E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendësministri Selimi takon Nënkryetarin e Parlamentit Europian

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, u takua me Nënkryetarin e Parlamentit Europian dhe politikanin e njohur austriak Othmar Karas, ambasadoren Heidemarie Gurer, njëherësh edhe drejtoreshë për Ballkan, Kaukaz dhe Azi Qendrore në MPJ të Austrisë si dhe disa përfaqësues diplomatikë dhe udhëheqës të organizmave multilaterale me seli në Vjenë.

“Qëllimi i vizitës është informimi i palëve dhe organizmave për momentin prezent politik në Kosove si dhe të shpjegojë nikoqirëve lëvizjet strategjike të Ministrisë së Jashtme të Kosovës duke kërkuar ndihmë drejt anëtarësimit në organizma shumëpalësh”, thuhet në një komunikatë të MPJ’së.

“Në takimin e gjatë dhe të përzemërt me Nënkryetarin e Parlamentit Europian nga Partitë Popullore Europiane Z. Karas, të mbajtur në Shtëpinë e Europës në Vjenë, z. Selimi njoftoi nikoqirin për zhvillimet e fundit në Kosovë, pritjet e Kosovës në fushën e integrimeve europiane dhe strategjinë dhe lëvizjet e diplomacisë kosovare drejt bashkëveprimit më të ngjeshur në organizma shumëpalësh. Z. Selimi po ashtu falënderoi z. Karas për ndihmën që partia e tij i ka dhënë Kosovës, që nga koha e Alois Mock, ish-ministër nga radhët e partisë konservatore”, vazhdon komunikata.

Z. Karas shprehu interes për situatën prezente dhe diskutoi skenarët e mundshëm të zhvillimeve në muajt e ardhshëm. Z. Karas shprehu gatishmëri të ndihmojë proceset politike që po zhvillohen në Kosovë, përfshirë punën në lobimin me 5 shtetet e BE-së që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nënkryetari i Parlamentit Europian ftoi Zëvendësministrin Selimi të mbajë një ligjëratë në takimin e radhës të liderëve dhe ministrave të rinj europianë nga Partitë Popullore që do të mbahet në Bruksel. Z. Karas, i cili është edhe drejtor i Institutin të mirënjohur Schuman ofroi MPJ’së së Kosovës bashkëpunim konkret në projektet e diplomacisë publike dhe shprehu interesim për një vizitë të shpejtë Republikës së Kosovës”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›