Rama: Protestat, për zgjedhjet lokale
Kukës/Jonuz Hallaçi
Edi Rama tha dje se protestat për votën e lirë do bëhen për të ruajtur zgjedhjet e ardhshme. Dy kandidatët për postin e kryetarit të PS-së u zhvendosën dje në qytetin e Kukësit, ku nuk kanë munguar pyetjet e pjesëmarrësve kryesisht ndaj kryetarit në detyrë Edi Rama rreth qëndrimit të PS ndaj Parlamentit. Edhe në këtë takim, Rama nuk ka paraqitur platformë konkurruese, por ka shfrytëzuar rastin për të argumentuar pozicionin e bojkotit të socialistëve ndaj Parlamentit. Në qendër të fjalës së kryetarit socialist në detyrë ishte manipulimi i zgjedhjeve dhe kërkesa e vazhdueshme për të hapur disa nga kutitë e votimit, që PS i ka kërkuar Parlamentit dhe Qeverisë. Duke iu përgjigjur interesimit për nisjen e protestave, Rama tha se protestat janë pjesë përbërëse më shumë për të mbrojtur atë që kemi para se atë që lamë pas. Ramës i është dashur disa herë të sqarojë të pranishmit që këmbëngulnin në komentet që bënin, duke u thënë se duhet bërë vetëm pyetje. Rama ka mbështetur bojkotin e grupit parlamentar socialist deri në përmbushjen e kushteve, që i janë vënë maxhorancës dhe qeverisë së saj. “Ne do të bojkotojmë Parlamentin deri sa pozita e sotme të mbajë një qëndrim dhe t’u përmbahet kushteve tona, të cilat ne i kemi bërë publike”, u shpreh Rama.
Pyetjet
Ndërsa kandidati tjetër në këtë garë, Maqo Lakrori u shpreh kundër bojkotit duke e konsideruar parlamentin vendin ku mund të bëhet debati politik dhe nga ku mund të realizosh zgjedhjet e parakohshme që janë vënë dhe qëllim i PS-së. Të pranishmit kanë kërkuar qëndrimin e secilit dhe rreth tezës “Përtej të majtës dhe të djathtës”. Sipas Ramës, ky është një problem që ka të bëjë me ideologjitë. Ndërsa Lakrori e ka cilësuar këtë një problem të kapërcyer dhe sot sipas tij, PS duhet të përcaktojë atë profil që ajo ka si parti, një parti vetëm e majtë. Rama ka ripërsëritur dhe shqetësimin e vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it se në 1/3 e qendrave të votimeve pati probleme. Garën brenda PS-së, Rama e ka konsideruar garë të ndershme përtej asaj që pushteti nga dritaret e mediave që kontrollon po hedh baltë mbi të. Rama është ndalur dhe tek LSI-ja duke thënë se Ilir Meta mori vota duke nxitur urrejtjen për Berishën dhe i vuri në dispozicion për ta mbajtur atë në pushtet me ministra krushq të uritur në dasmën mes Berishës dhe Metës. Për Ramën procesi i zgjedhjeve të 28 qershorit doli nga binarët e ligjit dhe u vu në diktatin e Maliqit. Rama ka ripërsëritur se është për rinumërim publik të votave dhe se këtë kusht sipas tij ka opozita për të hyrë në parlament. “Jemi gati që nesër të shkojmë në Parlament nëse rinumërohen votat publikisht dhe nëse rikthehen në punë socialistët dhe socialistet që po përndiqen nga pushteti, ka thënë Rama, duke shtuar se PS-ja do të vihet në mbrojtje me çdo mjet të njerëzve të saj që përndiqen nga pushteti. Ndërsa rivali i Ramës brenda partisë, Maqo Lakrori tha se kjo është një garë serioze dhe se askush nuk luan me këtë garë që, sipas tij, është mes dy kandidatëve dhe jo mes kryetarit dhe atij. Platforma e Lakrorit konsiston në tre elementë kryesorë, solidaritetin njerëzor, demokracinë e brendshme dhe bashkimin e së majtës. Lakrori tha se në fillim të viteve ‘90-të kishte një ofertë nga Ramiz Alia për të udhëhequr partinë e reformuar me një program socialdemokrat të ish-partisë së vjetër të Punës, por e kishte refuzuar një gjë të tillë, por vetëm tani e ndjente se duhet të konkurronte për një post të tillë. Sfidanti i Ramës, Maqo Lakrori, tha se përveç manipulimit të votës, në rezultatin negativ të zgjedhjeve ndikuan dhe defektet dhe gabimet e vetë PS-së. “Fakti që kishte manipulim votash nuk i zbeh përgjegjësitë tona. Nuk u mbajtën premtimet për bashkimin e së majtës, nuk u zhvillua një diskutim i gjerë për ndryshimet kushtetuese, u cenua funksionimi i strukturave të partisë nga qendra në bazë, partia u nda artificialisht në të rinj dhe të vjetër, duke mos parë kontributet dhe vlerat e secilit”, u shpreh Lakrori.