Zgjedhja e Presidentit, Balla pas takimit me përfaqësues të opozitës: Kërkojnë më shumë kohë. Do jemi fleksibël

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas takimit me kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu, deklaroi se do të kërkojë shtyrjen e afateve dhe procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Në një prononcim për mediat, zoti Balla u shpreh se Mediu dhe deputetja Mesila Doda, me të cilët është takuar gjatë ditës së sotme, kërkuan që të shtyhet afati i mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Konferenca ishte propozuar të mblidhej më datë 29 prill. Ajo pritet të shtyhet për në datën 4 ose 6 maj.
“Kemi diskutuar lidhur me kalendarin e procesit. Kemi marrë një pjesë propozimesh me vlerë që lidhen me figurën e Presidentit të Republikës, për të filluar të ndërtojmë kriteret që do orientohet procesi i zhgjedhjes së kandidatit. Kemi pasur kontakte me zotin Mediu së fundmi. Më përpara me zonjën Doda, ku kemi marrë prej tyre një kërkesë, për të marrë pak më shumë kohë, ndoshta duke riskeduluar afatet me një javë shtesë. Kërkesa e tyre ishte që konferenca e parë për thirrje të mos ishte me 29 prill, por data 4 ose 6 maj, në varësi të afateve që do biem dakord. Duke mos harruar se brenda çdo 7 ditësh të riorganizohen raundet. Fleksibiliteti duhet të jetë maksimal. Nesër do i drejtohem kryetares së Kuvendit për të ndryshuar këto afate. Në ditët në vijim do të kemi një konfirmim nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Sot ishte e pamundur të takoheshim për rrethana të kuptueshme. Ajo që për mua ka rëndësi, është që procesi i zgjedhjes së Presidentit po ecën brenda një kalendari të shpejtë dhe të hapur. Duam një proces transparent” – tha Balla.