Zëvendëskryeministri Meta takon homologun e tij kinez, Dejiang
“Investitorët kinezë, të gatshëm për të investuar në Shqipëri”
Zëvendëskryeministri Ilir Meta, priti dje homologun e tij kinez Zhang Dejiang dhe delegacioni i tij, me rastin e 60 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Gjatë takimit mes dy delegacioneve u vlerësua niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit politik dhe u theksua nevoja e zgjerimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Gjatë bisedimit Meta vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe transmetoi ftesën për zyrtarët më të lartë të shtetit kinez, Presidentit të Republikës, kryeministrit, Kryetarit të Asamblesë Popullore dhe Ministrit të Punëve të Jashtme për të vizituar Shqipërinë.
Ilir Meta shtroi nevojën e konkretizimit të marrëveshjeve të nënshkruara më parë mes dy qeverive në fushat e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe çështjeve të brendshme dhe nënvizoi nevojën e plotësimit të mëtejshëm të kuadrit të bashkëpunimit me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e drejtësisë dhe financës.
Zëvendëskryeministri Zhang Dejiang shprehu gatishmërinë e qeverisë kineze për inkurajimin e ardhjes së investitorëve kinezë në Shqipëri dhe vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë në fushat e teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjetikës dhe infrastrukturës”.
Gjithashtu Dejiang kërkoi një prani më të madhe të biznesmenëve shqiptarë në Kinë me qëllim përmirësimin e bilancit të shkëmbimit tregtar në favor të eksporteve shqiptare.
Dejiang theksoi se synimin e stimulimit të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore duke shprehur në këtë kontekst, dëshirën për hapjen e Institutit të Konfucit në Shqipëri si dhe e informoi z. Meta rreth vendimit të Qeverisë kineze për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik në Kinë.
Në përfundim të takimit mes dy delegacioneve, Zëvendëskryeministrat Meta dhe Dejiang theksuan nevojën e forcimit të bashkëpunimit në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe në trajtimin e përbashkët të sfidave globale. Në fund të takimit Zëvendëskryeministri Zhang Dejiang e ftoi homologun e tij shqiptar Ilir Meta për një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
...