E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, Interesi më i madh për makinat, biznesi indiferent

Shifrat tregojnë se, deri më tani më të interesuar për të përfituar nga amnistia fiskale kanë qenë qytetarët sesa bizneset. Interesimi më i madh mbetet për banesat dhe makinat

Amnistia fiskale duket se ka nxitur më shumë individët për të përfituar nga detyrimet e prapambetura sesa biznesin. Interesimin më të madh në këtë drejtim e ka ngjallur amnistia ndaj automjeteve. Kanë qenë individët më të interesuar për të përfituar nga dogana dhe taksat e brendshme të papaguara. Zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj është shprehur për mediat se, më pak të interesuar janë treguar deri tani bizneset, të cilët që të përfitojnë nga falja duhet të paguajnë një përqindje të detyrimeve që i janë shmangur nga viti 2009 e në vazhdim. Biznesi e mirëpriti ligjin e faljes fiskale, por kundërshtoi fort një pikë të tij, sipas të cilit administrata tatimore ka të drejtë të kontrollojë veprimtarinë ekonomike te një kompani edhe për ato vite që ajo ka përfituar nga amnistia. Ministria e Financave e argumenton se, kontrolle të tilla bëhen për të verifikuar deklarimin e saktë të biznesit. Sipas ekspertëve, kjo pjesë e ligjit vë në pikëpyetje përfitimet reale të biznesit apo edhe qeverisë. Përveç amnistisë së makinave, duket se, qytetarët kanë qenë të interesuar edhe hipotekën e banesave. Në këtë rast, fluksi i aplikimeve ka qenë më i madh nga qytetarët që nuk kanë ende pronësinë e banesës së tyre. Të gjithë ata që deri tani banojnë në apartamente që nuk janë të hipotekuar, por gjithashtu nuk kanë as kontratë shitblerje dhe legalizimi, do të tatohen 10 herë më shumë për të fituar hipotekën e shtëpisë së tyre, në krahasim me ata qytetarë që e kanë kontratën e shitblerjes dhe legalizimit të apartamentit. Ashtu siç është deklaruar, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale ashtu dhe nacionale. Gjithashtu, përfitues janë edhe bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve u falen detyrimet dhe kanë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Ligji i parashikon faljen e detyrimeve të prapambetura, gjobave dhe kamatëvonesave, deri në periudhën 31 dhjetor 2010, për biznesin e vogël. Gjithashtu, në ligjin në fjalë parashikohet të falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2010 për të vetëpunësuarit. Ligji parashikon edhe faljen e gjobave të marra për mospajisje me kasa fiskale, me kushtin që biznesi ta ketë vendosur atë deri më 28 shkurt 2011. Për biznesin e madh falen të gjitha detyrimet tatimore dhe gjobat e papaguara, për periudhën deri në fund të vitit 2008, ndërsa për periudhat në vijim do të kryhet e kushtëzuar. Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2009, biznesit të madh i falen 70% e këtyre detyrimeve, me kushtin që ai të paguajë 30 për qind të principalit të tatimit. Ndërsa bizneseve të mëdha, që nuk kanë deklaruar në masën e duhur detyrimin tatimor, ligji u njeh të drejtën që të rideklarojnë atë të plotë, kundrejt pagesës së gjysmës së tij. Nga ky ligj, qytetarët do të përfitojnë taksën e qarkullimit vjetor, taksën e regjistrimit dhe gjobat e vëna për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe kamatëvonesat e lidhura deri në datën 31 dhjetor 2010. Gjithashtu, dogana e papaguar e automjeteve deri në fund të vitit 2010 falet në masën 50 për qind, gjithashtu amnistia fiskale përfshin faljen e të gjitha taksave dhe gjobave të brendshme të papaguara të automjeteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›