime, vota dhe fletëvotime, mund të falsifikohen edhe pasaporta dhe atij vendi nuk duhet dhënë liberalizimin e vizave.
Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme për t’i dhënë një goditje të rëndë Kosovës, u gjet Dick Marty, deputeti kontrovers i Këshillit të Evropës me raportin e tij, me të cilin njollos UÇK-në, shoqërinë kosovare, shtetin e Shqipërisë dhe një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe personalisht kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me disa bashkëpunëtorë të tij. Ky ishte një raport i shkruar me tendencë dhe në një „stil të lirë“ sikur të ishte roman. Akuzat ishin përpiluar në stilin e ish- kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, e cila të njëjtat akuza i kishte shkruar në libër. Burimet nuk përmenden në këtë raport pos raporteve të disa shërbimeve të zbulimit.
Lajmi mori botën sikur të ishte i vërtetë. Askush apo rrallëkush e merrte me dyshim këtë raport plot paragjykime, tendenca dhe fyerje sikur edhe fraza trilluese. Por mediat e kafshuan grepin e Dick Martyt. Dëmi u bë. Koha u erdhi atyre analistëve nëpër botë që ishin kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s. Të gjitha tash, sipas mediave të Evropës, duhet rishikuar. Gazetat nuk sulmonin vetëm kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin, por edhe Tony Blairin dhe të gjithë ata që në karrierën e tyre ishin angazhuar për Kosovën. Krejt kjo për shkak të manipulimit që as në Serbi nuk i besojnë, për vrasje të serbëve nga UÇK-ja për t’ua marrë organet.
Me siguri se Marty e as Carla del Ponte nuk do të mund t’i dëshmojnë pohimet dhe akuzat e tyre për „shtëpinë e verdhë“. Por kjo nuk do të jetë shumë me rëndësi për mediat. Imazhi i keq u krijua dhe pasojat do të ndihen në të ardhmen. Diplomatët ndërkombëtarë parashikojnë se tash e tutje liderët e shteteve perëndimore „nuk do të vrapojnë për t’i shtrënguar duart me Thaçin“, edhe pse e dinë se ajo që ka shkruar Marty nuk është e vërtetë. Por perceptimi në opinion është krijuar e politikanët veprojnë edhe në bazë të perceptimit e jo vetëm të së vërtetës.
Edhe kur të dëshmohet se Marty nuk e ka thënë të vërtetën, ai nuk do të ketë pasoja. As shërbimet e zbulimit, të cilat në raportet e tyre kanë shkruar se „Thaçi dyshohet të ketë lidhje me mafian“ nuk do të kenë pasoja. Pasoja do të ketë Kosova, pa marrë parasysh se cila është e vërteta. Shërbimet e zbulimit në raportet e tyre shkruajnë gjithçka që dëgjojnë çdo kund e të thonë se ajo është e vërtetë. Ja një shembull: Vetë Carla del Ponte, që në disa raste është dëshmuar si një person i pamoralshëm, me vite „i bindte“ vendet e BE-së se i akuzuari nga Tribunali i Hagës, Ante Gotovina, ndodhej në Kroaci. Madje ajo thoshte se kishte dëshmi se në cilën kishë katolike ai po strehohej në Kroaci. Këto i kishte nga shërbimet e zbulimit, ashtu siç thirret sot Marty. Kroacisë për këtë iu bllokua hapja e negociatave me BE-në. Ajo mbeti për këtë shkak edhe sot e kësaj dite pa u anëtarësuar në BE. „Po të mos ishte shërbimi i zbulimit i një vendi anëtar i BE-së, i cili na mashtroi se Gotovina ndodhej në Kroaci, ky vend do të ishte tashmë anëtar i BE-së“, kishte thënë para një viti Guntgher Verheugen, komisioner historik i zgjerimit të BE-së. Gotovina u arrestua në territorin e BE-së në Spanjë. U zbulua se asnjëherë nuk kishte qenë në Kroaci që nga arratisja e tij e parë, por në Argjentinë, Rusi, në Republikën Çeke, Itali, Spanjë e në tërë botën, por jo në Kroaci. Carla del Ponte u bë ambasadore. Askush nuk i kërkon llogari për rrenat e saj. Kroacia nuk është në BE.
Kosovës në shtatë ditët e fundit iu bënë dy dëme, që ndoshta kurrë nuk do të mund të përmirësohen në tërësi. Për njërin janë fajtorë vetë kosovarët, sepse askush nga jashtë nuk ka faj pse zgjedhjet ishin me përplot mashtrime, ndërsa për dëmin tjetër u kujdes zvicerani, Dick Marty, me fushatën e tij manipuluese përmes raportit në Këshillin e Evropës. Kosova pas javës që shkoi në sytë e botës perëndimore, me apo pa të drejtë, duket më shumë si një shtet i dështuar afrikanë sesa një vend që mund të integrohet në BE. Edhe pse ndoshta kurrë nuk mund të zhbëhet dëmi, megjithatë duhet punua patjetër për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga fytyra e këtij shteti të ri. Për këtë duhet angazhim në skenën ndërkombëtare e jo deklarata për media të liderëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ky raport mund të jetë rezultat edhe i neglizhencës së Kosovës dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Diplomatët e Shqipërisë e kanë përplot gojën me „lobim për Kosovën“, por ky raport është një shembull tipik sesa e paaftë është diplomacia e Shqipërisë. Kosovës në këtë rast i është bërë e padrejtë, sepse ajo as nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe veten nuk mund ta mbrojë. Tash duhet një angazhim i vërtetë, me përkushtim dhe mençuri, që të zhbëhet një pjesë e dëmit që iu bë Kosovës. Kjo nuk do të arrihet me video spotet „Yong Europeans“ e as me padi kundër gazetës “Guardian”. Kjo gazetë, ndonëse ka shkelur etiken gazetareske, sepse i ka botuar akuzat pa marrë reagimin e personave që akuzohen, nuk mund të nxirret në gjyq, sepse e ka shfrytëzuar një raport të një zyrtari, i cili përfaqëson një organizëm ndërkombëtar. Më të vështirë betejën eventuale ndaj kësaj gazete e bën fakti se Qeveria e Kosovës nuk konsiderohet të jetë ndër mbrojtësit e mëdhenj të profesionalizmit të mediave në botë. Pas kësaj jave të tmerrshme Kosova duhet t’i hapë sytë e veshët e jo t’i mbyllë. Të nxirret edhe nga kjo javë fatkeqe një mësim për të ardhmen.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës, “Koha Ditore”