E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjatimi i bulevardit dhe lumi i Tiranës zgjojnë interesin e Katarit

14/02/2012  Basha merr mbështetjen e emirit të Katarit për projektet strategjike të Tiranës, ja ku do të ndërhyhet

Sigurohet mbështetja financiare e Katarit në zbatimin e projekteve zhvilluese të Tiranës. Dy ndër projektet më të rëndësishme që kanë zgjuar interesin e investitorëve të Katarit pohohet të jenë zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, i cili fatkeqësisht për vite të tëra është lënë jashtë vëmendjes, duke u shndërruar në një burim kërcënues për shkak të ndotjes. Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Katar është pritur në takim nga emiri i Katarit, sheiku Hamad Bin Khalifa Al-Thani, nga i cili ka marrë dhe mbështetjen për projektet strategjike të Tiranës. Gjatë takimit Al-Thani ka siguruar Bashën se do të angazhojë të gjithë strukturat e specializuara të shtetit të tij për të nxitur dhe inkurajuar kompanitë e njohura që të investojnë në kryeqytetin shqiptar. Emiri i Katarit u interesua për ecurinë e projekteve të reja strategjike të lançuara nga kryebashkiaku Basha, duke u ndalur specifikisht te projekti për zgjatimin e bulevardit të Tiranës dhe interesin e madh që studiot më të famshme arkitekturore kanë shprehur për hartimin e projektit të tij. Konkretisht sa i takon këtij projekti më 9 mars 7 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre para një jurie ndërkombëtare për bulevardin e ri të Tiranës. Gjithashtu një tjetër projekt i rëndësishëm dhe me impakt të madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe zhvillimin e qytetit është dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës. Më tej Basha ka prezantuar edhe nisma të tjera të rëndësishme, që kanë nevojë për mbështetjen e investitorëve të këtij vendi, siç janë ndërtimi i dy linjave të tramit, ndërtimi i terminalit të ri etj. Emiri i Katarit ka shprehur mbështetjen e tij dhe të agjencive të investimeve të Katarit për zhvillimin e projekteve publike të bashkisë tonë. Pjesë e takimeve të Bashës ishte dhe zëvendëskryeministri Abdullah Al-Atijah. Basha e ka njohur zëvendëskryeministrin me prioritet e punës së tij, që janë zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Në këtë kuadër, që në nisje të punës së tij ka ndërmarrë disa hapa për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur punësimin, siç është: heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore, çlirimi nga taksat bashkiake për një periudhë 4–vjeçare, për të gjitha kompanitë që punësojnë mbi 50 punonjës etj. Më tej, Basha sqaroi se lejet dhe licensat do të merren në një sportel unik, ndërsa një pjesë e madhe e tyre do të reduktohen, masa këto që ndihmojnë në krijimin e një klime bashkëpunimi për thithjen e investimeve të huaja.

Al-Atijah ka vlerësuar masat e ndërmarra nga bashkia, të cilat sipas tij do të inkurajojnë investitorët për të shtrirë aktivitetin e tyre në Tiranë dhe u angazhua për të nxitur biznesin e Katarit të shohë me prioritet Tiranën dhe Shqipërinë në planet e tyre të biznesit.

Zoti Basha e konsideroi mjaft të rëndësishme për Shqipërinë nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes për punësimin, marrëveshje e cila i hap rrugë punësimit të qytetarëve shqiptarë në Katar. Kjo marrëveshje shihet me shumë interes nga ky vend, pasi nevoja për specialistë në fusha të ndryshme është mjaft e madhe, diktuar edhe nga zhvillimi i Katarit me ritmet më të shpejta në botë. Njëkohësisht Basha ka siguruar edhe mbështetjen e Agjencisë Shtetërore të Investimeve të Katarit “Katar Holding” dhe Katari DIAR” për një sërë projektesh të zhvillimit të Tiranës.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Zbatuese “Katari DIAR” Mohamed Al-Hedfa i bëri të ditur zotit Basha se në muajin prill do të vijë në Tiranë për t’u njohur nga afër me projektet e zhvillimit të kryeqytetit shqiptar. Gjithashtu Basha ka siguruar mbështetjen e drejtuesve të fondacionit “Katar” për të asistuar në ndërtimin e parkut teknologjik në Tiranë. Po kështu ata u shprehen të gatshëm të mirëpresin studentë shqiptarë që duan të studiojnë në Katar në të gjitha degët që përmban fondacioni “Katar”.

Zgjatimi i Bulevardit

Sa i takon zgjerimit të bulevardit, është menduar shtrirja e tij të arrijë deri te stacioni i Treni dhe përgjatë lumit të Tiranës, në një gjatësi prej 1.8 kilometra. Kështu, zgjerimi do të shkojë drejt lumit të Tiranës në hapësirën mes urës së Brarit dhe urës së Kamzës dhe më tej zgjatimi nga lumi i Tiranës deri në rezervuarin e Paskuqanit, ku gjithçka do të zhvillohet në bashkëpunim me komunën përkatëse. Bashkia ka lidhur tashmë edhe marrëveshjen e bashkëpunimit me komunat përkatëse për zbatimin e projekteve

Transporti publik

Lidhur me sistemimin e trafikut, e transportit publik, është parashikuar që të rikonceptohet stacioni i ri i Trenit, i linjave të autobusëve urbanë dhe interurbanë, me pikëtakimin në bulevardin e ri, ngritja e këtyre linjave do të nisë nga bulevardi i ri deri në sheshin "Nënë Tereza", por mund të zgjerohet edhe më tej, si pasojë e diskutimeve që do të zhvillohen nga inxhinierët. Një tjetër linjë do të jetë ajo Kinostudio-Kombinat dhe përveç kësaj do të sistemohet edhe linja e tramvajit rreth e qark unazës ekzistuese

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›