Hoxhaj: Ai i cili e ka bërë këtë akt të tillë është kriminel

Studentët e Universitetit të Prishtinës dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj në orët e mbrëmjes para Teatrit Kombëtar kanë ndezur qirinj në shenjë nderimi për dy ushtarët e vrarë amerikanë në terminalin 2 të Aeroportit të Frankfurtit.
Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve amerikanë, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të solidarizohen me popullin amerikan.
“Jemi këtu së bashku me studentët e UP-së që si shtet dhe si shoqëri ta dënojmë këtë akt të tillë. Përkundër asaj që edhe më tutje nuk dihen motivet e një akti të tillë, një akt i tillë është akt kriminal. Ai i cili e ka bërë këtë akt të tillë është kriminel për qytetarët e Kosovës dhe në asnjë formë nuk i pasqyron bindjet e qytetarit të Kosovës dhe të një kosovari, prandaj përmes këtyre qirinjve ne solidarizohemi me popullin amerikan, me ushtarët amerikanë që janë edhe ushtarë të lirisë së Kosovës dhe çdo herë shteti dhe populli i Kosovës do të ketë marrëdhënie të veçanta dhe speciale me SHBA-të”, ka thënë Hoxhaj, siç transmeton Kosovapress.
Kryetari i Parlamentit të Studentëve të UP-së, Selim Dallku, ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve amerikanë.
“Edhe studentët e UP-së solidarizohen me familjet e personave të prekur nga ky akt, po ashtu me kombin amerikanë, dhe si studentë me këta qirinj paraqesim qëndrimin e Parlamentit Studentor dhe tërë studentëve të UP-së mbi aktin të cilin e cilësojmë si akt jo të mirë dhe kriminel”, ka thënë ai.
Dy ushtarët amerikanë janë qëlluar për vdekje dhe dy persona tjerë janë lënduar rëndë nga një shtetas i Kosovës, në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.