E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, Ceka bashkohet në koalicion me Berishën

Në zgjedhjet e qershorit, Aleanca Demokratike do të jetë në koalicion me partinë Demokratike. Kreu i PAD, Neritan Ceka ka shpjeguar arsyet që e çuan drejt këtij koalicioni me Sali Berishën. Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Ceka ka deklaruar se PD ishte e vetmja parti që premtoi të krijonte zona të lira për PAD-në, në qarqe të caktuara. Sipas, kreut të PAD, spektri që ai drejton ka zgjedhur rrugën që forcon prezencën në Parlament dhe pushtetin ekzekutiv. Unë e nënshkrova marrëveshjen për koalicion me Berishën. Sot fusha politike është e çmanjetizuar, ska pole, nuk dimë ku është e majta dhe e djathta. Në këtë klimë të re politike, ende pa u çliruar nga protagonizmi, Aleanca është e orientuar nga interesi elektoral, nga objektivi për të qenë e përfaqësuar denjësisht në Parlament. Kështu Aleanca Demokratike, sipas Cekës mund të identifikohet si një forcë e veçantë e spektrit politik, që e distancon atë nga e majta dhe e djathta, duke pasur ndikim minimal nga rrotacionet e ardhshme politike. Aleancistët janë pak, por sjanë ushtarë por gjeneralë, dhe gjeneralët nuk rreshtohen me ushtritë e huaja, ka theksuar ai. Ndërkohë, që sipas Cekës, koalicioni me PD mund të ndikojë negativisht në elektorat, pasi pjesa më e madhe e tij anon majtas. Synimi i PAD është të marrë 6 vende në parlamentin e ri, ndërkohë që koalicioni me demokratët pritet të zyrtarizohet përmes votimit në asamble ditën e sotme. Ndërkaq sipas kreut të PAD, Neritan Cekës, alternativa e bashkëpunimit me LSI- në është rrëzuar për shkak se propozimi i të majtës për integrim parashikonte një koalicion të përbërë, me lista të veçanta. Aleanca Demokratike prej vitit 1997 ka qenë aleat i Partisë Socialiste, ndërsa ndryshimin kjo parti e nisi gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës. Ku u vu re qëndrimi pro të djathtëve i Cekës, duke votuar pro Bamir Topit duke dalë kështu kundër vullnetit të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›