E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza e PD, Ardian Turku do të jetë nënkryetar i Parlamentit

 

Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli kërkoi miratimin e nënkryetarëve të parlamentit dhe drejtuesve të komisioneve të përhershme të Kuvendit dje gjatë seancës. Parlamenti i ri do të ketë tre nënkryetarë, një i socialistëve, Nasip Naço i LSI-së dhe surpriza Ardian Turku i Partisë Demokratike. Tre komisione do të drejtohen nga deputetët e opozitës. Opozita do drejtojë komisionin e Integrimit, komisionin e Edukimit dhe Medias si dhe Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale. Ndërsa janë caktuar kryetarët e komisioneve që do të drejtohet nga maxhoranca. Komisioni i Ekonomisë do drejtohet nga Edmond Spaho, ai i Ligjeve nga Ilir Rusmali, siguria Kombëtare nga Leonard Demi, Veprimtaria Prodhuese nga Jemin Gjana, ndërsa komisioni i Jashtëm do drejtohet nga Fatos Beja, ku sekretar i tij do të jetë deputeti i Elbasanit, Luçiano Boçi. Në legjislacionin e kaluar opozita drejtoi po tre komisione, atë të Punës Prodhuese, të Edukimit e Informimit dhe të Integrimit. Socialistët me bojkotin që i kanë bërë Parlamentit ende nuk kanë përcaktuar se cilët do të jenë drejtuesit e komisioneve që do kryesojnë, por dhe emrin e nënkryetarit apo nënkryetares së Kuvendit. Shumë janë emrat që përfliten në selinë rozë për nënkryetarin socialist të Kuvendit, duke filluar që nga Valentina Leskaj, Arta Dade apo Ermelinda Leskaj, por edhe Namik Dokle nuk përjashtohet si kandidat potencial për një nga numrat dy të Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›