E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai: Banda vrau Taullain, për 500 mijë euro gjobë

Vëllai i biznesmenit të "vrarë" nga banda e Lushnjes rrëfeu dje në gjykatë "taksat" e bandës dhe presionet, eksplozivin në karburant dhe kërcënimet

Sipas dëshmitarit, në procesin ndaj bandës, kunati i Dondollakut vinte në lokalin e tij dhe merrte gjobat

TIRANË- Fatmir Taullai vëllai i Baki Taullait, i vrarë me 4 korrik 2005 në qendër Lushnjes nga Leonard Prifti i njohur me nofkën"Çibuku", rrëfeu dje në Gjykatë gjatë procesit të bandës së njohur si e Aldo Bares, ankthin dhe vuajtjet e familjes nga presionet, kërcënimet e gjobat e "bandës".

I thirrur nga Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorisë, dëshmitari Taullai konfirmoi dëshminë e tij dhënë para oficerëve të policisë, duke akuzuar të pandehurit e "bandës" së Lushnjës se për tetë vite rresht, 1997-2005 kanë kërcënuar e zhvatur disa herë familjen e tyre.

Sipas tij, disa nga të pandehurit, në emër të Alfred Shkurtit apo Aldo Bares, nëpërmjet kërcënimeve të ndryshme, kanë marrë nga i vëllai i tij tashmë i vrarë Baki Taullai shuma të ndryshme parash.

Në momentin ai i denoncoi në polici dhe nuk pranoi të paguante "gjobat" e Enver Dondollakut, Ilir Stërgut, Arjan Aliços, Arben Boriçit Leonard Priftit, fillimisht i vendosën tritol te karburanti e më pas e vranë mes qytetit.

Vrasja ndodhi tre muaj pas shpërthimit të tritolit dhe pak ditë pasi Baki Taullai denoncoi në polici me emra "gjobëvënësit". Sipas tij Dondollaku edhe nga Italia ku punonte, i telefononte shpesh të vëllait duke i kërkuar shuma parash në shtëpinë e tij.

Dëshmia

"Kemi qenë katër vëllezër dhe tashmë jemi 3, pasi Bakiun e vrau Leonard Prifti më 4 korrik 2005. Vëllai ynë Baki Taullai kishte karburantin dhe punonte mirë. Një ditë, Ilir Stërgu i shkoi atje dhe i tha: Të kërkon shefi (për Aldo Baren) për një sqarim.

Unë dhe Bakiu shkuam pas tij dhe në lokalin në qendër të qytetit afër banesës së Fred Shkurtit takuam Enver Dondollakun, Arjan Aliçon, Arben Boriçin dhe Leonard Priftin. Ata akuzuan vëllan tjetër Sajmirin se kishte marrë pjesë në një shkëmbim zjarri ndaj Aldo Bares.

Për këtë Bakiu u betua që nuk ka lidhje vëllai jonë. Ata na kërkuan 10 milionë lekë të vjetra që i paguam pasi na kërcënuan se do ta vrisnin. Ia dhamë lekët dhe vëllanë e dërguam në Greqi. Më pas, filluan prapë kërcënimet e presionet. Një ditë tjetër Leonard Prifti e Ilir Stërgu rrëmbyen Albertin vëllanë tjetër, dhe e dërguan te Varrezat e Dëshmorëve për ta vrarë.

Atje shkoi Bakiu dhe pagoi 5 milionë lekë dhe e liruan. Shpesh Bakiu na mblidhte vëllezërve dhe na thoshte se i kanë vendosur "gjobë" njerëzit në emër të Fred Shkurtit dhe detyroheshim t'i paguanin nga frika e vrasjeve.
Njëherë në karburant erdhi e i mori lekët e "bandës" Eduart Demiri, të cilin e kishte dërguar Ilir Stërgu.

Në vitin 2002 vëllai Bakiu tentoi të blejë një tokë tek "Rotanda" në hyrje të Lushnjës, kur kunati i Enver Dondollakut erdhi në karburant e ia dha telefonin Bakiut, nga ana tjetër ishte Dondollaku nga Italia. Ai i tha: Duhet të paguash taksë 500 mijë euro, nëse e blen atë tokë.

Nga kjo taksë vëllai refuzoi blerjen e tokës. Pak muaj më vonë, erdhi prapë kunati i Dondollakut me telefon, e nga ana tjetër e telefonit Dondollaku i kërkoi që t'i dërgonte motrës së tij 6 mijë euro. Kjo pagesë do mbyllte presionet ndaj familjes tonë. Vëllai ia dërgoi por presionet vazhduan. Vite më vonë i vendosën tritol karburantit pasi vëllai nuk pranoi të paguante 500 mijë eurot si taksë pasi kishte blerë tokën.

Pas këtij tritoli Bakiu i denoncoi në polici të gjithë me emër, dhe të gjithë presionet e gjobat që kishte paguar. Pas denoncimit Leonard Prifti, mbrëmjen e 4 korrikut 2005, vrau Bakiun në mes të qytetit mes turmës pikërisht për këtë fakt"- tha dëshmitari Fatmir Taullai.

Dëshmitari
Dërgoja lekët të fejuarës së Aldo Bares në Rumani

TIRANË- Gjithashtu, në seancën e djeshme gjyqësore ndaj të pandehurve të "bandës" së Lushnjës me kërkesë të prokurorisë dëshmoi edhe shtetasi Artan Bendo ish-drejtues i një agjencie Ëester Unioni dhe turistike. Në fjalën e tij para togave të zeza Bendo konfirmoi para togave të zeza se nëna e shtetases Denada Kodra, e njohur ndryshe si e fejuara e Aldo Bares i dërgonte shpesh para nga Lushnja në Rumani ku ajo studionte për mjekësi.

"Shtetasen Vjollca Çela e kisha kliente të rregullt në agjenci, e cila i dërgonte çdo muaj gocës ë saj Denada Kodrës lekë në Rumani ku ajo studionte. Dërgesat kanë qenë të shumave të ndryshme që nuk i mbaj mend konkretisht, por, kishte edhe rast kur ajo na thoshte me telefon dërgoi kaq lekë dhe më pas i sillte tek ne"-tha Bendo duke u shprehur se ishte kliente e rregullt dhe kishim besim tek ajo se lekët që i dërgonim i sillte.

Gjithashtu, në fjalën e tij Bendo konfirmoi deklarimet e dëshmitarit Mirko Gjerivani i cili ia kishte marr 2 milionë lekë të vjetra borxh për të paguar "dëmtimet" e makinës së pjesëtarëve të "bandës".

Dëmtime këto që sipas dëshmitarit Gjerivani nuk kishin ndodhur realisht, por, i kërkonin në formë "gjobe". Gjatë deklarimeve të tij, Gjerivani pat deklaruar në gjykate se shumën prej 2 milionë lekësh e kishte marrë borxh tek agjencia e Wester Unionit, deklarim ky që u konfirmua edhe nga ish-drejtuesi i kësaj agjencie, Artan Bendo. Më pas seanca gjyqësore u shty për javën tjetër, për thirrjen dhe pyetjen e pesë dëshmitarëve të tjerë të akuzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›