E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjaten kontratat kolektive në arsim

Ministria e Arsimit dhe Sindikatat e punësimit nënshkruajnë marrëveshjen që mbron arsimtarët

Ministri Tafaj: Rritja e statusit të mësuesit dhe kualifikimit, do të sjellin punësimin sipas meritës

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka nënshkruar dje me përfaqësuesit e dy sindikatave të arsimit një marrëveshje për kontratën kolektive të punës. Kjo kontratë e rinovuar, e cila shënon edhe fillimin e punës së një grupi pune, me përfaqësues nga MASH dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë standardet e arritura tashmë në këtë fushë dhe të zhvillojë më tej disa pirje tyre.

Kështu, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Ministri Myqerem Tafaj, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrushi dhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Bajram Kruja, u zotuan të mbrojnë punonjësit e arsimit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Tafaj tha se qëllimi i përbashkët i palëve është që standardet e kontratës të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e reformës së sistemit arsimor në të gjitha këndvështrimet.

Sipas ministrit, efektet e para të zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të reflektohen në rritjen e statusit të mësuesit dhe nivelit të kualifikimit të tyre, për të vazhduar më tej tek tërësia e masave që MASH do të ndërmarrë për rritjen e kualifikimit të mësuesve në detyrë, reforma këto që pritet të garantojnë punësim në bazë të meritës.

Mbështetur në Ligjin nr. 7961 datë 12.7.1995 dhe Kontratën Kolektive të datës 4 Korrik 2006, afati i kësaj Kontrate Kolektive do të zgjatet deri në nënshkrimin e një kontrate të re, që do të përfshijë ndryshimet, plotësimit dhe përmirësimet që do t'i bëhen Kontratës që është sot në fuqi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar në Kontratën Kolektive ekzistuese, në Kontratat Kolektive të mëparshme, në dispozitat e Kodit të Punës për Kontratën Kolektive dhe dokumentacionin që FSASH/SPASH kanë depozituar në MASH, njeh legjitimitetin e këtyre dy sindikatave, si pala e vetme, përfaqësuese, për fillimin e negociatave për ripërsëritjen e Kontratës Kolektive të punës të datës 4 korrik 2006. Të dy palët ranë dakord që procesi i negocimit për ripërtëritjen, ndryshimin, plotësimin dhe përmirësimin e Kontratës Kolektive të Punës të fillojë që në momentin e nënshkrimit.

Në këtë kontratë, sipas ministrisë së Arsimimit specifikohen ndryshimet e disa dispozitave ekzistuese dhe përfshirja e dispozitave të reja që diktohen nga angazhimet e të dy palëve për zhvillimin e procesit të reformimit dhe modernizimit të arsimit.

Në kodin e punës kontrata kolektive përcaktohet kështu: "Çdo organizatë punëmarrësish, përfaqësuese, e krijuar në bazë të ligjit, mund t'i kërkojë çdo punëdhënësi ose çdo organizate punëdhënësish fillimin e bisedimeve për lidhjen e kontratës kolektive të punës në nivel ndërmarrjeje, ndërmarrjesh apo dege aktiviteti, në favor të një apo disa kategorive profesionale. Shumë organizata punëmarrësish mund ta ushtrojnë këtë të drejtë së bashku".

Përcaktimi i kohëzgjatjes së kontratës kolektive në Kodin e Punës

1. Kontrata kolektive lidhet për një kohëzgjatje të caktuar
ose të pacaktuar.
2. Kontrata kolektive e lidhur për një kohëzgjatje të
pacaktuar mund të zgjidhet nga secila palë. Në këtë rast afati
i njoftimit është gjashtë muaj.
3. Kontrata kolektive e lidhur për një kohëzgjatje të caktuar
për më shumë se tre vjet, mund të zgjidhet nga secila palë,
pas kalimit të këtij afati. Në këtë rast afati i njoftimit
është gjashtë muaj.
4. Kur kontrata kolektive lidhet, nga disa punëdhënës ose
punëmarrës, zgjidhja e kontratës kolektive nga njëri prej tyre
e lë në fuqi marrëveshjen kolektive midis të tjerëve.
5. Kontrata kolektive nuk mund të mbahet në fuqi në mënyrë të
arsyeshme, kur rrethanat ndryshojnë në mënyrë të dukshme dhe
nuk mund të parashikohen në çastin e lidhjes së saj. Në këtë
rast, pala më e interesuar mund t'i drejtohet gjykatës për të
vendosur zgjidhjen e parakohshme të saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›