E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjaten oraret për aplikimin për karta e pasaporta

Ardhja e emigrantëve ka krijuar radhë të gjata në pikat e aplikimit. Për këtë arsye, kompania konçesionare “Aleat” po aplikon orare të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit në 77 bashki e komuna dhe në 21 zyra të shpërndarjes së dokumenteve të identitetit.

“Në takimin e përditshëm mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë “Aleat” u konfirmua se janë marrë të gjitha masat për mbajtjen hapur me orare të zgjatura, nga ora 08:30 deri në orën 19:00, në të 77 zyrat e aplikimit si dhe në 21 zyra të shpërndarjes”, thekson Ministria e Brendshme.

Këto zyra do të jenë të hapura dhe ditën e shtunë. Ditën e diel do të jenë të hapura zyrat e aplikimit në 12 qytete qendër qarku si dhe në bashkitë Kavajë, Lushnjë, Sarandë, Kamëz si dhe në komunën Paskuqan. Në të njëjtën mënyrë do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes.

Deri ditën e djeshme datë 04.08.2010 kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 880 mijë shtetas dhe janë prodhuar mbi 840 mijë pasaporta biometrike. Ministria e Brendshme i kërkoi kompanisë koncesionare “Aleat” që nëse do të ketë fluks qytetarësh dhe në bashki e komuna të tjera, të aplikohet regjimi i mësipërm si dhe të shtohet numri i bashkive e komunave ku punohet dhe ditën e diel varësisht nga fluksi i qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›