Gërdeci, “patatja e nxehtë” në dorën e qeverisë
Gjatë fjalës së mbajtur rreth ngjarjeve kryesore që kanë ndodhur nga 1 janari deri më 1 gusht të këtij viti, kryeministri Berisha u ndal dhe në tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Ai vuri në dukje e kjo ishte një tragjedi e pandalshme nga qeveria, ku humbën jetën 26 veta dhe 200 të tjerë mbetën të plagosur. Kreu i qeverisë theksoi se qeveria që ai drejton, që në ditët e para të tragjedisë mori të gjitha masat e nevojshme për të përballuar tragjedinë, për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të realizuar dëmshpërblimin material të tyre. I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë, sipas të cilëve, qeveria po pengon hetimin e kësaj tragjedie, kryeministri e cilësoi trillim një lajm të tillë. Berisha u shpreh se nuk ka asnjë zyrtar ndërkombëtar që të ketë bërë një deklaratë të tillë dhe, sipas tij, nëse është bërë një deklaratë e tillë, kjo është vetëm një trillim. Ai deklaroi, se, nëse ka qeveri më të interesuar për zbardhjen e plotë të tragjedisë së Gërdecit dhe nxjerrjen para ligjit të përgjegjësve, kjo është qeveria që ai drejton. “Qeveria shqiptare është institucioni më i interesuar në zbardhjen e aksidentit të 15 marsit në Gërdec”, - është shprehur Berisha. I pyetur nga gazetarët rreth ndihmës që do të japë Qeveria shqiptare në zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, kryeministri pohoi gatishmërinë për ta çuar deri në fund hetimin për çështjen në fjalë. “Qeveria ka dhënë të gjithë ndihmën me masat administrative të marra ndaj të gjithë personave, potencialisht ose të lidhur direkt me këtë ngjarje. Ajo u ka kërkuar vendeve mike për të kontribuar në zbardhjen e së vërtetës në këtë hetim. Por, qeveria nuk heton, ajo vetëm këtë mund të bëjë. Ata që mendojnë se ne po pengojmë hetimin vetëm trillojnë e them këtë me përgjegjësi të plotë. Nëse ka institucion të interesuar në zbardhjen e së vërtetës, kjo është qeveria shqiptare. Ne bëmë gjithë ndërhyrjen energjike, por hetimin nuk e ka në dorë qeveria”, - tha Berisha.
16 Gusht 2008