E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjatja e hetimit për dosjen e Gërdecit për pazare politiko-mediatike me tragjedinë

Qeveria garanton se do të vazhdojë të jetë gjithmonë pranë banorëve. Zbardhja e të vërtetës me rëndësi për drejtësinë shqiptare

Në 1-vjetorin e ngjarjes tragjike të Gërdecit, qeveria shqiptare shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella, të plagosurve dhe të lënduarve të këtij aksidenti tragjik dhe ndan me ta dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta sikundër i siguron ata të gjithë se do të jetë bashkë me ta, do të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin për kapërcimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të këtij aksidenti tragjik. Qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike.

TIRANE - Me rastin e 1-vjetorit të ngjarjes tragjike të Gërdecit, qeveria shqiptare deklaroi se sikundër ka vepruar deri më tani, do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen banorëve, për kapërcimin e pasojave të aksidentit tragjik.
Zëdhënësja e kryeministrit Juela Meçani, tha se 15 marsi është një ditë nderimi dhe respekti për 26 burra dhe gra, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik.
“Qeveria shqiptare në 1-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor familjeve të viktimave, të plagosurve dhe të lënduarve të këtij aksidenti tragjik dhe ndan me ta dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta. Qeveria i siguron ata të gjithë se sikundër deri më sot ajo do të jetë bashkë me ta, do të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin për kapërcimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të këtij aksidenti tragjik. Qeveria falënderon familjet e viktimave dhe të gjithë komunitetin e zonës së Gërdecit si dhe qeverinë vendore, për kontributin dhe bashkëpunimin e frytshëm dhe luajal me këtë qeveri, në të gjithë trajtimin e problematikës së zonës”, u shpreh Meçani.
Zëdhënësja e kryeministrit vuri në dukje se qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike dhe vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë dhe qëndrimin e kësaj qeverie që në minutat e para pas aksidentit e deri në ditët e sotme.
Ajo theksoi se qeveria që në minutat e para pas aksidentit organizoi operacionin e kërkim-shpëtimit më të shpejtë dhe më të suksesshëm në historinë e vendit, mijëra trupa të njësive të ushtrisë dhe policisë si dhe qindra banorë të zonës, u përballën me vetëmohim dhe heroizëm të pashoq, për çdo minutë për 48 orë rresht me vdekjen dhe shpëtuan dhjetëra e dhjetëra jetë.
“Qeveria së bashku me komunitetin dhe qeverinë vendore të Vorës, mori të gjitha masat organizative dhe financiare për rindërtimin në kohë rekord të mbi 4000 banesave dhe objekteve të rrënuara apo të dëmtuara në zonë”, theksoi zëdhënësja Meçani.
Duke iu referuar hetimeve dhe zbardhjes të së vërtetës lidhur me aksidentin teknologjik në Gërdec, zëdhënësja e kryeministrit Juela Meçani tha se qeveria ka dhënë të gjithë ndihmesën e saj për një hetim të shpejtë, të pavarur dhe të gjithanshëm, sikundër ka këmbëngulur që të vendosen para ligjit dhe organeve të drejtësisë, autorët e tragjedisë.
Meçani vuri në dukje gjithashtu “se qeveria nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me akuzat e formuluara vetëm e vetëm për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik, nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit dhe pazaret politiko-mediatike me dosjen e kësaj tragjedie. Për qeverinë zbardhja e të vërtetës mbi Gërdecin është me rëndësi kapitale për drejtësinë shqiptare”, përfundoi zëdhënësja e kryeministrit Juela Meçani, gjatë një deklarate për shtyp, për 1 vjetorin e ngjarjes së rëndë të Gërdecit, e ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar. 

Deputetët e PD-ës denoncojnë shmangien e organit të akuzës nga provat

Prokuroria, sjellje cinike, i ka vënë në shërbim të opozitës hetimet për ngjarjen e Gërdecit

TIRANE - Zëdhënësi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi dje në 1 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, se Prokuroria i ka vënë hetimet në shërbim të opozitës dhe se kjo e fundit po përdor aksidentin e rëndë, për qëllime politike.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka kërkuar dhe mbështetur hetimin e gjithanshëm dhe të shpejtë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për tragjedinë e Gërdecit . Ky grup ka denoncuar dhe denoncon përdorimin e dosjes së Gërdecit për qëllime cinike dhe çnjerëzore për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik dhe për të dështuar hetimet, duke formuluar akuza për anashkalimin e ushtrisë dhe korrupsionin ndërkohë që ekzistonin 32 dokumente me 3 deri në 7 firma që vërtetonin të kundërtën”, u shpreh Bumçi.
Deputeti demokrat theksoi në vijim duke iu referuar protestës së opozitës për tragjedinë e Gërdecit se Edi Rama, se ka bashkëpunuar me një nga të akuzuarit kryesor të kësaj tragjedie.
“Rama nuk ka moral të protestojë për Gërdecin sepse me Delijorgjin ka sipërmarrje të përbashkëta dhe vetëm javën e fundit para aksidentit, ndau me të 8 leje ndërtimi në zona të ndryshme të Tiranës”.
Partia Demokratike akuzon prokurorinë se ka vënë në shërbim të opozitës hetimet e ngjarjes së rëndë dhe me anë të dosjes së Gërdecit, po fshihen përgjegjësit e vërtetë të aksidentit tragjik që i mori jetën 26 personave dhe që plagosi 300 të tjerë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›