Socialistët, këta përdhosës historikë të Flamurit Kombëtar

Pas yllit të kuq me pesë cepa, e kallëzave të grurit, dje kishin shtuar edhe fjalë...
Një thirrje Prokurorisë për të filluar hetimin “kryesisht”, në bazë të disa neneve të Kodit të Procedurës Penale dhe normave të parashikuara edhe në kushtetutën e Shqipërisë, lidhur me cenimin e simboleve kombëtare dhe denigrimin e flamurit kombëtar
TIRANE – Partia Socialiste ka përdhosur dje Flamurin Kombëtar, kur mbi fushën e kuqe të tij, nën shqiponjën dykrenore, kishte shkruar me shkronja të bardha “Ndryshim”.
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 14 të saj, nuk lejon që mbi Flaumrin Kombëtar të ketë mbishkrime, apo simbole të tjera.
“Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes”, thuhet në nenin 14 të Kushtetutës së Republikës ë Shqipërisë.
Cenimin e Flamurit Kombëtar, nuk e lejon as Ligji Nr. 8926, i datës 22. 07. 2002, “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar...”.
Neni 3 i këtij ligji, i cili parashikon “Format dhe përmasat e Flamurit Kombëtar”, sanksionin se, “Flamuri Kombëtar paraqet një fushe me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje të zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pende, ndërsa bishti ka shtatë pendë; Përmasat e Flamurit Kombëtar përcaktohen në raportin 1 me 1.4 njësi; Pamja e Flamurit Kombëtar, fortësia e ngjyrave te tij dhe raportet janë ato të përcaktuara në shtojcën nr .1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij”.
Në historinë afër 100-vjeçare të shtetit shqiptar, të vetmit që kanë guxuar të përdhosin simbolet kombëtare kanë qenë komunistët dhe pinjollët e tyre që sot quhen “socialistë”. Gjatë luftës civile kur luftonin sipas urdhrave të Dushanit e Miladinit kundër vëllezërve të tyre, të frymëzuar nga drapërinjtë dhe çekanët e Moskës i vunë një yll të kuq flamurit kombëtar duke i sjellë një përdhosje që zgjati gati 50 vjet.
Edhe kur regjimi kishte rënë dhe në vend ishte vendosur sistemi shumëpartiak, komunistët e shndërruar në socialistë, nuk pranuan të hiqnin yllin e kuq nga flamuri kombëtar, ndërsa u desh fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit 1992 për të vendosur flamurin kombëtar në të vërtetën e tij historike pa yjet e kuq të Stalinit e stemën e shtetit pa kallëzat me “24 maji 1944”.
Por të prapët po të prapë ngelën. Janë mësuar ta përdhosin flamurin kombëtar. Janë mësuar të bëjnë të njëjtën gjë me simbolet kombëtare. Një gjë të tillë patëm rastin ta shihnim dje gjatë asaj që vetëm politikë nuk mund të quhet, që vetëm normalitet nuk mund të quhet.
Një flamur kombëtar në përmasa gjigante, ishte keqpërdorur sipas dëshirës së shërbëtorëve të Edi Ramës sikur flamuri të ishte një nga pikturat mediokre e pa vlerë të këtij bojaxhiu të realizimit socialist, a thua se flamuri ishte ai tasi me makarona që ushqente emigrantin “thonj pa prerë” vite të kaluara.
Nuk është fjala pra për këtë tas, as për bunkerët me plaçka të vjetra, as bienalet ordinere, etj që frymëzonin e frymëzojnë pinjollin e bllokmenëve, Edi Rama.
Fjala është për cenimin e flamurit kombëtar nga një grusht njerëzit të cilët kishin shtuar fjalë brenda flamurit sikur ta kishin këtë emblemën me luanë të bashkisë së Tiranës. Çdo shtetas shqiptar ndihet i fyer nga kjo përdhosje dhe meqë Prokuroria jonë ka qenë vigjilente në leximin e shtypit dhe frekuentimin e kanaleve televizivë, të fillojë çështjen penale “kryesisht”.
Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë miratuar me ligjin nr. 7895, datë 27 janar 1995, ndryshuar me ligjin nr. 8204 datë 10 prill 1997, ndryshuar me ligjin nr. 8279 datë 15 janar 1998, ndryshuar me ligjin nr. 8733 datë 24 janar 2001, në nenin 229, “Veprimet fyese ndaj himnit e flamurit”, thuhet se “përdorimi i fjalëve ose kryerja e veprimeve që botërisht fyejnë flamurin”, “përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit”.
Ndërsa në nenin 268 “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”, thuhet se “poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në 2 vjet”.
Fyerja dje mbërriti në kufij ekstremë, kur veglat mediatike të Edvinit, aty rreth orës 19, ndoshta të ndikuar disi edhe nga rezistenca publike që nisën të shfaqnin protestuesit ndaj cenimit të simbolit kombëtar, u porositën njëkohësisht që termat “‘stafeta e flamurit kombëtar’, e ideuar nga drejtuesit e Partisë Socialiste”, u zëvendësua papritur me terminologjinë ‘stafeta e flamurit të paqes’, e mbajtur nga përfaqësues të Shoqatës së Gërdecit”.
Pra, së fundmi u regjistrua edhe një qëndrim meskin, por që kjo s’duhet ta pengojë Prokurorinë e Përgjithshme që t’u shkojë deri në fund përgjegjësive, për këtë fyerje që iu krye dje simbolit tonë kombëtar.
E kështu, çdo shtetas shqiptar do të ketë rastin pra të shikojë nëse ndëshkohen apo jo këto shkelës të ligjit e simboleve kombëtare.
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SE SHQIPËRISË
Neni 14
2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
LIGJI Nr. 8926, datë 22. 07. 2002
“Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar...”
Neni 3
Format dhe përmasat e flamurit kombëtar
1. Flamuri kombëtar paraqet një fushe me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje te zeze dykrenore ne mes, me krahë te hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pende, ndërsa bishti ka shtate pende.
2. Përmasat e flamurit kombëtar përcaktohen ne raportin 1 me 1,4 njësi.
3. Pamja e flamurit kombëtar, fortësia e ngjyrave te tij dhe raportet janë ato te përcaktuara ne shtojcën nr .1, qe i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjese përbërëse e tij .