E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha- Rama, takim "partnerësh". Harrohen akuzat

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe Prokurorja e Përgjithshme folën dje për ristrukturimin e Policisë Gjyqësore dhe ligjit Antimafia

TIRANË- Këtu e 15 muaj më parë, me urdhër të kryeprokurores Ina Rama, ish-Ministri i Transporteve Lulëzim Basha tashmë me detyrën e ministrit të Brendshëm, u mor në pyetje nga prokurori i dosjes hetimore të skandalit të ndërtimit të rrugës "Rrëshen-Kalimash", ndërkaq, dje gjatë një takimi një orësh, ata shtrenguan duart mes tyre sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Me kërkesë të të dyja palëve, por për "interes" të mirëfunksionimit ligjor të shtetit, mesditën e djeshme, kryeprokurorja Rama priti në një takim një orësh ish- të pandehurin e institucionit të saj, tashmë me detyrën e ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, i cili "falë" gabimeve procedurale të organit të akuzës i shpëtoi dënimit penal.

Në atë kohë, ministri Basha që tashmë i zgjati dorën kryeprokurores Rama, e pat cilësuar hetimin ndaj tij si një skenar politik të mirorganizuar nga opozita duke e "akuzuar" institucionin e akuzës si vegël të opozitës.

Por, përveç takimit formal mes krerëve të dy institucioneve, ajo që ra në sy më shumë ishte edhe njoftimi për media i shpërndarë nga të dyja këto institucionet, ajo e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme.

Në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga dy zëdhënëse të ndryshme, rezultonte se deklarata ishte e njejtë dhe vetëm me logo dhe emrat e titullarëve të ndryshëm. Ky njoftim, të lë të kuptosh se është përpiluar nga njëri prej zëdhënësve apo këshilltarëve mediatikë të këtyre institucioneve dhe më pas është shpërndarë nga institucionet përkatëse.

Gjithashtu, sipas këtij njoftimi të njëjtë zyrtar të shpërndarë nga zyra e shtypit pranë Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Prokurorisë së Përgjithshme, në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të këtyre dy dikastereve. Në krahë të ministrit Basha mësohet se ishte njëri nga zv/ministrat e tij, Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zv/drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar, Agron Kuliqi.

Ndërkohë, në krah të kryeprokurores Ina Rama, mësohet se ishin të pranishëm Drejtori i Hetimit Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme, prokuror Sokol Stojani dhe Drejtori i Inspektimit, prokuror Arben Dollapi.

Sipas këtyre burimeve zyrtare, konfirmohet se tema e diskutimit mes tyre ishte evidentimi i fushave kryesore ku nevojitet thellimi i bashkëpunimit mes strukturave të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Të dy këto institucione, gjatë takimit një orësh, shprehën angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për projektligjin e ri të përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij. "Kryeprokurorja Rama dhe Ministri Basha diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë për zbatimin e ligjit "Antimafia", një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare"-thuhet në njoftimin e përbashkët zyrtar.

Drejtues e këtyre institucioneve u zotuan se krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra.

Basha: Duhet riorganizuar puna e komisariateve

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, ka hedhur idenë e rikonceptimit të punës nëpër komisariatet e policisë në të gjithë vendin. Sipas kreut të dikasterit të Brendshëm, komisariatet e policisë nuk duhet të jenë si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por duhet që të kthehen në qendra pritjeje për qytetarët në rastet kur paraqitet nevoja për të kryer një denoncim apo për një problem tjetër.

Këtë qëndrim ministri i Brendshëm Basha e mbajti në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet, që i zhvilloi punimet dje në Tiranë.

Basha u shpreh se duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë midis Policisë së Shtetit dhe shërbimeve sociale që veprojnë në vend, psikologëve dhe punonjësve sociale për ndihmën që nevojitet të marrin qytetarët kur paraqiten në strukturat e policisë.

Në Konferencën Kombëtare për Sigurinë në Komunitet morën pjesë edhe kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, dy zv. ministrat e Brendshëm, Ferdinand Poni dhe Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Parë Hysni Burgaj, drejtuesit e policisë në qarqe, drejtues të organeve të pushtetit vendor, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të misioneve të huaja që asistojnë policinë shqiptare. F. C

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›