Zgjedhja e delegatëve të Kongresit sjell fortunë largimesh nga PS – dorëhiqet kreu i PS-së Vlorë
- Kujtim Sulçe: Rama zhduku demokracinë e brendshme në PS – delegatët po i emërojnë biznesmenë pranë kryesocialistit
- Akuza kryesocialistit Rama/ Po komandon zgjedhjen e delegatëve për në Kongresin e 5 nëntorit
- PS dega Shkodër: Zgjedhja e delegatëve, proces i manipuluar – kandidatët u caktuan nga deputetët
Mënyra e përzgjedhjes së kandidaturave në Partinë Socialiste, ka shkaktuar reagime të ashpra nga degët lokale të saj. Kështu në Vlorë kryetari i degës së PS, ka deklaruar tërheqjen nga kjo forcë politike dhe bashkimin me LSI-në. Kujtim Sulçe shprehu publikisht mënyrën e përzgjedhjes së delegatëve dhe akuzoi Edi Ramën se ka zhdukur demokracinë e brendshme në parti
Valës së të ikurve nga Partia Socialiste i shtohet edhe kryetari i degës së PS për Vlorën, Kujtim Sulçe. Mungesa e demokracisë së brendshme dhe anashkalimi i strukturave drejtuese lokale, ka detyruar kreun e Partisë Socialiste për rrethin e Vlorës, Kujtim Sulçe, të japë dorëheqjen nga ky post dhe të largohet përfundimisht nga kjo forcë politike, ku ka aderuar për vite me radhë, duke iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Jam këtu për të deklaruar dorëheqjen time nga të gjitha funksionet që mbajë, në Partinë Socialiste dhe largimin tim nga radhët e Partisë Socialiste, pasi e shikoj të pamundur për të vazhduar punë normale dhe kjo për shkak të drejtimit personal të PS-së nga zoti Rama. Kam vendosur të kontribuoj në politikë duke aderuar në LSI”- u shpreh Sulçe. Sipas tij, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, nuk i vlerëson socialistët me merita dhe përvojë, për të drejtuar organizatat socialiste në bazë dhe në qendër, por emëron njerëz që kanë punuar kundër kësaj force politike, vetëm për shkak të interesave personale. “Në këto vite që PS drejtohet nga z.Rama, dua të deklaroj se demokracia në parti nuk ekziston; se strukturat partiake nuk funksionojnë; se mendimi kolegjial nuk merret në konsideratë. Përzgjedhja e kandidaturave në strukturat e partisë të pushtetit vendor, përfshirë edhe qarkun nuk merr në konsideratë meritokracia. Ka një tendencë që kandidaturat të zgjidhen në të shumtën e rasteve nga biznesmenë ku propozohet dhe emërohet ai që deri dje ka qenë kundërshtari ynë politik”- deklaroi më tej ish kreu i PS-së dega Vlorë. Gjithashtu, Sulçe e ka akuzuar kryetarin Rama se ka shkatërruar strukturat e partisë. Burime brenda degës së Partisë Socialiste dega Vlorë, bëjnë me dije se largimi i ish kryetarit Sulçe, pritet të ndiqet edhe nga socialistë të tjerë.
PS dega Shkodër: Zgjedhja e delegatëve, proces i manipuluar – kandidatët u caktuan nga deputetët
Edhe pse nesër zhvillohen zgjedhjet për delegatët e kongresit të 5 nëntorit të Partisë Socialiste, delegatët e PS-së dega Shkodër, deklarojnë se po bëhen manipulime. Sekretari për marrëdhëniet me publikun të Partisë Socialiste dega Shkodër, Jetmir Shpuza, shprehet se përzgjedhja sipas parimit “një anëtar një votë”, për delegatët nuk do të respektohet dhe kjo pasi sipas tij, delegatët janë të emëruar prej krerëve lokalë. Ndaj, Shpuza thotë se zgjedhjet e ditës së sotme do të jenë thjesht formale. “Këtu po kërkohet të bëhet manipulim. Gjithçka nis nga vendosja e një komisioni formal dhe duke i fut letrat, pasi aty nuk do të ketë pjesëmarrje në votim. Parimi “një anëtar një votë” nënkupton që të nominuarit të bëjnë propagandë njëherë brenda anëtarësisë. Kjo s’ka ndodhur. S’ka patur kohë për të bërë propagandë për të votuar të nominuarin. Por ky nuk është votim. Gjithçka po nistrumentalizohet mes kryetarit të rrethit në bashkëpunim me deputetë, duke marrë edhe vulën e deputetit, për të forcuar gjithnjë e më shumë mendimin vendimmarrës. Atëherë le të ndryshohet statuti dhe delegatët le të zgjidhen nga kryetari i rrethit, s’është nevoja fare për të imponuar parimin “një anëtarë, një votë””- thotë ai. Shpuza deklaron gjithashtu se pjesë e manipulimit është edhe përjashtimi i asamblesë socialiste të Shkodrës, nga procesi i përzgjedhjes së delegatëve të Kongresit. “Të Enjten në darkë u mblodh asambleja e këtij qyteti dhe pjesa dërrmuese e kësaj asambleje pati kontestime, për të gjithë mënyrën dhe procesin dhe 3 pikat e tij kryesore si, lista e të nominuarve, pra atyre që do të votohen për delegat, vendvotimi që nuk dihej dhe ende nuk dihet dhe e treta komisioni. Komisionin e cakton dega e qytetit dhe jo ajo e rrethit, sepse asambleja e rrethit ka caktuar komisionin e rrethit”- tha ai. Shqetësime për manipulime në përzgjedhjen e delegatëve për kongresin e 5 nëntorit, ka shprehur më herët edhe deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, në turin që ai ka nisur për modernizimin e forcës më të madhe të opozitës.
...