Zgjedhjet, BE: Diaolog në Kuvend
Adi Shkembi
Bashkimi Evropian thekson se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri përmbushën një pjesë të madhe të angazhimeve të OSBE-së, edhe pse nuk u plotësuan të gjitha standardet. Nëpërmjet një deklarate për shtyp kryesia suedeze në emër të Bashkimit Evropian vlerësoi dje pozitivisht procesin elektoral të mbajtur në vendin tonë. “Bashkimi Evropian mori parasysh raportin përfundimtar nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve, OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor në Shqipëri dhe mirëpret vlerësimin se zgjedhjet përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, edhe pse zgjedhjet nuk e përmbushën plotësisht potencialin e mundshëm të Shqipërisë për t’i përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”, thuhet në deklaratën për shtyp. Duke iu referuar raportit të publikuar pak ditë më parë për zgjedhjet në Shqipëri, presidenca suedeze bëri të ditur se: “Raporti thekson se zgjedhjet kanë demonstruar përparim të dukshëm, në veçanti në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, kuadrin ligjor, votimin, numërimin dhe gjykimin e kontesteve zgjedhore. Ai vë në dukje gjithashtu, politizimet e aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë edhe numërimin dhe nxjerrjen e votave, si edhe shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore”. “BE-ja thekson rëndësinë për t’u siguruar se mangësitë në zgjedhje janë ekzaminuar, janë marrë mësimet dhe se rekomandimet e përfshira në raport janë ndjekur nga qeveria dhe të gjitha palët e interesuara”, thekson presidenca suedeze. Në të njëjtën kohë Bashkimi Evropian u bën thirrje forcave politike në vend që të punojnë së bashku, teksa lë të kuptohet se nuk pajtohet me qëndrimin e Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin në këmbim të plotësimit të disa kushteve për hetimin e zgjedhjeve. Sipas presidencës suedeze dialogu mes forcave politike bëhet në parlament, i cili theksohet si element i rëndësishëm i demokracisë. “BE-ja inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri për të ndjekur një dialog konstruktiv politik. Në veçanti, ruajtjen e një dialogu të përhershëm në Parlament, që është një element kyç i demokracisë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë e domosdoshme për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. BE-ja është e angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje për Shqipërinë në këtë proces të rëndësishëm, duke e ndihmuar Shqipërinë për të ecur përpara drejt integrimit evropian”, thuhet në deklaratë. Gjatë ditës së djeshme zëdhënësja e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, Kristina Galak kritikoi në një intervistë për “Top Channel”, qëndrimin e PS-së për të mos marrë pjesë në institucionin e Kuvendit derisa të plotësohen kushtet e saj. Sipas Galak për aq kohë sa zgjedhjet janë certifikuar si të mira nga vëzhguesit e huaj forcat politike, pavarësisht pozicionit që kanë duhet të sillen në mënyrë konstruktive. “Ajo çfarë mund të them është se nëse zgjedhjet, që janë certifikuar si të mira nga vëzhguesit ndërkombëtarë, natyrisht me probleme por që në përgjithësi konsiderohen të rregullta, atëherë të zgjedhurit në qeveri dhe ata që janë zgjedhur në opozitë duhet të sillen në mënyrë konstruktive dhe bojkoti nuk është mënyra më e mirë. Ne u rekomandojmë shumë të dy palëve, që të punojnë në mënyrë më konstruktive, sepse në fund të fundit punojnë për të ardhmen e popullit te tyre”, theksoi Galak. Ajo vlerësoi procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri, teksa theksoi se forcat politike duhet të punojnë së bashku për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
SHBA: Zgjedhjet më të mira se të kaluarat, por kishte edhe mangësi
SHBA vlerësojnë pozitivisht zgjedhjet e 28 qershorit, por i bëjnë thirrje klasës politike të marrin parasysh mangësitë e vërejtura dhe rekomandimet e bëra nga misioni i OSBE/ODIHR-it. Në një deklaratë për shtyp, ambasada e SHBA-së në Tiranë mirëpriti përmirësimet e vërejtura në këto zgjedhje, veçanërisht kuadri ligjor dhe regjistrimi i votuesve. “Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve. Këto fusha shënuan përmirësim të prekshëm, në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, thuhet në njoftimin për shtyp. Por në të njëjtën kohë, Uashingtoni, nëpërmjet ambasadës së tij në vendin tonë, vë theksin edhe në problemet e konstatuara nga vëzhguesit e misionit të OSBE/ODIHR-it para dhe pas procesit të votimit. Kështu procesi i numërimit të votave është vlerësuar si problematik, por në deklaratë u përmend edhe presioni ndaj qytetarëve nga partitë politike gjatë fushës.