Tipare të majtizmit të skajshëm
Vetëm në një rast u bënë të urtë ata të cilët u kruhej koka nën kësulë. Kjo ndodhi kur PD-ja mori më shumë se 2/3-at e parlamentit, në stinën e nxehtë të vitit 1992. Ishin ndërruar jo vetëm sistemet, por ishin përmbysur edhe statujat e bustet e stalinistit Enver Hoxha. Ishin ditë zie për mëkatarët, për keqbërësit e luftës së klasave, shkurt: për enveristët e zullumeve. Këta dilnin rrallë nga shtëpitë. Por edhe kur dilnin, po korrnin atë që kishin mbjellë, paçka se kishin vënë një maskë kthjelltësie të shtirë, ëmbëlsie të një babaxhani të sajuar, grimin e një pafajësie të rreme. Se ç’kishin ca si përfytyrime kobndjellëse: Ishin siluetat e Çausheskut dhe të Jelenës. Shoqata e ish-të përndjekurve Politikë, ajo e fillimit, e Osman Kazazit, (jo disa nga ato të mëvonshmet me disa nga drejtuesit e joshur dhe të kuar me privilegje joshëse), u deklaruan JO, për hakmarrje politike. Kërkohej vetëm drejtësi. Ajo ’97-a e tregishtorëve, përfshiu edhe disa nga bashkëvuajtësit të cilët, nga të pastrehë, u bënë me disa vendbanime, madje edhe me vila, të subvencionuara nga “xhaxhallarë” e mirëbërës të tjerë përtej Atlantikut... Ish-xhelatëve po u vinte fytyra në vend. Afarizmi i kuq, ndërkaq, bënte të vetën; dhe ky pasurim i mëtejmë, që i shtohej gjysmëpasurimit të privilegjeve nga diktatura, ishte edhe pushtet në rimëkëmbje. Pas revolucionit bolshevik të vonuar (1997), partia emërndërruar propagandonte se ish-të përndjekurit politikë ishin me ta!
Kryetari i zgjedhur i Shoqatës së dëmtuar nga firmat huamarrëse, në një sërë artikujsh në gazetën “55”, provonte me shifra se firmat piramidale i kishin shefat majtistë të thekur, në 90%. Edhe përfituesit ishin pronarët e rinj, të papronët e pronësuar, në po këtë shifër. Ky person i guximshëm, ftoi në debat televiziv ballafaqimi F. Arapin, të ngarkuar nga PS-ja kinse për rimbursimin (në 100 %!) të të humburve. Koordinatori i PS-së iu shmang ballafaqimit televiziv të përgjegjësit legal të të dëmtuarve. Sepse do të provohej që disa nga firmat nuk u dëshmuan në gjyq si “piramidale” (Vefa, për shembull), për shkak të aseteve të shumta dhe të veprimtarisë prodhuese. Do të provohej, po ashtu, se filluan abuzimet socialiste ndaj pasurisë së administruar, tashmë, nga rimbursuesit: Një helikopter u shit sa një autobus i një gjendjeje të mesme! Të tjerat, nënkuptohen.
Ja, ç’ishte ajo nëntëdhjeteshtata kobzezë për të cilën propagandistët tregishtorë ulërinin: “Na vranë, na prenë, na dogjën!”, në vend të “Ju vramë, ju premë ju dogjëm”. Mashtrimi u bë rit i përditshëm. Komunistët me brirë u bënë antikomunistë fiktivë (E. Rama, me pallë, i dënuar me vdekje nga komunistët e Smokthinës, tanimë miku më i imirë i tyre!). Pavlik Morozovët gjetën truall pjellor për pasurim të menjëhershëm, në saje të vringëllimave të kallashëve...
Nën shembullin akrobatik të Edvinit, filluan edhe të tjerët të akuzonin dygishtorët e parë të proceseve demokratike, si komunistë! Aferë politike e përdhosur, por me leverdi! Sikur e djathta të kishte në posedim të saj ato çimka, të pajisura me regjistruesit elektronikë të sotëm, do të dilte açik falsiteti dhe hipokrizia e atyre që e përgojojnë Dr. Berishën si komunist! Ç’bënin këta akuzues të patenzonë në kohët më të rrezikshme për fatet e demokracisë? Në cilën anën ishin këta mashtrues kur propaganda helmuese e R. Alisë përhapej si vajët në lakra? Ç’kanë thënë për Berishën ata mjekë që flasin sinqerisht si doktorë të Klinikës Speciale, domethënë të oborrit? Së pari, njëri prej tyre, më i rëndësishmi, thotë se ishte ai që e këshilloi Berishën të hynte në Parti. Kur e pa doktorin të lëkundur që të pranonte rekomandimin e tij për në parti, kishte vënë ré se doktori nuk e kishte të domosdoshme këtë anëtarësim. Por kolegu i tij i atëhershëm në profesionin e mjekut, e kishte bindur me fjalë të thjeshta, me dashamirësí: “Tani ti je anëtar i mjaft organizatave ndërkombëtare mjekësore. A e kupton se, duke mos qenë anëtar partie, nuk do ta kesh më të mundur pjesëmarrjen në punimet e këtyre organizatave? Pra, do të dëmtohesh në pikëpamje profesionale”.
Cili do ta dëmtonte aftësinë e vetvetes si kardiolog nga më të zotët, të një doktori nga më të shquarit e vendit, për një refuzim që do të interpretohej shtrembër në një regjim despotik ? Sa për atë “doktor i oborrit”, shpifje ordinere, ky është një mashtrim i pafytyrë. Nexhmije Hoxha e ka thënë shkoqur që Sali Berisha nuk ka qenë doktori i udhëheqësve. Atëherë ç’janë ata propagandistë të rangut të llumit që merren me shpifje të tilla? Përveç argumentit të Dr. Sabitit dhe atij të besueshëm të Nexhmijes, mund të jepet edhe një argument i tretë, që shumëkujt nuk i ka vajtur në mendje, mbase. Po të ishte Berisha komunist, të gjithë ata që “e mallkojnë si të tillë” do ta kishin shpirt e xhan! Sepse e quajnë të tillë me prapamendim dhe janë tepër hipokritë kur e quajnë të tillë, duke qenë vetë komunistë safí të kamufluar! Histori çimkash që gëlojnë në radhët e keqbërësve me prapamendime politike të shëmtuara! Tymnajë njerëzish të llumit: Unë komunist, por edhe ti komunist, eja gjeje se kush është dhe kush nuk është i tillë! Antikomunistë të kësaj skote janë ata të kallëpit të Edi Ramës, të cilit askush nuk ia besoi “antikomunizmin” e tij. Edhe ai vetë, Edvini, nuk i besoi vetvetes, kur e dogji traktatin e tij të antikomunizmit fals, me titullin “Refleksionet”! Provoni ta kërkoni në bibliotekën Kombëtare dhe s’do t’ju jepet; sa për shitoret, aty nuk gjen as nam as nishan. Atje vajtën militantët e Haxhi Pishmanit, alias Edvinit, që t’i tërhiqnin, me lekë në dorë, që këta libra t’i përpinin flakët e zjarrit, si në kohën e autodafeve të Hitlerit!
***
Sa për propagandistët e Edit, populli thotë “më thuaj me kë rri të të them kush je”. Saimir Tahiri ka marrë huqet e të zotit: të flasë e të flasë në panele, kur duhet sahati i cajtnotit, për ta nxjerrë gafil atë që përmendëm, si edhe atë tjetrin që vajti me galop te vendi i ngjarjes së rënies së autobusit në vendin e qershive, nja dhjetë minuta pa mbërritur në Elbasan. Dhe i hakërrehej atij tjetrit, deputetit të PD-së, përse kishte vajtur edhe ai të interesohej për ngjarjen! Kur zihen mat për shpifjet pa doganë, tundin dynjanë. Ua kanë fajin gjyqtarët që i pengojnë në ushtrimin e profesionit të tyre! Marrin edhe një tabor njerëzish të sërës së tyre, që të ushtrojnë presion psikologjik. A thua se gjykata qenka si në ato panelet, në të cilat Saimiri kërkonte dyfishin e kohës, që të shfaqte e të rishfaqte retorikën e tij me përsëritjen e hartimeve skolastike të së njëjtës thënie, me fillesën e padurueshme: “Siç e thashë edhe më parë...”. A thua se shikuesit duhej të dëgjonin se çka thënë e ç’nuk ka thënë më parë proliksi monoton S. Tahiri! Në gjyq ke vetëm një detyrë: Të vërtetosh se nuk ke shpifur. Propagandën kundër institucioneve të drejtësisë, që gjyqtarët të pengohen në administrimin e provave, kur ato institucione kërkojnë të japin një vendim gjyqësor të paanshëm, e ke bërë jashtë sallës së gjyqit, me bollëk, madjé. E kemi parë sesi, sipas mendësisë të legjislacionit të Vishinskit, të ankoheni përkundrejt KQZ-së në raportin 4:3, kur KQZ-të tuaja ishin “normale” në raportin 5:2, por edhe 6:1, kur hante qeni petulla pas pushtetit të kallashqafëve që solli atë tetëvjeçarin 1997-2005, për të cilin shefi juaj kishte thënë: “E kishim me hak humbjen e pushtetit”, që të bëhej vetë kryepushtetar në PS!
Por ky gjyq ndaj të paditurit S. Tahiri, ka edhe anën e vet groteske: Kërkohej të vinte në gjyqin ndaj tij edhe ambasadori amerikan, z. Arvizu. Për këtë i padituri gojëshpatë i kishte drejtuar edhe një letër ambasadorit amerikan, për ta shndërruar gjyqin e tij në një arenë publiciteti për vetveten... Megalomania e E. Ramës është një sëmundje ngjitëse. Ai nuk mund t’i shkrehet vartësit të tij, Saimirit, për këto marrëzí që shkojnë gjer në prurje si dëshmitar, Zot na ruaj, edhe presidentin e SHBA-ve! Sepse i sëmuri nuk mund t’u përvishet atyre të cilëve ua ka ngjitur sëmundjen e vet.
Për këto budallallëqe, S. Tahiri duhet t’i japë përgjigje edhe opinionit publik: Kush je ti, me këto pretendime? Ai duhet t’i përgjigjet edhe Sokratit të lashtësisë: “Njih vetveten!”.